Fushata elektorale la pas shumë mbeturina, duke filluar që nga posterat dhe flamujt e vegjël e deri tek banderolat gjigante që pushtuan qytetet e mëdha. Kamza ishte (dhe është) një nga zonat më të ndotura që mbante rekord. Në çdo shtyllë kishte një flamur apo portretin e stampuar të njërit prej kandidatëve garues për të marrë kreun e Bashkisë.
Tani që gara u mbyll dhe fushata përfundoi, një shqetësim që shfaqet një herë në dy vjet është se, çfarë do të bëhet me ato mijëra letra e flamuj të ngjitura gjithandej. Shpresojmë që autoritetet përkatëse të marrin masa për pastrimin e qytetit nga kjo ndotje në mënyrë që mos të kapë fushata – fushatën dhe posteri -posterin në zgjedhjet e ardhshme, siç edhe ka ndodhur.
Por, Ened Mato si një njeri që e do mjedisin dhe qytetin ka një ide. Ai kërkon që të gjithë këto banderolat e mëdha të përdoren për një funksion të caktuar, që në këtë rast është dhurimi tek njerëzit në nevojë. Ai ka hapur një faqe në rrjetin social me emrin “Dhuro Banderolat e Fushatës për të pastrehët! Mbro Mjedisin duke i ripërdorur për mirë”! Sipas Enedit, këtë herë kemi mundësinë t’i ripërdorim për një qëllim të mirë.
Por për të realizuar këtë kërkohet ndihma e atyre që i kanë vendosur, e partive politike dhe skuadrave të tyre. “Të nxisim riciklimin dhe të japim një mesazh të qartë se në këtë vend ekziston dëshira dhe vullneti për të mbrojtur mjedisin dhe për të bërë mirë. Kjo është një thirrje për të gjitha forcat politike dhe kandidatët e tyre, të ndihmojnë mjedisin dhe komunitetet e pastreha duke i dhuruar banderolat e tyre elektorale, duke i mbajtur larg landfilleve”- shprehet Mato.
Nuk do të bënin figurë të këndshme në syrin e turistëve ato qytetet bregdetare që presin me mijëra vizitorë në verë. Nëse na zë pak sedra, të paktën ta pastrojmë qytetin që të dukemi mirë në sytë e botës. Do të ishte e shëmtuar që të huajt në çdo dhjetë metra të përballeshin me fotografinë e një ish-kandidati.
Por për të kuptuar më mirë idenë e Ened Matos, ne kemi bërë një bisedë me të, jo vetëm për mbledhjen e posterave të fushatës, por edhe se si e sheh ai qytetin nga mjeti i tij i lëvizjes, biçikleta.
Ened , fushata mbaroi, në Tirane dhe në rrethe fituesit janë marr vesh tashmë, por kjo fushatë është shoqëruar me shumë postera dhe banderola. Kemi parë në facebook që ju keni një ide për shfrytëzimin e mirë të tyre, na tregoni pak më shumë si?

Janë me mijëra metra katrorë banera përdorur gjatë fushatës dhe tashmë me shumë gjasa mund të shkojnë drejt landfilleve duke helmatisur përgjithmonë sipërfaqe të mëdha toke me kimikatet e bojërave që mbartin. Këto materiale është e vështirë të riciklohen, por mund të ripërdoren për të mbuluar qindra familje që jetojnë në baraka të improvizuara mes mushamash të grisura. Materiali i banerit përveçse është i kushtueshëm nga 7-12 euro/metri katror, është dhe mjaft i fortë dhe izolues i mirë për t’i bërë ballë reshjeve dhe dimrit të acartë. Duke qenë se ky material rrezikshmërinë më të lartë e ka në mjediset e landfillit ku nga nxehtësia dhe gazrat e pranishme aty mund të digjet dhe emetojë gazra kancerogjenë, kombinuar me paleta druri apo duke u tendosur në formë strehëze nuk përbën më asnjë rrezik, përkundrazi merr një funksion mjaft praktik për qindra familje që jetojnë në qiell të hapur dhe vuajnë ditët e shiut.
I keni evidentuar ju zonat apo njerëzit në nevojë ku do i çoni këto materiale?
Nisma jonë për aksione vullnetare në komunitet, ”Lagja ime Shtëpia ime”, na ka mbajtur pranë shqetësimeve të shumë zonave në Tiranë. I tillë është komuniteti rom fare pranë digës së liqenit, ai në Kombinat dhe “Ali Demi”, ku familje të tëra janë thuajse në qiell të hapur. Pikërisht nga nevojat e tyre erdhi dhe ideja për të ripërdorur banderolat elektorale dhe për të ndihmuar në një zgjidhje praktike që gjithsesi është provizore. Në planin tonë këtë të shtunë do të fillojmë pikërisht me komunitetin rom te parku i liqenit, të cilët jetojnë nëpërmjet riciklimit dhe gëzojnë tërë respektin tonë për punën e tyre të vyer.
