Punimet artizanale nga duart e 53 mjeshtërve

redaktor

Dyqani i artizanatit “Nji marë, nji mrapsht” është një përpjekje dashamirëse e motrave Lloja për t’i krijuar hapësirë artit tradicional shqiptar të ndërthurur shpirtërisht edhe me modernen. Çdo gjë në dyqan është e bërë me dorë, ajo që kërkohet janë punimet unike dhe me gjeografi sa më të gjerë e sigurisht cilësore, miqësore me mjedisin, të ricikluara ose jo, por gjithsesi me materiale natyrore ose jo toksike.

Çeleste Harizaj është vlonjatja që kujdeset për shitjen e këtyre objekteve me rëndësi të veçantë kulturore e sigurisht ditët e punës nuk janë monotone sepse pasurohen gjithnjë e më shumë me histori, rrëfenja e njerëz që e duan artin dhe kanë botëkuptime të ndryshme. Për të kuptuar më shumë, ajo tregohet e gatshme të ndajë me ne ndjesitë që i japin orët e kaluara në këtë fole ku detaji bën diferencën.

Çeleste, përtej të qenurit një biznes, çfarë veçantie ka ky dyqan artizanati?

“Nji marë, nji mrapsht” është realizimi i idesë që kishin dy motrat arkitekte për të sjellë diçka të bukur dhe të veçantë, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim zakonisht në treg. Ka vetëm një vit që është hapur dhe është arritur që të krijohet një rrjet prej më shumë se 53 artizanësh nga e gjithë Shqipëria të cilët i sjellin punimet e tyre këtu. Vetëm një prej tyre, Lidia, është kroate por jeton në Shqipëri dhe i duket shumë interesante që të bëjë punime dore me tipare të kulturës sonë kombëtare. Në këtë dyqan çdo gjë është punuar me dorë dhe çdo detaj është trajtuar me shumë dashuri.

Si është arritur që të krijohet kaq shpejt një rrjet prej 53 artizanësh nga qytete të ndryshme të vendit?

Çeleste Harizaj
Çeleste Harizaj

Interesi për ta ruajtur kulturën dhe traditën tonë historike nuk është shuar plotësisht edhe pse nuk mund ta mohojmë se është zbehur së tepërmi sepse të rinjtë sidomos janë më të prirur drejt modernes. Por, këto kohët e fundit ne mund të flasim për tendenca që kanë në fokus të shkuarën, nostalgjinë, origjinalitetin dhe ndërthurjen e modernes me këto elemente. Kështu krijohet diçka e veçantë që ngjall interes për blerësin, sidomos për turistët e huaj. Duke parë që klientët e kanë vlerësuar këtë lloj arti, mjeshtërit e artizanatit janë treguar të papërtuar për t’i shpërndarë gjithandej punimet e tyre dhe duhet thënë se janë motivuar goxha teksa kanë gjetur mbështetje për t’i shitur punimet e tyre. Është interesant fakti që ky dyqan ka bashkuar me punimet e tyre edhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, si p.sh. në Amerikë, Itali, Kosovë, Kanada etj. Kemi disa mjeshtra nga Shkodra, Kruja, Gjirokastra, Saranda etj. Ata që na njohin u sugjerojnë miqve të tyre që të na vizitojnë dhe kështu zgjerohet rrjeti i klientëve.

Pse pikërisht ky emër?

Sepse synon të tërheqë vëmendjen në një mënyrë jetese, ku në fokus është e bukura për trupin dhe shpirtin, ku tradicionalja merr ngjyrat e së përditshmes dhe ku çdo letër, fill, gur, dru a penel shpreh një emocion, ku gjithkush gjen vetveten duke i mbetur besnik veçantisë. Nuk ka objekte të ngjashme apo të kopjuara, është gjithçka e veçantë dhe origjinale. Tradicionalja është e ndërthurur edhe me riciklimin. P.sh. një zotëri në Krujë mbledh materiale të riciklueshme dhe u jep formën e çantës. Po ashtu është edhe një stiliste e re, ajo quhet Bukuroshe, ka hapur disa pika ku mbledh material xhinsi që njerëzve nuk ju duhet më dhe i përdor ato materiale për të bërë çanta apo objekte të tjera.

