Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma Shqina njihet për finesën e saj kur bëhet fjalë për stilin dhe duket se në këtë pjesë i kupton shumë mirë hallet e vajzave durrsake!
Pikërisht për të premtuar diçka në këtë fushë ajo ka vendosur që të bëjë një takim kokë më kokë me tregtarët tek të cilët ka kërkuar ulje çmimi të bizhuve pasi ky është një prej premtimeve të saj për vajzat me stil, si vetë ajo! Në këmbim, Duma u ka premtuar tregtarëve ulje taksash, dhe shtim të fuqisë blerëse! Vetë tregtarët u ankuan jo vetëm për mungesën e fuqisë blerëse, por edhe për taksat e larta, ç’ka ka bërë që nga 1300 biznese që ishin në këtë treg, kanë mbetur vetëm 700.
Ky treg u përmbyt dy ditë më parë duke i vendosur në një situatë edhe më të vështirë tregtarët e tregut më të madh të Durrësit. Në profilin e saj në Facebook, Grida ka postuar foto nga takimi dhe nuk dihet pse, por shihet se shumë nga ndjekësit e saj i kanë postuar këngën me titull “Vajza si ty Durrësi ka plot”, të këngëtarit që mban pseudonimin Vagabondi.