Çfarë rreziku kanë këto lloj materialesh nëse lihen aty ku janë vendosur apo dërgohen në landfill?
Materiali i banerit plastik do deri në 300 vite të dekompozohet, ndryshe mund të dekompozohet në temperatura që arrijnë deri në 140 gradë, pra ka një kosto katastrofike në mjedis dhe prandaj duhet doemos të ripërdoret në një formë apo në një tjetër.
A janë bashkuar partitë politike dhe vullnetarët e tyre në nismën tuaj?
Deri tashmë pak janë përgjigjur, duke qenë se janë ende me ethet e zgjedhjeve, por ne kemi besimin se dhe me ndihmën e redaksisë suaj do të fillojmë të grumbullojmë banderolat elektorale pasi kauza është e drejtë. Vullnetarët si gjithmonë janë përgjigjur për të ardhur në ndihmë të këtij misioni i cili do të fillojë me aksionin e të shtunës.
Në vazhdën e fushatës, ju kemi parë aktiv edhe para saj në takimet me kandidatët kryesor për bashkinë e qytetit, pse u bëtë pjesë?
Si rrallë herë u bëmë pjesë e fushatës dhe takimeve me kandidatët për folur qartas shqetësimet tona për mjedisin, për ajrin që thithim çdo ditë dhe për rolin e dyrrotakut në shëndetin e qytetit.
Kandidati fitues doli me ju me biçikletë dhe premtoi një qytet më të mirë, sa besim dhe shpresë keni te premtimet e Erionit?
Erioni ka qenë një ndër aktivistët më energjikë me lëvizjen “Mjaft”, vetë ka drejtuar fushatën “Jeto Gjelbër” në 2006 dhe i njeh mirë kauzat e mjedisit. Është njeri i aksionit dhe kjo më jep besim.
Kryetari që po lë bashkinë, premtoi korsi biçikletash, por ato…. përfunduan në rrugë makinash. Sa do luftoni me kryetarin e ri që kryeqyteti të ketë korsinë e tij të biçikletës?
Biçikleta dhe transporti i gjelbër është tregues i shëndetit të qytetit. Tirana aktualisht është e sëmurë që nga ajri që ne thithim. Askush nuk bën kompromis me cilësinë e jetesës dhe kam bindje se dhe vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të pranoj asnjë kompromis për qytetarët e tij.
Në logjikën tuaj, si një njeri që e doni qytetin, ku mendoni se duhet ndërhyrë në Tiranë?
Tirana është përdhosur si mos më keq, që të rimëkëmbet do një skuadër të guximshme që të përballet me gabimet e të shkuarës. Gabimet dihen tashmë.
Pse duhen ndalur ndërtimet brenda vijës së verdhë të Tiranës ?
Më shumë sesa një qytet Tirana është trajtuar si shesh ndërtimi. Stuhitë e ndërtimit i kanë marrë frymën qytetit dhe po i çojnë njerëzit sërish në fshat. Aty të paktën e di që thith ajër e jo pluhur, rrethohesh nga gjelbërim e jo beton.
Ju jeni një ambientalist dhe aktivist i hershëm, ka ndryshuar gjë në Tiranën tonë gjatë këtyre viteve?
Ndërtuesit.
Në një qytet si Tirana, sa e vështirë është të rrisësh një fëmijë?
Të rrisësh një fëmijë në Tiranë është po aq e vështirë sa të kalosh te “Myslym Shyri” në ditë me shi pa të spërkatur pllakat. Çdo ditë njihesh me një alergji apo infeksion të ri e të padëgjuar.


Ai qe eshte ne krah eshte numri nje per postera, keshtu qe nuk ke pse shkon larg. Nuk e prisja nga Erjoni nje fushate kaq agresive me keto postera she banderola. Nuk po llogaris flamujte dhe spotet televizive. Sic duket nuk pati besim tek forcat e veta, PS, LSI +35 Parti dhe armata e laptopisteve. Pune te mbare per pastrimin e Tiranes dhe pastrimi i ndergjegjes Erjon. Bej te ditur cdo lek te kesaj fushate. Sepse qytetaret e Tiranes e presin dhe e meritojne. Te bene Kryebashkiak.
Ke te drejte o moter, keta jo vetem qe nuk po i mbledhin leckat po i kane lene te varen sa na zene koken kur kalojme per te vajtur ne shtepi.
I del detyre kryetareve te ri qe me aksion ti heqin per 24 ore ne te gjithe Shqiperine se po trembin edhe turistet.