Olsi Gocaj dhe Arsen Sykaj pritet të jenë pjesë e Laçit për sezonin e ri. Dy futbollistët nuk janë më pjesë e Vllaznisë dhe kjo është konfirmuar nga mungesa e tyre në seancën e fundit stërvitore të klubit, por edhe fjalët e thëna nga vetë ata në mediat lokale të Shkodrës se kanë mbyllur aventurën me kuqeblutë.
Tashmë për futbollistët mund të nisë dhe gara për të përfituar shërbimet e tyre teksa jemi në një periudhë të nxehtë merkato. Megjithatë zëra pranë futbollistëve bëjnë të ditur se kanë arritur një marrëveshje paraprake me skuadrën fituese të Kupës së Shqipërisë, për të veshur fanellën bardhezi sezonin e ardhshëm.
Për Olsi Gocaj u mendua që do të ishte pjesë e Laçit edhe në Europa League, por drejtuesit e klubit preferuan të mos ndryshojnë shumë skuadrën që mbylli sezonin, për të ruajtur dhe ekuilibrat në lojën e ekipit.
Nëse kjo marrëveshje do të konfirmohet, atëherë pretendimet e Laçit për sezonin e ardhshëm mund të jenë më të mëdha sesa sezoni që sapo u mbyll. Shpesh herë edicionin e kaluar kurbinasit u penalizuan nga mungesa e alternativave në stol aq sa në krah të trajnerit Armando Cungu janë parë futbollistë të rinj dhe pa përvojë.
Arsen Sykaj është një alternativë më shumë në qendër të mbrojtjes, por mund të luajë edhe në rolin e shkatërruesit në mesfushë teksa Olsi Gocaj luan në linjën e djathtë si në mbrojtje edhe në mesfushë. Ambiciet e Laçit duken të mëdha për sezonin e ri, teksa pretendentët janë të paralajmëruar.

Mererni edhe Grimen e Kalamishin me vehte qe te shpetoje Vllaznia . Voltana ka premtuar kat.. e pare per Vllaznin .