Ministria e Financave ka publikuar të dhënat fiskale të buxhetit të shtetit, të ardhurat si dhe shpenzimet e kryera në pesë muajt e parë të vitit. Sipas këtij publikimi, të ardhurat totale në buxhet ishin 151.9 miliardë lekë për 5 mujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5%, apo 7.3 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por tej këtij përmirësimi të mbledhjes së të ardhurave, sipas planifikimit të bërë janë 6.6 miliardë lekë më pak lëkë të mbledhura në arkën e shtetit. Në raport me 5 mujorin 2014, efektin kryesor në rritje e kanë dhënë të ardhurat jo tatimore dhe ato nga sigurimet shoqërore, që kanë ndikuar në 100% të rritjes. Të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 98.4 miliardë lekë, pothuajse e njëjta vlerë si janar-maj 2014 dhe 11 miliardë lekë më pak sesa financat parashikonin të mblidhnin në fillim të vitit.
Të ardhurat nga TVSH, zëri kryesor në buxhet shënuan një rënie prej 6.4%, në 47.1 miliardë lekë. Financat kanë shpjeguar se rendimenti i ulët i mbledhjes së TVSH-së lidhet me disa ndryshime strukturore të ekonomisë, si zhvendosja e një pjese të konsumit të karburanteve nga importi te prodhimi vendas, rritja e konsumit të duhanit të dredhur. Një tjetër element është dhe shtimi i prodhimit bujqësor, që ka zëvendësuar importin, por institucioni i financave pohon se pavarësisht humbjes në të ardhura në afatin e shkurtër, ky është një zhvillim pozitiv.
Tatimi mbi fitimin shënoi të ardhura prej 11.8 miliardë lekë, 24% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe 1.2 miliardë lekë më shumë se plani. Të ardhurat nga akciza ishin 13.9 miliardë lekë, me një rritje prej 11.2% me bazë vjetore, por 4.4 miliardë lekë më pak se plani. Të ardhurat nga TAP u rritën me vetëm 3.2%, në 11.2 miliardë lekë, apo rreth 3.2 miliardë lekë më pak se ajo që prisnin të mblidhnin financat pas rritjes së tatimit mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera nga 10 në 15% nga 1 janari i këtij viti. Akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale janë dy zërat që kanë ecurinë më negative në raport me planin.
Të ardhurat nga taksa nacionale ranë me 5.4% në 12.2 miliardë lekë (2.5 mld lekë më pak se plani), ku ndikimin kryesor e ka dhënë renta minerare (që ka rënë me rreth 1.8 miliardë lekë), si rrjedhojë e uljes së çmimeve të karburanteve. Të ardhurat nga pushteti vendor u rritën 6.1% dhe ato nga fondet speciale (sigurimet) me 13.3%.
Të ardhurat jo tatimore me ecurinë më të mirë
Zëri me ecurinë më të mirë këtë vit po rezulton ai i të ardhurave jo tatimore që është rritur me 40% në 14.9 miliardë lekë me bazë vjetore për 5 mujorin, duke u sjellë financave 3.8 miliardë lekë më shumë se plani i fillim vitit dhe duke amortizuar ndjeshëm rezultatin e dobët të tatimeve e doganave. Efektin kryesor në këtë zë vijon ta ketë muaji mars, si rrjedhojë e pagesës së licencave të telekomunikacioneve dhe rritjen e të ardhurave nga tarifat e universiteteve, pasojë e shtrenjtimit të tyre.
