Rrëfimi i “nuses”, Vilma Hodo dhe efekti që i dha roli; nga një vajzë që nuk e kishte menduar kurrë fustanin e bardhë në një femër që e dëshiron atë. Dhe pyetja çfarë i mundon të rinjtë e sotëm të krijojnë familje…?!
Teksa e dëgjon të flasë, të duket sikur të fut në një botë tjetër dhe të bën të imagjinosh atë çka shpreh. Për këto efekte që përcjell na lindin dyshimet nëse luan rol profesioni i saj si aktore apo ajo kështu është në të vërtetë. Kemi ftuar sot në Dita një aktore të re të Teatrit “Aleksandër Mosiu” në Durrës, e cila mbrëmë ka dhënë shfaqjen e saj të parë në Teatrin Kombëtar në Tiranë, “Martesa”. Vilma Hodo ka rolin e nuses në Komedinë e Çehovit për të cilën është kujdesur regjisorja Driada Dervishi. Pas suksesit që pati për disa javë me radhë në qytetin bregdetar, shfaqja ishte dje, do të ngjitet sërish sot për publikun e kryeqytetit.
Kemi folur me Vilmën, jo vetëm për rolin e Dashenjkës (nuses) por edhe për atë “teatër” që luhet në jetë. Për peripecitë, për përditshmërinë jashtë filtrave të instagramit dhe rrjeteve sociale, dhe për sfidat që një vajzë e re duhet të përballet, pse jo dhe kompromiset që bën, kur jo rrallë dhëmbin. Kemi folur me 27-vjeçaren për ëndrrën për t’u bërë një ditë nuse dhe sa e vështirë është të vendosësh e të hedhësh këtë hap. Gjatë rrëfimit, herë na duket ëndërrimtare dhe herë realiste…
Vilma, shfaqja “Martesa” e Çehovit, ku ti je pjesë, nga Durrësi, këto ditë ka ardhur në Tiranë, ishte e planifikuar më herët vendosja në Teatrin Kombëtar?
Shfaqja vjen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit që Teatri Kombëtar ka me teatrot e gjithë qyteteve të Shqipërisë. Gjithashtu qëllimi i çdo shfaqjeje është të ngjitet në sa më shumë skena që të shijohet nga publiku që e do Teatrin dhe të marrë prej tij duartrokitjet, ato të cilat për ne aktorët janë një ushqim i vërtetë shpirtëror . Skena e Teatrit Kombëtar është një skenë e dashur për çdo aktor dhe aktore.
Si kanë qenë ditët kur “Martesa” është vendosur në Teatrin “Aleksandër Moisu” në Durrës?
Ne aktorët kemi një shprehje, “i dua shfaqjet, por provat i dua më shumë” dhe kjo veçanërisht vlen shumë për mua. Kjo ndodh sepse provat janë një krijim i gjallë, karakteri për të cilin ti je përzgjedhur të luash lind në prova dhe gjatë tyre rritet çdo ditë si një foshnje. Shfaqjet janë tjetër emocion, roli yt jeton, në çdo shfaqje si për herë të parë. Komedia “Martesa” në premierë pati një pritje mjaft të ngrohtë nga publiku i Durrësit që nuk është në fakt vetëm “durrsak” por udhëtojnë edhe publik nga Tirana drejt Durrësit për të parë shfaqje në Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Një nga ditët kur luante kombëtarja jonë e futbollit, Teatri Kombëtar e kishte anuluar shfaqjen ndërsa ne në Teatrin “Aleksandër Moisiu” shfaqnim komedinë “Martesa” dhe salla e Teatrit ishte plot edhe pse në të njëjtin orar më kombëtaren. Publiku ynë ka nisur sërish ta dashurojë teatrin dhe në e ndjejmë këtë.
E konsideroni një shfaqje të suksesshme, si ka shkuar ajo te publiku?
Një komedi e mirë aq më tepër nga një dramaturg si Çehovi pëlqehet nga publiku. Por edhe koncepti regjisorial i Driada Dervishit ku personazhet e 5 pjesëve me një akt janë të ftuar në një Martesë dhe kjo rrethanë së bashku me situatat komike që krijohen depërtojnë tek publiku shumë natyrshëm. Edhe reflektimi mbi jetën dhe dashurinë që janë element kryesor të penës së Çehovit realizohen me elegancë në komedinë “Martesa”.
Për ata që ende nuk e kanë parë ndoshta duan të vijnë ta shohin, për çfarë flet kjo shfaqje?
Situata dhe mënyrën si personazhet bashkëveprojnë e bëjnë shumë aktuale këtë shfaqje. Kemi një martesë të kurdisur për interes. I ftuar në këtë martesë është një personazh që i mërzitur nga jeta bashkëshortore kërkon ta ndalojë këtë martesë duke i kujtuar dhëndrit se ç’do e presë atë pasi të kalojnë disa vite. Personazhe të tjerë që pasi debatojnë ashpër me njëri-tjetrin përfundojnë duke rënë në dashuri. Dashuria është ndjenja që përshkon gjithë shfaqjen, si ndjenja që ripërtërin dhe shpëton shpirtin.
Sa aktuale është për realitetin shqiptar?
Është reale dhe i ngjan realitetit tonë aq sa duhet, duke ruajtur një sens mase, pa humbur origjinalitetin e veprës. Por Çehovi si dramaturg është quajtur si “kirurgu i shpirtit njerëzor”. Ai është rus dhe personazhet e tij janë rusë, por janë njerëz, dhe shpirti i njerëzve është i njëjti. Të gjithë dashurojmë, kemi nevojë të na dashurojnë. Prandaj ai është bashkëkohor sepse ka shkruar për shpirtin njerëzor, i cili s’ka kohë.
Vilma, ke marrë pjesë në disa shfaqje si aktore, por këtë radhë për herë të parë, vjen në rolin e nuses. Është hera e parë për ty, nuse?
Po është hera ime e parë nuse. Është e mrekullueshme për mua të isha nuse për herë të parë në skenën e Teatrit. Një bekim!
Si ndihesh me fustan të bardhë?
Një nuse 24 karat, me fustan të bardhë dhe në skenë!
Jashtë rolit, e ke menduar veten nuse, e ke në plan?
Sinqerisht para këtij roli nuk e kam pasur ëndërr fustanin e bardhë dhe martesën si ceremoni. S’e di! Më është dukur si një obligim, si zakon më shumë se sa e frymëzuar nga dashuria. Pas rolit të Dashenjkës (nuses) e ndjej që ka një ndryshim tek unë. Po ju rrëfej dhe një sekret tani me këtë rast. Ky rol më ka frymëzuar për martesën që unë dua të kem, nëse do më jepeshin mundësitë ajo do të duhet të ishte kështu: Në plazh, mundësisht në Maldives, unë me rroba banje të kuqe dhe vello të bardhë, dhe njeriu të cilin unë do e bëj babanë e fëmijëve të mi, me rroba banje dhe një papion përballë hënës së plot, duke i thënë njëri-tjetrit “je njeriu më i bukur që njoh dhe të dashuroj”! Entela të lutem më zgjo… (qesh).
Jashtë ëndrrave, ti vetë, çfarë mendimi ke për aktin e martesës?
Nëse e frymëzon dashuria dhe dëshira për të pasur fëmijë është një gjë e mirë që duhet të ndodhë! Nuk është si të blesh një biçikletë të re, mendoj se hyn tek gjerat që duhen pleqëruar me veten dhe njeriun që do bëhet babai i fëmijëve (qesh).
Mendon se ka ndryshuar diçka në këtë drejtim në Shqipëri? Sipas studimit të fundit të INSTAT ishte rritur mosha e martesës…
Po, dhe është shenjë shumë e mirë që është rritur mosha. Sepse njerëzit nuk duhet të martohen “kalamaj” sepse ka pasoja shumë tek vetja dhe tek ato qeniet e pafajshme që s’të kanë asnjë faj që ti je ende kalama e s’mund të jesh bashkëshorte e aq më pak prind.
Në ambientin që jeton ti, çfarë kërkesash kanë vajzat, miqtë apo mikeshat e tua për personin me të cilin duhet të martohen?
Nisem dhe nga vetja, e mendojnë martesën si finale të jetës, në fakt s’duhet menduar kështu, s’e di ka filluar gjithmonë e më shumë të na trembë martesa, ndoshta nuk e kemi vetëm ne fajin që jemi frikacak (qesh), por edhe vështirësitë social-ekomomike.
Sa e rëndësishme është të jetë mirë ekonomikisht? A ka kaluar dashuria në plan të dytë?
Është shumë e rëndësishme sidomos në Shqipëri. Ku të gjithë ne punojmë për të ngrënë dhe për kërkesat minimale. Dhe dashuria ka filluar të duket si luks, e trishtë është, por ky është realiteti…
***
Profesioni
“Ndoshta jetoj në një vend ku njerëzit kanë shumë halle për të shkuar në teatër”
Vilma Hodo ka patur dilemat e veta edhe pas përfundimit të Akademisë së Arteve për aktrim. Mungesa e hapësirave për të punuar e ka shtyrë atë që të nis një tjetër shkollë në degën e psikologjisë, por pas diplomimit e ka kuptuar se ka bërë mirë dhe është ndjerë e plotësuar. Pavarësisht të gjithave, teatri është dashuria e saj e parë pasi ka mundësi të jetojë shumë jetë të tjera që nuk janë të sajat…
Vilma, je një aktore e re, shumë flitet për studentët e akademisë që e kanë të vështirë të gjejnë një treg pune pasi dalin nga bankat e shkollës. Si ka qenë për ty?
