Mos i shiko gunën, por punën. Dakord me urtësinë popullore. Por ama gjithmonë ka kuriozitet për të parë se si vishen personalitete të politikës sa herë që ka ditë të veçanta, teksa shfaqen në publik. Disa prej tyre e njohin shumë mirë këtë formë komunikimi me masën dhe për këtë arsye i kushtojnë shumë vëmendje pamjes së jashtme, ndërsa të tjerë janë më indiferentë në këtë drejtim.
21 qershori ka vendosur në qendër të vëmendjes politikanët teksa shkojnë të votojnë në qendrat e tyre të votimit. Disa të shoqëruar nga bashkëshortet dhe bashkëshortët, e disa jo, janë bërë objekt komentesh në rrjetet sociale.
Kështu, shumë prej tyre zgjodhën të jenë tërësisht zyrtarë, ndërsa disa të paktë qenë ata që parapëlqyen ta thyejnë formën klasike e të veshurit. Kemi bërë një përzgjedhje të personaliteteve më në zë të politikës duke komentuar mbi veshjet e tyre. Ka patur ngjyra, simbolike dhe stil…
Kryeministri Rama dhe bashkëshortja Linda
Çifti kryeministror është i njohur për të theksuar detaje dhe simbolika në pamjen e tyre në pothuaj çdo shfaqje publike. Shpirti i artistit tek Kryeministri nuk është shumë e vështirë të shquhet, aq sa edhe në shfaqjen e tij në 21 qershor nuk mund të mbetej pa u komentuar veshja dhe mesazhi që përcjell.
Në fotot e qarkulluara në media është komentuar gjatë edhe veshja me të cilën ata zgjodhën të shkonin në qendrën e votimit. Kreu i qeverisë, gjatë gjithë fushatës ka mbajtur bluzën simbol të forcës së majtë dhe numrin 23. Ndërsa të dielën, zgjedhja ishte ndryshe, por pa u larguar nga simboli i forcës së tij politike. Kryeministri Rama kishte veshur një bluzë me basketbollistin Michael Jordan, i cili ka mbajtur numrin 23 në fanellë gjatë gjithë karrierës së tij sportive. Pa u larguar nga sporti, por as nga forca e tij politike, duket se Rama ka treguar stil edhe një herë tjetër në veshje. Jo më pas mbetet e shoqja, e cila po ashtu njihet për shijen e hollë në veshje. Stilin ekstravagant dhe jashtë tradicionales, zonja Rama e ka sjellë një kombinim të grisë me portokalli gjë që kombinohej me këmishën gri të kryeministrit.
Erioni dhe Ajola

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, me të cilën i ka pasur të rralla daljet në publik gjatë fushatës elektorale, kandidati i mazhorancës për Tiranën, Erion Veliaj, ka votuar në Shkollën “Fan S. Noli”, në njësinë nr. 2. Mjaft entuziastë në qëndrim dhe kapur për dore, ata patën zgjedhur të vishen, pothuajse, në ngjyrat kombëtare. Veliaj nuk u paraqit me kostum, pavarësisht se pati përshtatur pantallona dhe xhaketë klasike, duke parapëlqyer ngjyrën e errët, por jo të zezë të tyre, thyer nga këmisha e bardhë. Kjo veshje ishte ndryshe nga ajo që ka mbajtur gjatë fushatës: Me pantallona dhe këmishë me mëngë të përveshura, një stil ky i huazuar nga Amerika. Ndërsa Ajola spikati me një nuancë të së kuqes së shegës në një fustan relativisht të gjatë dhe me një kapje të natyrshme flokësh, si dhe me një theksim mjaft natyral të tipareve. Në këtë mënyrë, çifti qëndron bindshëm brenda karakterit të tij.
Halim Kosova dhe bashkëshortja e tij, Elsa

