Pasi autoritetet ruse publikuan Listën e Zezë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë evropianë, vjen dhe kundërpërgjigja nga Parlamenti Evropian.
Presidenti i PE-së, Martin Schulz, ka informuar ditën e djeshme Ambasadorin e Rusisë në BE, se meqenëse autoritetet ruse kanë dështuar në sigurimin e transparencës në vendimet e tyre, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe detyrimet ligjore, duke i mohuar individëve të shënjestruar të drejtën e mbrojtjes dhe të ankimimit, tashmë konsiderohet e justifikueshme marrja e masave të përshtatshme.
Si pasojë, në pritje të heqjes së Listës së Zezë të autoriteteve ruse, PE ka vendosur të kufizojë: hyrjen e lirë në Parlament të Ambasadorit rus dhe një diplomati tjetër të lartë; vlerësim të kërkesave për hyrje në PE, të anëtarëve të Duma-s dhe të Këshillit të Federatës, duke u bazuar në një shqyrtim rast pas rasti; si edhe pezullim të angazhimit të Parlamentit Evropian me Komitetin e Bashkëpunimit Parlamentar BE-Rusi.
Reagimi nga PE, vjen pasi Rusia u ka ndaluar 89 autoriteteve politike evropiane hyrjen në territorin e saj, kryesisht për shkak të pozicionit të tyre mbi krizën në Ukrainë. Lista përmban emra të njohur të politikës, ish shefa qeverie, parlamenti dhe personalitete të fushës ushtarake. Francezët e listuar nga Moska, kanë qenë gjithashtu aktivë në sulmet ndaj financimit të Frontit Nacional francez.
Deputeti socialist Bruno Le Roux, bën pjesë ndër personalitetet franceze i padëshiruar në Rusi, por edhe presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian Henri Malosse, ish eurodeputeti Daniel Cohn-Bendt, si edhe filozofi dhe shkrimtari Bernard-Henri Lévy. Bruno Le Roux ka qenë gjithashtu në krye të iniciativës për ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e financimeve ruse të Frontit Nacional. Në nivel evropian, edhe deputetët e qendrës të ALDE kanë kërkuar gjithashtu ngritjen e një komisioni hetimor mbi financimet ruse të FN-së.
Të listuar por krenarë
Renditja e emrave në listë është shoqëruar edhe me reagime të kënaqshme, duke e parë këtë situatë si një moment shpërblyes të aktivitetit të tyre, ndaj politikave të Rusisë.
“Teksa pashë emrat e tjerë në listë, mendova se bëja pjesë në një klub shumë të nderuar”, ka deklaruar ish Ministri çek i Punëve të Jashtme Karel Schwarzenberg, aristokrati 77 vjeçar i njohur për kritikat e tij politike mbi Moskën në lidhje me çështjen e Ukrainës. “E konsideroj këtë si një shpërblim”, ka shtuar deputeti për agjencinë e shtypit çek CTK.
“Të qenurit në këtë listë, nuk ndryshon aspak angazhimin tim kundrejt popullit të Ukrainës”, ka deklaruar eurodeputetja suedeze, Anna Maria Corazza Bildt, e njohur për kritikat e saj të drejtpërdrejta ndaj presidentit rus Putin.
Edhe eurodeputeti çek dhe ish gazetari, Jaromir Stetina ka deklaruar se, “Eshtë shumë krenar që figuron në listë, së bashku me personalitete të tjera dhe kolegë të Parlamentit Evropian.”
Ndërmjet emrave në listë gjenden, politikanë polakë, suedezë, gjermanë, çek, holandezë, finlandezë dhe belgë, ndërmjet të cilëve edhe Presidenti i grupit Liberal të Parlamentit Evropian, dhe ish Kryeministri belg Guy Verhofstadt, si edhe ish Presidenti i Parlamentit Evropian dhe ish kreu i qeverisë polake Jerzy Buzek. Emra të tjerë përfshijnë ish Ministren suedeze të qendrës së djathtë, Lena Adelsohn Liljeroth dhe Presidentin e Senatit të Polonisë, Bogdan Borusewicz. Edhe ish Komisioneri për Politikat e Zgjerimit, Stefan Fyle figuron në këtë listë.

tashi jane ne fazen qe po rrifen me pupla…si balerinet e scalas dhe balshoit…
Me duket se Rusi po ben gol per te dyten here…