Nesër zbardhet kalendari për sezonin e ri të Superiores

redaktor

Kalendari i Kategorisë Superiore për sezonin 2015-2016 do të zbardhet këtë fundjavë. Të premten (nesër), në orën 11:00, në ambientet e FSHF-së do të hidhet shorti, ndërsa njoftohet se pjesëmarrës do të jenë presidentët e klubeve dhe sekretarët e tyre.

Elita e futbollit shqiptar ka në përbërje 10 skuadra, që do të përballen 4 herë me njëra-tjetrën, gjatë sezonit të ri futbollistik. Kjo skemë kampionati është vënë në funksion vite më parë në Superiore, ndërsa u rikthye në sezonin 2014-2015, duke u quajtur edhe më efikasi në dekadën e fundit në futbollin e vendit tonë. Sipas platformës, dy fazat e para luhen përpara mbylljes së vitit kalendarik dhe dy fazat e dyta luhen nga janari deri në majin e 2016-s, në total 36 javë.

Përpos kësaj, pritet të bëhet publike dhe logoja e re e Kategorisë Superiore, e cila u diskutua një muaj më parë në ambientet e FSHF-së mes përfaqësuesve të klubeve dhe atyre të institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë.

Pjesëmarrës në kampionatin e 77-të kombëtar të futbollit në Shqipëri janë këto skuadra: Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Tirana, Laçi, Flamurtari, Vllaznia, Teuta, Bylis dhe Tërbuni. Ndërkaq, ekipi që e provon për herë të parë pjesëmarrjen në këtë kategori është Tërbuni. Pukjanët arritën të ngjiteshin në elitë për herë të parë në historinë e tyre 79-vjeçare në futbollin shqiptar, ndërsa Bylisi rikthehet pas një viti mungesë mes më të mirëve si triumfues i Kategorisë së Parë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *