Qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj të ri për inspektimin financiar i cili synon mbrojtjen e interesave financiare të njësive publike kundrejt keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit, vjedhjes, shkatërrimit të pronës, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit.
Të drejtën për të nisur një hetim e ka edhe presidenti apo dhe kryeministri. “Burimet e kërkesës, informacionit apo ankesës janë: a) kërkesa nga Presidenti i Republikës; b) kërkesa nga Kryeministri; c) kërkesa nga ministri i Financave; ç) kërkesa nga Kontrolli i Lartë i Shtetit; d) kërkesa nga Prokurori i Përgjithshëm; dh) kërkesa nga titullarët dhe nëpunësit autorizues të njësive publike; e) kërkesa nga OLAF-i; ë) informacione për parregullsi nga auditimi i brendshëm; f) informacione të menaxhimit financiar dhe kontrollit; g) ankesa nga punonjës në sektorin publik apo privat; gj) ankesa nga çdo person fizik/juridik”, thuhet në draft.
Në ndryshim nga ligji aktual, parashikohet që inspektimet financiare të realizohen kryesisht me punonjës të njësisë përgjegjëse për inspektimin financiar publik dhe vetëm në raste të veçanta mund të angazhohen punonjës të administratës publike dhe ekspertë të jashtëm.
Projektligji parashikon që subjekt i inspektimeve financiare publike të jenë: njësitë e qeverisjes së përgjithshme; shoqëritë shtetërore, organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme, ose në të cilën, një njësi e qeverisjes së përgjithshme, zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë, e cila i jep të drejtën e kontrollit; çdo person fizik apo juridik, vetëm për fondet që përfiton nga buxheti i shtetit, Bashkimi Evropian apo fondet në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku përfitues është shteti shqiptar.