Sigurisht shumë e vështirë për çdo të sapodiplomuar në fakt! Por Akademinë, studimin tim 4 vjeçar unë e kam parë si një periudhë shumë të rëndësishme. Një pedagogu im i nderuar dhe aktor shumë i mirë, Gazmend Gjoka, na thoshte gjithmonë, “Vitet e shkollës dhe investimi që ju bëni do t’i ngjajnë shumë karrierës tuaj”. Unë kam qenë sistematike dhe e përkushtuar. Ka qenë shumë emocionale si zgjedhje, dhe pasi fitova konkursin dhe dola e dyta ishte ajo që unë doja të studioja dhe kjo më dha shumë motiv t’i përkushtohesha viteve të shkollimit. Përfundimi i shkollës është pak i trishtë dhe me ankth, se ti mbaron dhe s’di çfarë do bëhet me ty. A do punosh në profesionin tënd apo do profilizohesh nëpër televizione apo punë të tjera të cilat ne studentët e akademisë së arteve dimë t’i bëjmë mirë. Duhet edhe fat në fakt. Dhe unë them që kam pak. Fitova një audicion vitin e parë pas përfundimit të shkollës dhe punova në një projekt teatri me një regjisor gjerman, më pas projekte të tjera që më mbanin në kontakt me profesionin. Një audicion tjetër i rëndësishëm më jep mundësinë të punoj pranë Teatrit të Metropolit me regjisorin
Kushtrim Bekteshi, dhe tani prej më shumë së një viti e gjysmë jam aktore në Teatrin “Aleksandër Moisu”. Qëllimi im është të bëj këtë profesion sa më gjatë, pastaj nëse e bëj këtë në Durrës, Tiranë, apo kudo ku bëhet teatër cilësor.
Je ndjerë ndonjëherë keq për profesionin që ke zgjedhur?
Po, kur kam rast të jem përballë njerëzve që nuk e duan dhe respektojnë Teatrin. Trishtohem dhe them që ndoshta jetoj në një vend ku njerëzit kanë shumë halle për të shkuar në Teatër. Tërhiqem ndonjëherë marrëzisht nga televizioni, sepse mendoj se mund ta bëj, ndoshta!
Sa e vështirë është për një aktore të re, të sigurojë një rol, të jetë në qendër të vëmendjes të regjisorëve, producentëve…?
E vështirë mjaftueshëm, sa ndonjëherë dhe mendon se duhet të kishe edhe një profesion tjetër. Unë e kam menduar këtë gjë pas punës time të parë pas përfundimit të studimeve në akademi, e mendova seriozisht nisjen e një shkolle tjetër për të rritur veten dhe për t’i dhënë vetes ca aftësi të tjera për çdo rast. Dhe në 2011-ën kam nisur studimet për Psikologji në Universitetin publik të Shkencave Sociale. Kam kryer 3 vite studim dhe paralelisht me punët në teatër dhe jam shumë e lumtur që sërish bëra atë që intuita më tha. Sot ndihem shumë e plotësuar sepse sigurisht janë dy fusha që ndihmojnë njëra-tjetrën shumë. Madje tani jam duke kryer edhe një trajnim për “Psikodramën” e cila është një teknikë terapeutike që përdorin psikologët që në thelb ka rolet dhe eksplorimin e tyre, është si një “Teatroterapi”, bazohet tek teatri, prandaj unë ndihem shumë mirë.
Çfarë bën jashtë punës?
Bëj shumë sport, vrap, çiklizëm, palestër, kërcim.
Të pëlqen të udhëtosh?
Shumë, por të arrij në stacionin e trenit ose aeroportin e vendit ku kam shkuar dhe pastaj të eci me orë të tëra në këmbë. Nuk lodhem duke ecur. Por besoj nuk ka lindur ende njeriu që nuk i pëlqen të udhëtojë. Ne njerëzit jemi të bekuar që e kemi të zhvilluar “dëshirën” për udhëtimin. Jemi zhvilluar shumë si qenie prej kësaj “dëshire të bekuar”.
Cili është udhëtimi më i veçantë që ke bërë dhe pse?
Një Euro-Trip në 2013-ën. Verona-Mynih-Berlin-Amsterdam-Paris-Venecia me një grup shoqëror në një aktivitet të organizuar nga shteti gjerman.
