VËZHGIMI/ Më thuaj ç’Facebook ke…

redaktor

Disa ditë përpara se të shpalleshin emrat e kandidatëve për kryetar bashkie, disa prej tyre, për ata që lundrojnë në rrjetet sociale, u morën vesh. Shumë syresh filluan të paguajnë për të zgjeruar rrjetin e miqve në botën virtuale. Aktualisht, pothuajse në të gjitha rastet, faqet tregojnë se janë të sponsorizuara. Facebook dhe themeluesi i tij kanë patur një periudhë të majme në këtë kohë pasi  fitojnë para edhe nga fushata jonë elektorale.

Por çfarë ndodh në këtë terren virtual që edhe për kandidatin e zonës më të thellë në Shqipëri është kthyer në një domosdoshmëri? Të pretendosh të drejtosh një bashki e të mos kesh një faqe në Facebook? Jooo, nuk ka mundësi.

Në këto ditë të mbetura, deri në 21 qershor, kur është edhe data e zgjedhjeve, dukshëm vihet re shpenzimi i mjaft energjive nga kandidatët për kryetar bashkie dhe subjektet politike për të përdorur rrjetet sociale në komunikim me votuesit. Si asnjëherë tjetër në fushatat e mëparshme ata po tregohen shumë aktivë dhe interaktivë me gjithçka postohet në Facebook, Twitter etj., duke bërë një harmonizim të kontakteve reale me ato virtuale të elektoratit të tyre. Për ekspertët e medias jo gjithçka që serviret është efektive, por ka sjellë një evoluim në mënyrën e të bërit fushatë dhe të përcjelljes së mesazheve për qytetarët.

Jemi në kohën kur edicionet e lajmeve në televizionet me të rëndësishme të vendit mund të hapen me një deklaratë të kryeministrit apo kreut të opozitës në Facebook. Kjo erë e re ka kohë që po fryn, por teksa jemi në garë elektorale, një tjetër betejë zhvillohet në rrjete.

Në lidhje me ndikimin e Facebook në fushatë ne kërkuam mendimin e një specialist të medias dhe folëm me Ervin Gocin, pedagog në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Diskutuam me Gocin se sa vlerë ka në ditët e sotme fushata në rrjetet sociale? Cili është imazhi që duan të japin kandidatët? Format e zgjedhura? Efektet që kanë? Ku gabojnë? Ku e ekzagjerojnë dhe sa elektorat mund të afrojnë rrjetet sociale?

Është e ditur që jeta politike nga diskurs racional, debat ideologjik mes palësh që konkurrojnë për të fituar të drejtën e ushtrimit të pushtetit, është kthyer prej shumë kohësh në betejë hapësirash mediatike, imazhi, sloganesh, reklame negative, postera me diçitura tallëse, spot-e, prezantime vizuale televizive, pra me një fjalë marketing politik, thënë më qartë për lexuesin, mesazhe politike të konvertuara në produkte atraktive për të tërhequr vëmendjen e publikut, njëlloj si produktet nëpër reklama. Ky është fenomen shumë i hershëm, si fushata PR-i, po nga vitet ‘70-80 sipas studimeve të kohës u zbulua që një pjesë e mirë e informacionit që kalonte nëpër agjendën e mediave, i dedikohej direkt emrave të kandidatëve, se sa çështjeve me rëndësi publike”.

Por çfarë ndodh sot, sa diskutohet realisht për problemet e qytetit dhe sa për jetën personale të kandidatit?

Sot mund të themi me siguri që pjesën më të madhe të informacionit, e zë emri i kandidatit, jeta e tij personale, se sa debati për çështjet realisht me rëndësi. Mjafton të bëhet një monitorim i thjeshtë se sa informacione janë për emrat e kandidatëve, dhe se sa janë për problemet që ka qyteti i Tiranës apo një qytet tjetër në vend. Është menduar gjithmonë se për shkak të pozicionimit ideologjik të mediave tradicionale, të cilat për shkak të orientimit të tyre ideologjik, lidhur dhe me lobe pushteti tradicionale, të gjitha çështjet me rëndësi trajtohen me insistim nga këndi i palëve që mbështeten nga këto media, dhe debati mes palëve, beteja e arsyeve, përplasja me shifra, diskursi racional, ka përfunduar në paraqitjen e llogoreve, pa patur mundësi për të përballur alternativat.

Po realisht sipas jush, sa peshë dhe sa ndikim kanë rrjetet sociale në një fushatë?

Ervin Goci
Ervin Goci

Duke e lidhur me atë që thashë më lart është shpresuar se me mediat e reja, dhe posaçërisht me rrjetet sociale, logjika e llogoreve do të marrë fund, për shkak në radhë të parë të mënyrës së agregimit të audiencës, ku kufijtë bien, debati profanizohet dhe bëhet pjesë e diskursit të përdoruesve të cilët projektohen në një hapësirë virtuale me të gjithë përdoruesit, pa dallime, dhe flasin për tema të interesit të përbashkët. Kjo ëndërr ka kapitulluar prej kohësh, sepse të dhënat e mbledhura nëpër sondazhe, tregojnë se ata konsumojnë ato lajme që përputhen me bindjet e tyre, ndjekin ato liderë që i pëlqejnë më tepër, duke forcuar ndjeshëm filtrat e ekspozimit, dhe duke krijuar atë që teoricienët e mediave të reja e quajnë “Filter Buble” (Tollumbacja), apo “Echo Chamber” (Dhoma Jehuese), pra sipas një sistemi algoritmik që kërkon të gjenerojë klikime, neve na dalin në “News Feed”, ato informacione për të cilat ne kemi shpallur pëlqimin, ato mesazhe që shkojnë me bindjet tona, ato personazhe politikë, dhe publikë që na pëlqejnë më tepër, duke zhytur në errësirë një pafundësi informacioni alternative, nga kandidatë alternativë, mesazhe të përjashtuara, që do të na ndihmonin për të patur një kënd më të zgjeruar mbi realitetin.

Në zgjedhjet e 21 qershorit kemi 138 kandidatë për kryetar bashkie në vend, secili prej tyre ka një profil zyrtar në Facebook. Sipas jush sa i ndihmon kjo hapësirë për t’u afruar me elektoratin?

Kjo puna e faqeve të kandidatëve, është degradimi më i lartë, i kapitullimit të debatit politik mbi çështje me rëndësi publike, sepse ato janë thjesht hapësira promovimi, ku tregohet kandidati me imazh të përmirësuar, ku ushtarët që fshijnë komentet funksionojnë me rendiment të plotë, ku nuk ngrenë dot një temë, se nuk ka një moderator që ta konsiderojë mesazhin tënd, duke krijuar hapësira të komunikimit militant, shumë më keq se me mediat tradicionale, sepse me to diheshin mundësitë e interaktivitetit. Do më interesonte shumë efekti i një fushatë komunikimi i ndërtuar mbi mesazhe, argumente, dhe jo mbi projeksione imazhi personal të kandidatëve. Ata duhet ta dinë mirë këtë që nuk kanë marrë ndonjë votues të ri me këto forma komunikimi, sepse të gjithë mbyllen në llogoret e tyre me “Like”-t, dhe ai që del jashtë llogores quhet armik, komunikimi me të është më tepër vuajerist (përgjues”, për ta tallur për të kapur ndonjë defekt”, jo për ta dëgjuar argumentin e tij, po dhe nëse do të fitojnë ndonjë votues, do ta kenë gllabëruar me ndonjë efekt special imazhi, videoje, slogani, reklame negative, po jo me ndonjë argument.

Sa manipulues mund të jetë mesazhi që vjen nga fotot dhe videot në rrjetet sociale?

Komunikimi me anë të imazhit, video-s , sidomos në rrjetet sociale ku intensiteti është i jashtëzakonshëm, dhe mundësitë teknologjike përpunuese janë të frikshme, vënë pikëpyetje të mëdha mbi vërtetësinë e mesazheve. Në këtë problematikë bien të gjithë, mendoj se nuk do të interesonte shumë publikut që të dëgjonte komente mbi stilin e komunikimit, se sa mbi mundësitë që këto mediume kanë për të komunikuar në të mirë të interesit publik, ose e kundërta.

****

Vëzhgim në rrjet

Ndikimi i rrjeteve sociale dhe përballja e fortë online

Prof. As. Mark Marku në një shkrim në lidhje me ndikimin e teknologjisë në fushatë shprehet se aplikimi i mediave dhe teknologjive të reja është një çështje e debatuar mes ekspertëve për faktin se sa demokracia elektronike është një demokraci reale, apo sa interaktiviteti shndërrohet në një bashkëbisedim real dhe se sa ky mbetet si perceptim virtual.

“Problemi është se cili ose cilët janë ata që komunikojnë në rrjetet sociale më qytetarët, me votuesit. Nga pikëpamja logjike e ke të vështirë të pranosh që një lider, ose një kandidat të rrijë nonstop në dispozicion të dinamikës së komunikimit në një adresë në Facebook a Tuiter. Një aspekt tjetër është efektiviteti i interaktivitetit nëpërmjet rrjeteve sociale: sa siguri ke që një komunikues në rrjetet sociale do të jetë aktiv realisht në procesin elektoral, pjesëmarrja e tij në aktivitete, apo vajtja në kutinë e votimit. Pra, është një mënyrë komunikimi që tërheq vëmendje, përmirëson imazhin e formacioneve dhe liderëve politikë gjatë fushatës, por duhet verifikuar se sa ndikon kjo në pjesëmarrjen reale në ditën e votimeve. Studiues të ndryshëm mbrojnë idenë se këto mënyra mund të nxisin dhe pasivitetin në elektorat, pasi qytetarët e ndjejnë detyrën e kryer pas realizimit të komunikimit virtual, duke e parë si jo të domosdoshme të ushtruarin e të drejtës për të shkuar në kutinë e votimit. Studiuesit e qasin këtë fenomen me efektin që krijojnë p.sh filmat erotikë tek një pjesë e madhe e njerëzve. Nga pikëpamja e komunikimit është interesante të studiohen efektet konkrete që shkakton përdorimi masiv i rrjeteve sociale në procesin elektoral”- shpjegon Marku.

Election-Facebook
Gara presidenciale ne SHBA e zhvilluar nëpërmjet rrjeteve sociale

 

****

Erioni vs Halimi

erionihalimiiiNe kemi bërë një vëzhgim në profilet e kandidatëve në Facbook, të atyre që bien më shumë në sy dhe emri më me shumë pëlqime dhe aktivitet të lartë është Erion Veliaj. Ai ka 224 mijë fansa. Fotot janë të përzgjedhura dhe të realizuara nga profesionist. Fotoja më e thjeshtë e tij arrin mbi një mijë pëlqime dhe një pjesë e mirë e postimeve shpërndahen nga ata që e pëlqejnë.

Kandidati rival, i Partisë Demokratike, Halim Kosova, ka një numër më të vogël fansash dhe kjo është e kuptueshme, pasi faqja e tij është hapur në momentin që u shpallë edhe kandidatura. Ai numëron 82 mijë njerëz që e pëlqejnë. Në faqen e Dr. Kosovës postohen foto nga takimet e tij elektorale në një ditë fushate. Duket që pas tij punon një staf i tërë, pasi fotot janë të zgjedhura me kujdes dhe teksti që shoqëron ato është shpjegues në lidhje me takimin që kandidati ka mbajtur. Një gjë vihet re në pamjen e Kosovës: që nga dita e parë kur ka filluar fushatën deri më sot, flokët e tij janë më të bardha. Duket që fushatë të lodh e të… zbardh.