Sa të interesuar janë të rinjtë për këtë lloj arti?

Ky është një lloj arti shumë interesant dhe i lirë, kërkon kreativitet dhe dashuri dhe shumë lehtë mund të realizosh objekte të veçanta. Po e vë re që shumë të rinj po e praktikojnë sepse ata munden të shprehin veten në këtë lloj arti që mund të bëhet edhe pa kosto. Ne komunikojmë me një vajzë 11 vjeçare dhe ajo sjell punimet e saj këtu, puno plastelinën në forma të ndryshme dhe e pjek, ajo ka realizuar shumë bizhu me plastelinë të pjekur, është e bukur dhe unike, kërkon që të jesh origjinale në ide.

Cilat janë objektet që tërheqin më shumë interesin e klientëve?

Më shumë të interesuar janë turistët e huaj dhe ata blejnë së tepërmi materialet e tezgjahut, mblesa, perde, qilima etj. Ne i marrim në një punishte që ka 38 vite që është hapur në Krujë. Shumë interes kanë edhe për materialet e ricikluara, është një tendencë që i tërheq gjithnjë e më tepër sepse çdokush ka në shtëpinë e vet material që nuk duhet më, por me pak imagjinatë ato mund të punohen dhe të rikthehen në një gjendje funksionale dhe interesante. Ne kemi këtu varëse të punuara me lule të thara, tavani i dyqanit është punuar me karton dyersh dhe ka formën e hojeve të bletës, shishet normale të ujit janë veshur me gurë të vegjël dhe zbukurime të tjera dhe janë shumë të veçanta për t’u parë, kemi vazo me komposto ftoi të cilat janë veshur me një beze të punuar në tezgjah dhe janë shumë tërheqëse për syrin, po ashtu kemi korniza që janë punuar me letër apo kartolina të llojeve të ndryshme që janë punuar me materiale nga më të ndryshmet, kemi ora me zinxhir biçiklete, varëse me tapa kënaçesh etj.

Po shqiptarët sa e vlerësojnë këtë lloj arti?

Shqiptarët janë të interesuar por përgjithësisht të huajt, turistët blejnë më shumë. Këto janë objekte qejfi, nuk janë mallra të domosdoshëm për jetën prandaj edhe klientët që vijnë kanë një nivel të caktuar kulturor dhe janë dashamirës të artit. Ata interesohen për historitë e objekteve, origjinën e tyre dhe kanë personalitete të veçanta. Kjo vihet re nga mënyra sesi komunikojnë, çfarë blejnë etj. Ka shumë klientë që vijnë këtu dhe rrinë më shumë se një orë, ata kërkojnë frymëzim dhe ndodh që pas disa kohësh na sjellin punimet e tyre. Shumë prej tyre bëhen kurioz teksa kalojnë.

dyqPo ju vetë jeni frymëzuar për të bërë punime të tilla?

Duke parë të gjitha këto objekte sigurisht që frymëzohem edhe unë, kam nisur të mbledh guaska deti dhe do punoj me to varëse dhe bizhu të ndryshme. Arti është një komunikim shumë i veçantë me veten dhe në raport me të tjerët arrin ta shprehësh veten në mënyra krejt origjinale prandaj do të doja që ne të rinjtë të mos mbajmë më statusin e dembelëve që e harxhojnë kohën në kafene, ka shumë mënyra për të bërë diçka dhe të ndihemi të dobishëm. Ne duhet t’i vlerësojmë ato që kemi sepse t’i hedhësh poshtë është gjëja më e lehtë që mund të bëhet. Ndoshta ne na trembin fillimet e diçkaje që duhet thënë se janë të vështira por është bukur të guxosh dhe të japësh për të tjerët qoftë edhe nga brendësia jote.

Share This Article
1 Comment
  • Ku ndodhet ky dyqan apo si mund te gjej 1 menyre kontakti me ju ju lutem?faleminderit paraprakisht.ana nga vlora artiste profesjoniste me materjale te riciklueshme dhe guackat e detit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *