Mjekët, 5 vjet punë e detyruar në rrethe

anazapta

Mungesat më të theksuara në rrethe janë për mjekët anestezistë-reanimatorë, pediatërit për të porsalindurit, si dhe shumë mjekë familje. Me rishpërndarjen e re të bluzave të bardha do të rikthehet edhe detyrimi  që mjekë specializantë të punojnë për të paktën pesë vite në vendet ku ka mungesa

Pranvera Kola

Mungesa e mjekëve specialistë në spitalet e rretheve tashmë është bërë një refren i përsëritur prej vitesh. Ndonëse strukturat shëndetësore janë zotuar herë pas here për ndreqjen e kësaj problematike, (e cila i detyron shumë nga pacientët të marrin rrugët drejt kryeqytetit), në të vërtetë asgjë nuk është bërë pasi situata vijon me të njëjtat ritme.

Ndër mungesat më të theksuara të specialistëve pohohet të jenë mjekët anestezistë-reanimatorë, pediatërit për të porsalindurit, si dhe shumë mjekë familje. Ky fenomen më shqetësues bëhet në komunat më të thella, ku një mjek merr përsipër dhënien e kujdesit për specialitete të ndryshme për shkak të mungesës së specialistëve.

Ndërkohë që janë të shumtë studentët dhe kandidatët që vijnë për specializime e studime të mëtejshme në fusha të ndryshme mjekësore në kryeqytet. Por, pothuajse të gjithë këta kandidatë pasi diplomohen, nuk preferojnë të shkojnë në zonat e tyre, pasi të gjithë duan të qëndrojnë në Tiranë, duke krijuar edhe një fluks të specializuarish që mbeten të papunë për shkak të kapaciteteve të kufizuara që ofrojnë spitalet e kryeqytetit.

Konfirmimet e këtyre shqetësimeve kanë mbërritur edhe një herë tjetër në veshin e ministrit të Shëndetësisë, gjatë një turi vizitash të zhvilluar me mjekët e spitaleve në rrethe. Kundrejt këtij problemi të trashëguar, ministri paralajmëron se në bashkëpunim edhe me dikasterin e arsimit, do të bëhen një sërë ndërhyrjesh në legjislacion, të cilat do të ndikojnë në rishpërndarjen e mjekëve duke vendosur detyrime të reja.

Një ndër to është rikthimi i detyrimeve në kontratat e mjekëve specializantë, të cilët do të duhet që për të paktën pesë vite të punojnë në zonat ku ka mungesa të stafeve mjekësore. “Ajo që unë mendoj se është problemi më kryesor, është mungesa në disa spitale rajonale të mjekëve specialistë, kryesisht të mjekëve anestezistë-reanimatorë dhe mjekëve pediatër për të porsalindurit.

“Është një problem i trashëguar në vitet e fundit është bërë një listë kombëtare, ku mjekët specializantë janë të lirë më pas, pasi mbarojnë specializimin për të punuar në çdo spital ku shpallet një vend i lirë pune, por nuk janë të detyruar në bazë të një kontratë të caktuar, siç ka qenë më përpara, ku për pesë vjet, të paktën pesë vjet, duhet që të kthehen në rajonin në të cilin ka realisht mungesë mjeku”, bën të ditur ministri Tavo.

Për këtë, brenda një harku të shkurtër kohor në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit do të finalizohen një sërë ndryshimesh edhe në kurrikulat mësimore të specializantëve.  Konkretisht do të veprohet me shkurtimin e viteve të specializimit për disa nga kurrikulat mësimore.

“Një tjetër masë që do të merret, është edhe ajo e testimit të mjekëve të përgjithshëm. Këta të fundit, që kanë mbi 5 vite eksperiencë  pune do t’i nënshtrohen testimit për t’i certifikuar ata si mjekë familje e më pas do të punësohen në këto zona ku dhe ka mungesa. “Me Ministrinë e Arsimit, si dhe dekanatin e Universitetin Mjekësor kemi rënë dakord që për mjekët e përgjithshëm, të cilët kanë një përvojë pune mbi 5 vjet sot nëpër qendrat shëndetësore, pas dhënies së një provimi, të marrin automatikisht diplomën e mjekut të familjes”, shtoi më tej Ministri Tavo.

Sipas tij, këto ndërhyrje mbeten të vetmet ndërhyrje që duhen bërë për të shmangur fluksin e lartë të pacientëve me të cilën përballet çdo ditë QSUT, duke shkaktuar shpeshherë edhe kaos.

Specializimet e mjekëve, vetëm dyvjeçare

“Për specializimet që shpresoj të përfundojnë brenda muajit mars, lista do të jetë listë rajonale, ku do të përfshihen edhe kërkesat e spitaleve rajonale dhe të spitaleve të tjera të rrethit dhe mjekët që do të fitojnë konkursin do të konkurrojnë për këto rajone. Do të fitojnë të drejtën e specializimit për këto rajone dhe do të jenë të detyruar që për pesë vite të shkojnë dhe të punojnë pranë tyre.

Një zgjidhje tjetër, e cila konsiderohet më afatshkurtër është kryerja e  specializimeve me kurrikula të përshpejtuara për mjekët specialistë. P.sh., për anestezi e reanimacion apo për neanotologji, që do të thotë një kurs më i ngjeshur. Nëse sot ky kurs zhvillohet për katër vjet, ne mendojmë që për disa kurrikula ky specializim të jetë dyvjeçar”, shtoi më tej ministri Tavo.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *