Zbulohet plani i Milanit për sulmuesin “e radhës”

Dita

Te Milani durimi po fillon të kalojë caqet. Administratori i deleguar Adriano Galiani ka humbur deri tani çdo betejë në merkato, duke mos mundur të bindë asnjë lojtar (trajner) të dëshiruar të bëhet pjesë e skuadrës kuqezi. Pas refuzimit me shumë komente të ish-trajnerit të Milanit, Karlo Ançeloti, dhe më pas të sulmuesit Xhekson Martinez, mesfushorit Xheofri Kondogbia dhe sulmuesit Zlatan Ibrahimoviç, në Milano po mendohet çdo lloj mënyrë për të arritur te një lojtar i një niveli më të ulët se ai i sulmuesit të Portos, por që bind.
Plani për sulmuesin – Siç zbulojnë mediet italiane, Milani po tenton ta mbyllë me sukses transferimin e sulmuesit kolumbian, Baka, i cili është pjesë e Seviljës. Klubi spanjoll kërkon 30 milionë euro për ta lënë të lirë, ndërsa Milani po tenton të përdorë si “karrem” mbrojtësin Rami, i cili është i shumëkërkuar nga Sevilja.
Deklarata – “Vlerësojmë potencialin e Ramisë dhe jemi të interesuar ta kemi në Spanjë, por për sa i përket shkëmbimit të tij me Bakën nuk jemi dakord. Për kolumbianin kërkojmë vetëm 30 milionë euro”, deklarojnë drejtuesit e klubit spanjoll. Sulmuesi 28-vjeçar, sezonin e shkuar ka shënuar 20 gola në kampionat. Gjithashtu ka qenë “heroi” i Seviljës me golat e tij në finalen e Ligës së Evropës. Ndaj dhe Milani duhet ta marrë seriozisht transferimin, pasi Baka kërkohet me ngulm nga shumë klube evropiane të gatshme për të paguar klauzolën e tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *