Kristo Zharkalliu
Emigrant, Athinë
Përshëndetje redaksia e “Ditës”. Është e vërtetë se marrëdhëniet e të dy vendeve fqinjë-popujt më të lashtë autoktonë të siujdhesës së Ballkanit, Greqisë dhe Shqipërisë, nuk
janë në nivelin e dëshiruar kohët e fundit dhe kjo për arsye të disa deklaratave të papërgjegjshme nga të dy anët. Por disa herë teprohet.
Askush nuk do të kërkonte të fshihet e vërteta dhe antishqiptarizëm ka pasur dhe ka në Greqi, por shqiptarët kurrsesi nuk duhet të bëjnë të njëjtën gjë në vendin e tyre, duke ngjallur antihelenizëm dhe urrejtje ndaj popullit grek.
Mosmarrëveshjet që ekzistojnë duhet të zgjidhen nga qeveritë përkatëse dhe sot kur Greqia është në një pozitë të vështire, nuk i ka hije shqiptarit të hedhë vaj në zjarr. Sigurisht duhet mbajtur qëndrim ndaj gënjeshtrave dhe shtrembërimeve politike historike nga disa qarqe shoviniste greke, por kjo të bëhet me armën e fuqishme të së vërtetës me gjakftohtësi dhe pa zmadhime të kota. Nuk ndihmon marrëdhëniet e të dy vendeve zmadhimi i çdo fjale që thuhet kundër Shqipërisë nga persona dhe kalemxhinj të papërgjegjshëm grekë që zakonisht janë shovinistë, racistë dhe fanatikë të besimeve fetare.
Të dy vendet tona kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të bashkëjetojnë edhe në të ardhmen pranë e pranë dhe ngjallja e çdo armiqësie do të dëmtojë të dy popujt prandaj të jemi të kujdesshëm kur themi fjalën tonë të mos çojmë ujë në mullirin e armiqësisë, urrejtjes dhe të përçarjes ndëretnike…..
