“Të fortët” e këshillave bashkiakë

Dita

Në listat e këshilltarëve fitues të bashkive në të gjithë vendin, pas zgjedhjeve lokale bien në sy shumë emra të njohur. Mediat kanë zbuluar këto ditë se ajo që shihet është emri i Ilir Pjetrajt, i cili kryeson grupin e anëtarëve të djathtë të Këshillit Bashkiak të Kurbinit. Pjetraj, që është dhe vëllai i deputetit demokrat, Mhill Fufi, u bë i njohur pas tentativave të shumta që bëri Partia Demokratike për ta kandiduar në garën për kryetar të Bashkisë së Kurbinit në vend të Altin Bibës që u propozua fillimisht nga selia blu.

Një tjetër e dhënë interesante vjen nga këshilli bashkiak i Gjirokastrës, ku e djathta në këtë këshill do të përfaqësohet nga ish¬kryetari i Komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko, dhe kreu i PD-së së këtij qyteti Roland Bejko. Ndërkohë, një tjetër fenomen që bie në sy nga listat përfundimtare të këshillave bashkiakë është dhe kandidimi familjar në disa prej këtyre këshillave, si në Bashkinë e Hasit, Kukësit etj.

Ndërsa në listën e këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Lezhës bie në sy që lista e këshilltarëve të PS¬së kryesohet nga nënkryetari i PDK-së, Eduard Ndrecaj. Ndërsa në Bashkinë e Pogradecit, Roshi Tollozhina, kryeson listën e këshilltarëve të LSI-së në këshillin bashkiak të këtij qyteti. Tollozhina, ish-kryetar i Komunës Buçimas dhe që ishte pretendent për kandidat për kryetar të kësaj bashkie, por që në momentin e fundit, u vendos që në këtë garë të konkurronte Diana Mile.

Në Korçë, në kampin e djathtë bie në sy rikthimi në politikë i ish-deputetes Ledina Aliolli, e cila do të jetë anëtare e këshillit të ri bashkiak të Korçës. Në Himarë, kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano, do të jetë anëtar i këshillit bashkiak të Bashkisë së re të Himarës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *