Dërguar me sms
në numrin e redaksisë
Dita! Përshëndetje dhe disa sugjerime e konstatime krejt miqësore. 1. Efthim Brandi nuk vdiq 165 vjec. 2. Nuk ekziston dokumenti i pavarësisë. 3. Nuk dihet vendlindja dhe origjina e Skënderbeut. Dhe ne marrim në analizë botën antike. Në numrin e kaluar flitej për mundësinë e origjinës ilire të Aleksandrit të Madh, dhe jo vetëm të tij, gjëra me shumë pikëpyetje dhe tej mase të debatuara. Jetojmë në botën e internetit tashmë. Urime për Andrea Stefanin, është pena e duhur. Suksese.
Faleminderit i dashur lexues. Nuk ka dyshim se ndonjëherë bëhen edhe gabime. Në rastin e moshës së Efthim Brandit, në rubrikën e përditshme Enciklopedi, siç e merr me mend është gabim banal shtypi, nuk ka vdekur më 1982-in por një shekull në herët. Ndërkaq, ka ekzistuar një kopje e Dokumentit të Pavarësisë, shumëfishuar nga ministri (dhe firmëtar i 1912-ës) Hilë Mosi në kohën e Zogut, më saktë e shpërndarë në festimet me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 1937. Ka disa shpresa se origjinali mund të gjendet në Strugë. Le të shtyhemi pak prapa në kohë. Ekziston një teori që neve shqiptarëve na pëlqen, për origjinën ilire të Aleksandrit përmes së jëmes Olimpia. Po ashtu ka një tezë mbizotëruese për vendlindjen dhe origjinën e Skënderbeut, në Çidhnë në Dibrës, por ka dhe disa teori alternative. Diskutimi i gjërave të debatueshme është zanati i medias, dhe teoria se jemi në epokën e internetit nuk nënkupton gjetjen e vërtetësisë absolute, pasi edhe në internet njerëzit i hedhin materialet. I dashur, punojmë maksimalisht që çdo faqe e gazetës të ketë materiale në lartësinë e duhur, ndonjëherë disa tekste disave nuk u duken të tilla, por ju falenderojmë për vëmendjen dhe skrupulozitetin. Jeni, me fjalë të tjera, një lexues ideal.
Respektet e stafit, zv.kryeredaktori Alqi Koçiko.