 

Grida vs Vangjushi

Ëmbëlsira” Grida Duma Shqina ndoshta është kandidatja më sharmante për kryetare bashkie në historinë e Shqipërisë. Ajo numëron 124 mijë fansa në profilin e Facebook. Zonja Shqina në daljet e saj arrin të jetë vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Ajo prodhon lajm si kur flet, por edhe kur del në një gridaavangjushifotografi. Ndoshta vëmendja ndaj saj do të duhej të ishte pak më shumë e përqendruar në premtimet dhe programin që ka për qeverisjen e Durrësit, por në fund të fundit, ç’faj ka Grida që të gjithë e shohin nga fustani…

Kandidati i Partisë Socialiste për Durrësin, Vangjush Dako nuk është shquar më parë për aktivitetin e tij në Facebook, por fushata duket se e ka detyruar Dakon të bëhet edhe ai si “shokët”. Kjo shihet edhe nga “puna” e bërë për shtimin e njerëzve që e pëlqejnë. Ai ka 17 mijë fansa dhe këto ditë e kemi parë më aktiv se kurrë, qoftë me postimin e fotove dhe videove, por edhe me publikimin e pjesëve të ndryshme të programit. Madje në fillim të fushatës ai u prezantua në rrjetin social edhe më një foto familjare, ku shfaqeshin gruaja, djali dhe vajza.

Dritani vs Genci

Mjeku vlonjat Dritan Leli e ka për herë të parë këtë fushatë. Ai vendosi të braktis bisturinë për t’i shërbyer qyteti si bashkiak. Facebook për të është një terren i ri. Ai numëron 16 mijë njerëz që e pëlqejnë. Të gjitha takime e tij në Vlorë dhe në rrethinat e saj, postohen në Facebook. Si një njeri, i cili është mësuar të punojë brenda ambienteve të një spitali i veshur me përparëse të bardhë, këto ditë, Leli genc deromemajdritan leliduket se ka provuar çdo të thotë të garosh e të kërkosh vota në një qytet i cili për 12 vite është qeverisur nga të majtët dhe rezultatet nuk kanë qenë lartësinë e pritshmërive.

Kandidati i Partisë Demokratike në Vlorë, Genc Deromemaj duket se e ka kuptuar shumë mirë strategjinë dhe impaktin që ka rrjeti social. Profili i tij është vazhdimisht i përditësuar. Aty postohen foto dhe tregohet mbi takimet dhe bisedat që inxhinieri Deromemaj bënë më banorët e Vlorës. Në profilin e tij gjenden dhe intervistat e publikuara në media të ndryshme ku tregon se si do e ndryshoi qytetin bregdetar nëse fiton. Me një qëndrim të sigurt, krenar dhe tipare tipike për një vlonjat, për Gencin mund të themi se ka një ndër profilet më aktive në Facebook të kësaj fushate.

***

Të tjerët…

Do të ishte shumë i gjatë vëzhgimi ynë nëse do të udhëtonim në 138 profilet e kandidatëve për kryetar Bashkie. Xhelal Mziu i Kamzës mbanë kampion për numrin e postimeve. Në faqen e tij gjen shumëçka që ai do të shfaq. Që nga udhëtimet jashtë vendit, certifikimet, doktoraturat që merr e deri te takimet e së premtes me banorët e Kamzës. Për t’u përmendur është edhe gara online mes dy vajzave të veriut, Keti Bazhdarit të PS-së dhe Voltana Ademit të PD-së. Duket se kandidatet gra janë më të përmbajtura se kandidatët burra. Postimet e tyre nuk janë intensive, por janë të kontrolluara. Ashtu si në garën reale, kandidatët e qendrës së Shqipërisë marrin po aq shumë vëmendje edhe në rrjet, më pas sa vjen edhe vala bëhet më e butë, deri sa qetësohet aty ku ndikimi i Facebook-ut është i papërfillshëm.

Share This Article
1 Comment
  • O gazeta Dita!
    Po konkuroni fort gazeten “ZERI”, I keni bere xheloze.
    As ata vete nuk I japin kaq shume hapsire Erion djalit sa i jepni ju.
    Avash se na velet. Gojet e liga thone qe Erioni eshte “Hallva e Tirones”. Konkurence e hapur me “Embelsiren e Durresit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *