Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, disa ditë pas humbjes së zgjedhjeve lokale nga partia më e madhe e opozitës, ka lëshuar një lumë akuzash ndaj lidershipit të Partisë Demokratike. Teksa ka analizuar zgjedhjet lokale të 21 qershorit, ai thotë se kjo është humbja më e turpshme që ka pësuar ndonjëherë PD-ja. Për këtë, ai sjellë në vëmendje gjendjen ku ishte PDja katër vite më parë dhe ku është tani. “Në vitin 2011 koalicioni ynë fitoi 218 komuna e bashki, nga 384 gjithsej, d.m.th. 57 përqind.
Në harkun e katër vjetëve jemi më shumë se përgjysmuar. Numërimi i deritanishëm i votës proporcionale tregon për një distancë të frikshme me partinë e parë, Partinë Socialiste, distancë që nuk e kemi pasur kurrë. Ky numërim po na bën konkurrentë të LSI-së”, thotë Hoxha. Ish-deputeti demokrat, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Rama pas zgjedhjeve, Bashën e quan “gjeneral të ushtrisë së vdekur”.
Ai thotë se vërtetësia e kësaj deklarate e dhunon në shpirt dhe besoj se kjo dhunon çdo demokrat, të cilit i dhimbset partia e tij. Për këtë, thotë ai, nuk e bën fajtor Ramën, pasi sipas tij, fajin e ka Gjenerali i PD-së dhe, pas tij, faji bie dhe mbi Marshallin, të cilët, po e çojnë PD-në me zor drejt vdekjes politike. “Nëse gjërat nuk ndryshojnë me urgjencë, unë dhe çdo demokrat me ndjenja për PDnë do të duhet t’i themi, si Gjeneralit, ashtu dhe Marshallit, me soj sorollop, haram e paçi mbështetjen dhe sakrificën e demokratëve, që ua futët në dhe Partinë”, u shpreh në një intervistë për “Shekulli”, ish-deputeti Fatos Hoxha.
