Kohë më parë u vura të shkruaja për një politikan nga krahu i djathtë i cili ishte ndryshe nga ajo shpurë baltosësish, paraqitja e të cilëve të enjteve trazon keqas çdo ndërgjegje shqiptari. Dhe syri më shkoi te deputeti Dashamir Shehi që gjithnjë më është dukur sikur më kot lodhet duke kërkuar, vendosur, gjetur notat e përbashkëta me kolegët e vet të djathtë, të cilët mbrojnë me çmenduri marrëzitë e veta. Unë zgjodha Dashamir Shehin, por fare mirë në atë kohë mund të kisha zgjedhur edhe një emër tjetër të këtij krahu, fjala vjen, doktor Halim Kosovën. E vlerësoja si mjek, rruga e tij për të hyrë në politikë erdhi aq natyrshëm sa shumëkush mendonte se ai ishte aty në mënyrë aksidentale, duke menduar se Partia Demokratike është në krizë vlerash pas asaj humbjeje dy vjet më parë. U bë ministër për pak kohë, pastaj fare pa sforco u zgjodh deputet e një vit e gjysëm më pas u vu në garë për bashkinë e Tiranës. Fare thjesht e paska patur doktor Halimi, ndërkohë që të tjerët janë rrekur vite të tëra nëpër dyer e nëpër mitingje për të qenë në struktura të një rangu më të ulët të kësaj partie, e ajo që e kompromenton këtë figurë për pozicionin që ai po rreket të fitojë, është fakti se të tjerët që e kanë sulmuar atë pozicion kanë qenë figurat më eminente të kësaj partie të cilët edhe ishin thinjur aty. Ekuacioni ndërlikohet më tej, kur askush tjetër nga kjo llogore nuk pranoi të bëhet pjesë e kësaj gare. Arsyeja mund të jetë fare e thjeshtë; kandidati ka nisur një udhë të cilën e ka humbur që në nisje. E përse e ka të humbur këtë betejë mjeku i mirënjohur Halim Kosova? Si u gjend një ditë ky njeri në portën e kësaj partie, kur për 25 vjet rresht ai nuk i është afruar asnjë force politike? Dhe u gjend pikërisht në atë krah, kur edhe më fanatikët e saj po dilnin nga ky rreshtim, politika e të cilëve për tetë vjet kishte sjellë gremisjen e shtetit në një katrahurë. Ai i ishte futur një valleje nga e cila nuk del dot edhe nëse paguan, sjellja e tij në sallën e Kuvendit nuk dëshmoi se kemi të bëjmë me një njeri politik, paraqitja e tij ndaj medias ka qenë e ftohtë dhe ai njeri ndihej mirë kur shumëkush për të etiketuar portretin e tij, e quante thjesht “babaxhan” dhe brenda këtij përcaktimi ai ndihej komod.
Shumëkush ka ndjerë keqardhje për rreshtimin e këtij njeriu në politikë. Ai do të kishte mbetur një njeri i nderuar brenda profesionit të vet, por ku dreqi flinte ai djall që e tundoi të pranojë të konkuronte për bashkinë e Tiranës!? Ndoshta ai vetë e ndjeu më herët se rreshtimi i tij ishte i gabuar dhe tërheqja do të ishte tej mundësive të gjunjëve të veta, ka zëra që thonë se ishte bërë pishman që kishte hyrë në atë sallë, e ndoshta humbja përballë rivalit të majtë e largon atë përfundimisht nga politika. Ai largohet me heshta të thyera, me moral të përfolur, ai largohet nga një betejë që as vetë nuk e di si u gjend aty, por, nga ana tjetër, ka zëra për ndonjë dosje të tij që “gabimisht” mund të jetë në sirtarët e “dosje-mbajtësit të përbindshëm”, Sali Berisha. Doktori i vogël nuk ka takatin të bëjë ndryshe përballë atij të madhit, i cili e futi në gardhin e vet dhe e përdori për të përgatitur edhe alibinë e humbjes në bashkinë e Tiranës. Mua më vjen sinqerisht keq për mjekun e thinjur Halim Kosova, por e di mirë se edhe atij i vjen keq për veten. Ai ndihet keq sa herë që flet para qytetarëve të Tiranës dhe nuk mundet dot të ndihmojë forcën e vet politike, të cilët, nga ana tjetër, edhe e kanë lënë të vetëm në këtë përballje. Ai nuk ka asnjë bilanc të partisë së tij që të mbrojë, nuk ka asgjë në torbën e udhëtarit me të cilën të mburret, ai i largohet gjithnjë debateve ku mund të diskutohet për partinë e vet, për kryetarin e vet që ishte edhe kryetar i bashkisë së Tiranës dhe vjen në këto zgjedhje me një bilanc negativ sa askush tjetër e gjetkë. Ndaj e ka braktisur Tiranën kryetari Basha, por doktor Kosova kërkon të veshë një kostum që i rri aq ngushtë, sa ai mezi pret të mbarojë kjo fushatë e mallkuar dhe ai të kthehet te puna e tij të cilën e bën mirë. Kërkoi një taraf të ri, por ndenji keq aty. Ndoshta edhe të tjerët që e ftuan, e deshën aty vetëm për një kohë të shkurtër, derisa të pësojnë të djathtët edhe një humbje tjetër katastrofike dhe pastaj doktori do të largohet nga SHQUP-i, duke i kërkuar vetes të mos e kthejë kokën pas. Ata derë ai nuk do të kërkojë ta shohë më, ajo derë i solli aq andrralla e kokëçarje të cilat ai nuk mund t’i përballojë dot. Se u tha e u stërtha, madje ai vetë e pati si lajtmotiv, si armën më të fortë në këtë përballje faktin se ai është një menaxher i zoti, madje edhe e ka dëshmuar këtë gjë.
Edhe unë mund ta pranoja një fakt të tillë, por kjo është krejt e pamjaftueshme për të qënë në krye të një qyteti të madh si Tirana që ka një mijë e një probleme të bartura. Doktori paska qënë drejtor spitali, ka drejtuar me ndershmëri, transparencë, por jo gjithçka që ai ka artikuluar ka qenë bindëse për qytetarët. Se ja, një pyetje unë mund t’i drejtoja doktorit për atë ndërtesë katërkatëshe, një klinikë private që ka një vlerë 2,6 milion euro. Eshtë një pyetje që edhe ai vetë nuk do të donte t’ja kujtonte kush, por dreqi sikur aty të shpie. Si e paska ndërtuar këtë klinikë ky njeri që gjithë jetën paska qenë i punësuar në shtet? Një lugë çorbë e gëlltitur dikur! Kanë dalë fjalë në shtyp për abuzime në maternitetin ku ai ka drejtuar. Askush nuk mendon se modeli i mjekut Kosova është modeli i duhur për ta votuar më 21 qershor. Ka qënë brenda një konflikti interesi ish-drejtori se paradite që punonte në shtet, mblidhte pacientët për t’i orientuar në një klinikë moderne që rastësisht ishte e drejtorit. Se skaneri në shtet nuk punon, aparati i grafisë ka një llampë të djegur, se edhe stetoskopi i mjekut nuk i punon mirë paradite, pra, paradite në punën e shtetit, se edhe termometri u thye dreqi e mori, por pasdite gjithçka e ke si në pëllëmbë të dorës. Se një dashamirës nga Zvicra i paska dhënë një dorë! (Ndërsa unë i ziu nuk po gjej dot vetëm 50 mijë lekë për të botuar një libër me poezi). Nuk e di ç‘emër do t’i shkonte për shtat këtij modeli, por unë nuk do të hezitoja ta quaja një abuzim i pastër, një vjedhje ashiqare dhe shqiptarët vetëm për këtë arsye nuk mund ta votojnë doktor Halim Kosovën. Një arsye e fortë dhe e mjaftueshme për të mos sjellë njerëz të tillë që, pasi e molën lopën e shtetit, shiten si modele të cilët edhe kërkojnë të katapultohen në politikë. Shumëkush kërkon të dijë se si je bërë milioner dhe përvoja në Shqipëri ka treguar se askush nuk bëhet i pasur me rrogën e shtetit, se të tillë i bëri korrupsioni, i bëri politika, i bëri pushteti. Dhe doktori që gjithë ditën flet se çfarë do të bëjë nëse ne i japim votën për kryetar bashkie, por ai nuk mund t’i përgjigjet dot pyetjes asgjësuese se si u pasurua! Ai u bë zengjin fare kollaj; e kishte lidhur shërbimin e tij në spitalin shtetëror me një “pus” privat i cili prodhonte vazhdimisht para. Ai nuk e ka vënë askund stetoskopin pa u tundur më parë paratë edhe pse ato pare hallexhiu vinin era djerse, gjaku, dhimbjeje e loti. Ishte koha e artë për mjekët, prokurorët, gjyqtarët, një kategori zyrtarësh, por që sot minimalisht të mos hiqen si heronj e të japin leksione se si po e përfaqësojnë ata denjësisht kapitalizmin në Shqipëri.
Sigurisht që doktor Halimi nuk është i vetëm nga bluzat e bardha që puna në mjekësi i ka pasuruar, dha ata janë modelet më të shëmtuara se si janë pasuruar në kurriz të hallexhinjve shqiptarë e në kurriz të shtetit të cilën e kanë trajtuar si një lopë. Por, ndërsa halimët e tjerë nuk ndihen, por rrinë urtë duke i bërë hysmet punës së tyre, doktor Kosova tentoi të hyjë në politikë dhe doli keqas. Ai vetë e di se është vetëdemaskuar, se ligjëratat e tij kanë prodhuar jo pak barcaleta për konsum urban dhe mbi të gjitha, ai i ngjan atij gjuetarit që me një pushkë të shqyer, vrau një lepur të ngordhur të cilin e zjeu në një enë pa fund!

“…gjuetarit që me një pushkë të shqyer, vrau një lepur të ngordhur të cilin e zjeu në një enë pa fund! ”
Mjafton kjo.
Z. Durmishi, urime per artikullin. Nuk e morem vesh ca profesioni keni, ne emer te kujt flisni (dhe perso al, pse jo), dhe cfare pune keni pasur.
Bravo Z Dyrmishi.ke bere Scanner te Dr Kosoves. Une jam nje mjek qe kam punuar ne urgjence per me se 40 vjet ne Tirane dhe nuk munda te bej jo nje klinike, por as te blej, ndonje aparat per ekzaminime sipas specialitetit. Nuk eshte i vetem Dr Kosova qe ka mjelur lopen me emer shtet. Po te jap edhe disa emra te tjere qe se bashku me DR kosoven kane shkateruar mjekesine shpiqtare duke filluar nga Saliu, Dritani, Mentori etj, pa fund. Nuk e di se me sa kurajo kandidon per te drejtuar Tiranen kur ka drejtuar vetem maternitetin. Shko shife sot maternitetin dhe a dallon dot ndonje gjurme te Halimit. Mund te vazhdoja edhe me por Dr halimi duhet te dije se nuk ja vlen te luftosh per kauzen e atyre qe shkateruar Shqiperine dhe Tiranen sepse eshte kauza e faqezinjve.