Dy fëmijë, përkatësisht të moshës 12 dhe 16 vjeç kanë qenë pre e një sulmi nga një peshkaqen në Karolinën e Veriut, SHBA.
Ngjarja ka ndodhur ditën e dielë, e dy rastet u regjistruan me një diferencë kohore prej 90 minutash.
Skena që përshkruhet nga dëshmitarët ka qenë e tmerrshme.
Dy të miturit kanë qenë duke u larë në det në momentin kur në ujërat e detit është shfaqur një peshkaqen, i cili ka gjymtuar fëmijët.
Vajza 12-vjeçare si pasojë e sulmit ka humbur një pjesë të krahut të majtë, e mund të humbasë edhe këmbën. Ndërsa djali 16-vjeçar ka humbur krahun e majtë.
Në ndihmë të fëmijëve u kanë ardhur menjëherë pushuesit e tjerë, të cilët kanë lajmëruar edhe ambulancat.
Ndërkohë autoritetet vendore po patrullojnë me helikopter nga ajri për të identifikuar vizitorin e padëshiruar që vuri në panik pushuesit.
Gjatë ditës së sotme zyrtarët e qytetit do të takohen për të vendosur nëse do të mbyllet zyrtarisht ky plazh për publikun.





