Ilir Kalemaj
Si e parashikoni fushatën elektorale? (OSBE ka thënë se do të jetë e egër)…
Fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 duket të jetë një nga fushatat më intensive në formë, organizim dhe përballje dhe kjo natyrisht ia shton ‘egërsinë’ perceptive në opinionin publik, por edhe raportet e ndërkombëtarëve që parashikojnë një fushatë vërtet të ndezur. Mendoj që kjo ka disa arsye kryesore. Së pari, eksperienca relativisht e gjatë që kanë në politikë aktorët kryesorë në vend, eksperienca që kanë akumuluar, e kombinuar me metodat dhe teknikën më të fundit falë dhe këshilluesve ndërkombëtare, kryesisht amerikanë, bëjnë të mundur një betejë të zhurmshme, të ashpër dhe me tone të forta që synojnë rreshtimin e anëtarësisë dhe thithjen e një numri sa më të madh nga elektorati gri.
Së dyti, beteja e ardhshme elektorale sjell një risi se dy liderët kryesorë politikë, z. Berisha dhe z. Rama janë në një ‘luftë për jetë a vdekje’ politike, çka nënkupton që disfata në zgjedhje e njërës palë, sjell dhe pensionin politik të atij që humbet dhe hap mundësinë për ristrukturim total të partisë respektive. Ndërsa pala që fiton zgjedhjet ka të drejtën morale, publike dhe legjitimitetin e duhur për të qeverisur vendin katër vitet e ardhshme.
Natyrisht kjo sjell faktorin e tretë të rëndësishëm që është përcaktues për fatin e mbarmë të zgjedhjeve që është roli që do kenë forcat apo forcat e treta që do mundësojnë krijimin e qeverisë së re, duke qenë se ky lloj sistemi zgjedhor me këtë kod elektoral të imponojnë disa realiteteve të paracaktuara. Fakt i provuar edhe nga zgjedhjet e mëparshme është që ky sistem krijon një përfaqësim më të drejtë rajonal dhe humbet monopolin e një force të vetme mbi një qark të caktuar, krijon një opozitë të fortë në numra por të paaftë për të rrezikuar stabilitetin qeverisës në katër vitet e ardhshëm dhe një apo dy forca politike të cilat janë kritike për formimin e mazhorancës solide. Gjithashtu kjo diversifikon ofertën politike por njëkohësisht shërben si garanci e një qeverisje të qëndrueshme ndërkohë që forcat parlamentare janë të kufizuara në një numër të caktuar duke penguar ‘kërpudhëzimin’ dhe anarkinë politike. Deficenca të sistemit natyrisht janë mungesa e demokratizimit të brendshëm, imponimi i preferencave të kryetarëve mbi listat elektorale, që sjell kufizim demokratik të votuesit etj, por që në shumatore sjell një luftë më pak të ashpër në terren se mazhoritari i pastër dhe sistem më të ekuilibruar dhe stabilitet më të qëndrueshëm politik se proporcionali i pastër.
Të gjithë faktorët e nënvizuar më sipër të bëjnë të besosh se ndonëse më agresive dhe e egër në formë dhe retorikë, në përmbajtje dhe diferencime ideore, vlerore, programatike por edhe në rezultat të përgjithshëm kjo fushatë do jetë relativisht brenda normalitetit. Kjo edhe si rezultat i kondicionimit të fortë të ndërkombëtarëve ku Bashkimi Evropian në përgjithësi por edhe vende të veçanta si SHBA, Hollanda etj, kanë vënë theksin te organizimi i zgjedhjeve sa më të drejta si parakusht për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe rrugëtimit të saj si vend kandidat.