Tashmë është zyrtare, Carlos Tevez rikthehet në shtëpi. Pas 11 viteve mes Brazilit dhe Europës gjatë të cilëve përjetoi suksese të shumta Apashi do të mbajë sërish veshur fanellën e Boca Juniors. Klubi nga Buenos Aires me një komunikatë në faqen e tij zyrtare bëri të ditur rikthimin e sulmuesit argjentinas në Bombonera duke i uruar njëkohësisht edhe mirëseardhjen Carlitos Tevezit.
Akordi me Juventusin u arrit për 5 milionë Euro shumë të cilën Boca Juniors do ta kompensojë duke transferuar te bardhezinjtë disa të rinj premtues përfshirë këtu edhe talentin Vatala i cili do të jetë pjesë e Juventusit për dy sezonet e ardhshme në formë huazimi. Presidenti i Bocës, Angelici deklaroi se për të firmosur me sulmuesin klubi që ai drejton nuk ka paguar asnjë Euro por kjo hipotezë është pak e besueshme sepse Tevez kishte edhe 1 vit kontratë me Juventusin.
Në komunikatën e saj në internet Boca Juniors shkruan: “Kjo është një ditë shumë e gëzueshme që përcjell tek ne një kënaqësi të madhe. Rikthimi i Carlos Tevez është një moment i jashtëzakonshëm në karrierën e tij, ky është një lajm fantastik për të gjithë tifozët e Bocës por edhe për futbollin argjentinas. Prania e Carlosit do rrisë cilësisht grupin e shkëlqyer të futbollistëve që kemi aktualisht në dispozicion”.
Ndër të tjera në komunikatën e Bocës është përfshirë edhe një deklaratë e presidentit Angelici i cili thekson se do të ndërtojë një skuadër të madhe për ta ringritur klubin në vendin që meriton. Prezantimi i 31-vjecarit do të bëhet në datën 7 Korrik pas përfundimit të Kupës së Amerikës në stadiumin Bombonera ku pritet të jenë të pranishëm mijra tifozë që po presin me padurim rikthimin në shtëpi të Carlitos Tevez.
