Pas largimit të brazilianit Dhiego Martins dhe maqedonasit Aco Stojkov, pritet që largimet e radhës te Skënderbeu të jenë sulmuesi lushnjar Fatjon Sefa dhe mesfushori Enkelejd Alikaj. Një lajm i tillë pritet të zyrtarizohet nga drejtuesit e klubit korçar nga çasti në çast.
Ishte premtuar nga presidenti Ardian Takaj, që të martën, klubi i Skënderbeut do të publikonte listën zyrtare të futbollistëve që do të ishin pjesë e skuadrës korçare për sezonin e ardhshëm, ku natyrisht nuk do të mësoheshin edhe emrat e të larguarve. Kjo nuk është publikuar, por www.sportal.al ka arritur të mësojë nga zyrtarë të klubit korçar, se të larguarit e radhës te Skënderbeu do të jenë sulmuesi Fatjon Sefa dhe Enkelejd Alikaj, për të cilët ishte përfolur një gjë e tillë. Gjithashtu, në sezonin e ardhshëm nuk do të jenë pjesë e Skënderbeut edhe dy nigerianët, Ovbokha Agboyi i huazuar tek Elbasani, si dhe Isak Olaleka i ardhur te korçarët në merkaton e dimrit, por që rezultoi një afrim i dështuar.
Sulmuesi lushnjar Fatjon Sefa (30 vjeç) erdhi nga Besa në fillim të sezonit te Skënderbeu me synimin për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i kroatit Pero Pejiç. Ai luajti në 28 ndeshje, duke shënuar edhe 6 gola, por hapësirat e tij ishin të kufizuara, për shkak të vendosjes taktike të përdorur nga trajneri Josa.
Pas një edicioni e gjysmë, edhe mesfushori Enkelejd Alikaj (33 vjeç), i ardhur nga skuadra e Kukësit, do duhet t’i japë lamtumirën Skënderbeut. Gjatë sezonit të shkuar ai u aktivizua në 18 ndeshje, në të cilat shënoi edhe 1 gol.
Që të dy këta futbollistë largohen nga Korça me nga dy tituj kampioni. Elikaj, që të dy me Skënderbeun, ndërsa Sefa, shijen e titullit e kishte provuar që kur luante me Dinamon (2009/2010), ndaj ky me Skënderbeun, ishte i dyti për të.
