I nderuar lexues! Gdhendja e drurit ka tradita të lashta në artin popullor shqiptar. U zhvillua sidomos në viset kodrinore e malore të pasura me pyje. Në zanafillë ishte mjeshtri e barinjve, të cilët punonin me zbukurime veglat muzikore, djepat, kutitë, rrathët e këmborëve etj. Si mjeshtëri shtëpiake plotësonte nevojat e jetës familjare. Punimi artistik i drurit si profesion u zhvillua në disa krahina. Mjeshtrat e përmendur dibranë, të Shpiragut (Beratit) dhe ata të Shqipërisë juglindore e ngritën artin e gdhendjes së drurit në shkallë shumë të lartë dhe krijuan vepra të vërteta artistike. Nga fundi i shek.XIX e më tej arti i punimit artistik të drurit u zhvillua edhe në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Gjirokastra.