Halim Kosova, kandidati i APPD-së për bashkinë e Tiranës, ka dhënë votën e tij paraditen e së dielës. I shoqëruar nga bashkëshortja, Elsa, Kosova ka votuar në njësinë nr.5 të kryeqytetit. Pavarësisht veshjes serioze, në xhaketë blu dhe këmishë të bardhë, në këtë çift bashkëshortësh, ajo që i kishte kushtuar më tepër rëndësi stilit, ndonëse thjeshtësisht, ishte e shoqja, veshja e së cilës përmbante kuadrate të vegjël, formësuar me ngjyrat e blusë së blertë dhe së bardhës. Tek ta nuk pritej ndonjë surprizë në veshje, qëndrojnë shumë mirë në këto tonalitet dhe që të dy transmetojnë pozitivitet.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Çifti Ilir Meta e Monika Kryemadhi erdhi me stilin e vet.
Ilir Meta, në shoqërim të këmishës ngjyrë rozë të lehtë, kishte një xhaketë në të kaltër të fortë, sigurisht, pa kravatë, kurse Monika Kryemadhi kishte përzgjedhur ngjyrën e bardhë dhe mbylljen e plotë në prerje, duke munguar krejtësisht dekolteja.
Veshja ishte e thjeshtë dhe e bukur.
Klasi i Dumës dhe sportiviteti i tepruar i bashkëshortit të saj
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, asaj i mjafton të vesh gjënë më të thjeshtë dhe duket bukur. Kandidatja për kreun e bashkisë në Durrës, Grida Duma, shoqëruar nga bashkëshorti i saj, për të cilin nuk mund të shprehemi me të njëjtin vlerësim, kishte zgjedhur një veshje që i jepte shkëlqim dhe bukuri. Grida spikati me zgjedhjen e saj, pavarësisht ngjyrës së kaltër të lehtë në gri, një veshje midis fustanit apo kostumit, ndërkohë që bashkëshorti i saj ishte veshur në pantallona dhe këmishë. Këtë të fundit kishte parapëlqyer ta vishte në mënyrë sportive, edhe pse ishte klasike, veshur, ndër të tjera, mbi një tjetër bluzë. Si përfundim, nuk mund të themi se bashkëshortët ishin në harmoni. Këtë të dy nuk kombinonin me njëri-tjetrin në veshje. Ndoshta Grida duhet të kujdesej pak për njeriun që do e shoqëronte në qendrën e votimit, pavarësisht ngarkesës zgjedhore.
Lulzim Basha dhe familja e tij (mungon gruaja)
Kryetari i Bashkisë Tiranë për katër vitet që lamë pas, Lulzim Basha votoi familjarisht, por mungoi në kuadrin familjar, bashkëshortja e tij dhe prania e ngjyrave të ngrohta, gjithashtu. Ai vetë ishte veshur me pantallona të zeza dhe, sigurisht, këmishë blu të lehtë. As te Basha nuk pamë ndonjë surprizë, ai u shfaq brenda stilit të tij, të cilit i shkon më së miri. Në këtë ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë, ashtu si përherë mungoi zonja Basha, e cila për shkak të nënshtetësisë holandeze e ka të pamundur të votojë.
Ndërsa Sali Berisha, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, shkoi në votime krejtësisht ceremonial, brenda kostumit të zi dhe këmishës së bardhë, shoqëruar me ngjyrën simbolike të partisë së vet në kravatë, në ngjyrën e blusë së fortë. Pavarësisht buzëqeshjes karakteristike, në portretin e tij nuk ndihej entuziazmi i dikurshëm.
Presidenti heq kravatën, zonja Nishani elegante
Presidenti i vendit, Bujar Nishani dhe bashkëshortja e tij Odeta Nishani, siç edhe pritej, ishin së bashku dhe zyrtarë në veshje. Presidenti pati zgjedhur ta shmangë kravatën, kurse e shoqja e tij, përmes një vijëzimi të bardhë në skaje, por edhe stilit të fustanit, ishte përpjekur të shmangte zymtësinë e zyrtarizmit, duke u shfaqur me një dekolte të këndshme, e duke krijuar kornizën e një zonje elegante dhe dinjitoze.

Grida humbi Dursin po me siguri do ndertoje dhe burin per deri sa e ka nxjere SI kollovar dhe vete shume sexi
Niveli i gazetarise ne shqiperi eshte ma pak se gossip gazetat!