Belgjika hedh në gjyq Facebook

redaktor

Rregullat e reja të privatësisë të vendosura nga Facebook në fillim të këtij viti kanë tërhequr vëmendjen e Belgjikës, por mosdhënia e llogarisë nga ana e rrjetit social ka përfunduar në gjykatë

Privatësia 

Jo shumë njerëz ishin të vëmendshëm në janar, kur hyri në fuqi politika e re e privatësisë së Facebook. Por Komisioni i Belgjikës për Mbrojtjen e Privatësisë ia vuri veshin dhe i kërkoi Facebook të shpjegonte qëllimet e veta.

Facebook refuzoi të përgjigjej sipas belgëve, sepse çështjet e privatësisë së kompanisë në Europë janë nën juridiksionin e ligjeve irlandeze aty ku gjendet selia operacionale e Facebook.

Belgëve nuk u pëlqeu kjo. Muajin e shkuar, Komisioni Belg i Privatësisë publikoi një raport ku thoshte se “Facebook shkel ligjet e privatësisë europiane dhe belge në disa pika”.

Nga ana tjetër, Facebook i qëndron mendimit se ai nuk ka nevojë t’i japë llogari një autoriteti belg, arsye për të cilën komisioni ka vendosur ta hedhë atë në gjyq. Willem Debeuckelaere, kryetar i komisionit belg, u shpreh:

“Ne u kërkuam atyre të na tregonin se çfarë do të bënin me rekomandimet tona. Ata u përgjigjën se nuk pranojnë ligjin belg dhe autoritetin e Komisionit Belg të Privatësisë dhe se e gjitha kjo është një keqkuptim.”

Ai vazhdoi duke shpjeguar se ky ishte çasti kur ata e çonin çështjen në gjykatë. “Sjellja e Facebook nuk duhet toleruar. Ne patëm një fletëthirrje javën e shkuar për Facebook në Belgjikë, Irlandë dhe SHBA.”

Problemi gjendet në dy elemente kyçe të punës së Facebook. I pari është në lidhje me butonin “pëlqej” dhe tjetri për kodin e mbledhjes së të dhënave në uebsajte dhe kudo në internet.

Si rezultat i këtyre, Facebook mund të mbledhë të dhëna për përdoruesit e internetit, pavarësisht nëse ata janë ose jo pjesë e rrjetit social.

Më e rëndësishmja është se kjo mbledhje e të dhënave kryhet pa dhënien e miratimit, që sipas ligjit belg dhe europian nuk është e lejueshme.

Facebook publikoi një kundërshtim të gjatë ndaj ankesës së Belgjikës, duke thënë se raporti keqkuptonte mënyrën si Facebook përdor informacionin e marrë nga shërbimi që i jep më shumë se një miliard njerëzve kudo në botë.

Një zëdhënës i Facebook u shpreh se kompania “ishte e befasuar dhe e zhgënjyer” që, pavarësisht se kishin rënë dakord të takoheshim më 19 qershor, komisioni ndërmori veprimin teatral për ta çuar degën Facebook në Belgjikë në gjykatë.

“Megjithatë ne kemi besim se çështja e ngritur nga komisioni belg nuk ka meritë, ndaj mbetemi të lumtur të punojmë me ta për të zgjidhur shqetësimet që kanë, përmes një dialogu që do të zhvillohet në degën e Facebook në Irlandë dhe me rregullatorin tonë, Komisionerin Irlandez të Mbrojtjes së të Dhënave”, u shpreh zëdhënësi.

Facebook dhe të tjera rrjete sociale e kanë selinë në Irlandë, pasi ky vend ka taksa të ulëta, por gjithashtu ofron rregullime për mbrojtjen e të dhënave. Ligji europian thotë se nëse këto kompani respektojnë ligjet vendase, ato mund të operojnë të pashqetësuara kudo në Bashkimin Europian. Por ligjet e mbrojtjes së të dhënave në Irlandë dihet se janë më të lirshme se ato në pjesën tjetër të kontinentit.

Mosmarrëveshja buron nga një ndryshim themelor në mendim. Refuzimi i Facebook për t’u marrë me Belgjikën vjen nga besimi se nuk duhet t’u japë përgjigje të njëjtave pyetje në mënyrë të vazhdueshme në çdo vend që operon brenda Bashkimi Europian.

Belgjika beson se kompania nuk duhet të jetë në gjendje të thyejë rregullat e brendshme. Rezultati i kësaj mosmarrëveshjeje është një çështje gjyqësore.

Më herët, Wall Street Journal raportoi se 10 nga aplikacionet më të njohura të Facebook kanë transmetuar të dhënat personale të përdoruesve në dhjetëra kompani reklamuese dhe gjurmuese të internetit.

Sipas të njëjtit burim, kjo rrjedhje të dhënash ka prekur edhe përdoruesit që pretendojnë se i kanë fshehur të gjitha të dhënat personale.

Ndër informacionet që po transmetohen te palë të treta janë edhe numrat identifikues unikë të një përdoruesi të Facebook. Përmes identifikimit të këtij numri unik kushdo mund të kërkojë të dhënat e një profili edhe nëse ky është privat. Të dhënat që shpërndahen përmes Facebook ID janë mosha, banimi, puna dhe fotot.

Aplikacionet e Facebook po shpërndajnë këto numra ID te të paktën 25 kompani reklamimi dhe firma të dhënash, duke ndërtuar profile për përdoruesit e internetit në bazë të aktivitetit të tyre online./Shqip-Quartz

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *