Rikthehet lufta në lindje të Ukrainës

Ornela

Konflikti i ngrirë në Ukrainën lindore kërcënon të rikthehet në pikën e tij të vlimit me ardhjen e verës. Aktiviteti luftarak, i cili gjatë muajve të fundit ka qenë i kufizuar me sulme ndaj pikave të caktuara, dje u rishfaq fuqishëm në zonën e Krasnogorovkas dhe Marinkas, pranë Donetskut.
Trupat ukrainase dhe separatistët pro-rusë u përleshën atje në luftimet më të ashpra gjatë muajve të fundit. Kievi pohoi se ishte milicia ajo që sulmoi pozicionet e tyre, por udhëheqësit e Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut insistuan se kjo nuk ishte një ofensivë, por një përpjekje për të qetësuar bombardimet e kryera nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, që shkaktuan dje vdekjen e 19 personave dhe plagosjen e 100 të tjerëve.

Tërheqja e armatimit të rëndë nga Kievi sa më larg Donetskut ka qenë një kërkesë e përsëritur e pro-rusëve, të cilët denoncojnë vdekjet e vazhdueshme të civilëve për shkak artilerisë së trupave besnike të Kievit. Ushtria e Ukrainës nga ana e saj pohon se rebelët u përpoqën të avancojnë drejt perëndimit duke përdorur tanke dhe deri në 1000 luftëtarë. Në çdo rast, intensiteti i luftimeve të djeshme dhe hapja e fushëbetejave të reja mund të shkatërrojnë procesin e paqes së brishtë që u arrit në Minsk në muajin shkurt.
Të shtënat filluan, sipas dëshmitarëve në terren, rreth orës tre të mëngjesit të së mërkurës kundër Maryinkas, një qytet i kontrolluar nga qeveria rreth 15 kilometra në perëndim të Donetskut. Para luftës aty jetonin rreth 9000 njerëz, por sot është një qytet ku një pjesë e popullsisë mbijeton pa pensione, ose ndihmë sociale dhe me një infrastrukturë të shkatërruar. Civilët janë ata që mbajnë barrën më të madhe të kësaj lufte, e cila llogaritet të ketë shkaktuar rreth 6000 mijë viktima.

Mes luftimeve, më shumë se 900 minatorë u bllokuan dje nën tokë, sepse përballjet shkaktuan ndërprerje të energjisë në dy miniera, atë të Skochinskit dhe Zasyadkos. Të gjithë minatorët u evakuuan më vonë. Moska ka apeluar fort për një dialog të drejtpërdrejtë të Kievit me guerilasit për t’u dhënë një status të veçantë rajoneve të Donetskut dhe Luganskut, që praktikisht të mbeten nën ndikimin rus. Kremlini pa dje se si kjo mundësi u bë e pamundur dhe u vendos në anën separatistëve, duke akuzuar Forcat e Armatosura të Ukrainës se kryen akte provokimi. “Jemi thellësisht të shqetësuar në lidhje me veprimet provokuese të forcave të armatosura të Ukrainës, të cilat për aq sa ne mund të shohim, po nxehin situatën”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. /DITA

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *