Faza përgatitore e të kuqve po vijon me ritmin e duhur, teksa është luajtur edhe miqësorja e parë kundër Renovës së Tetovës. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova ka triumfuar me rezultatin 2-1 kundër ekipit shqiptar të Maqedonisë. Ditmar Bici e ka nisur si titullar këtë takim, ndërsa është vënë re mungesa e sulmuesit Sebino Plaku në formacionin e “demave”. Golat për Partizanin janë shënuar nga Fazlliu dhe Raçiç, por në fund Vila ka humbur edhe një 11-metërsh.
Pjesa e parë nis me golin e Renovës. Është Emini që gjen rrugën e rrjetës në minutën e 10-të. Më pas Partizani përmirëson lojën e tij dhe shënon golin e barazimit me Astrit Fazlliun në minutën e 30-të. Por, kur u mendua se pjesa e parë do të mbyllej me shifra të barabarta, është serbi Stevan Raçiç që shënon golin e dytë për të besuarit e Sulejman Starovës.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes Partizani dhe Renova kryejnë zëvendësime të shumta. Për të kuqtë në tapetin e blertë vendosen Krasniqi, Raduloviç, Trashi, Bylykbashi, Vrapi, Daja, Xhika, Vatnikaj dhe Bardhi. Ky i fundit fiton dhe 11-metërsh në minutën e 85-të, por Emiljano Vila e gjuan jashtë.
Kjo ndeshje u luajt në Ohër të Maqedonisë, ndërsa skuadrat do të takohen sërish pas 5 ditësh në të njëjtin vend, për të zhvilluar miqësoren e dytë mes tyre. Këto ndeshje janë planifikuar disa ditë më parë në kuadër të përgatitjeve për Europa League, pasi të dy ekipet do të marrin pjesë në këtë kompeticion.
