Tekstet e reja shkollore, 10% më shtrenjtë se një vit më parë

Dita

Nxënësit dhe prindërit e tyre duket se do të paguajnë këtë vit më shumë para për të blerë librat e shkollës. Sipas një udhëzimi të fundit të MAS, del që tekstet e reja për vitin shkollor 2015–2016 do të kushtojnë 10% më shtrenjtë krahasuar me një vit më parë.

Çmimet e reja

Çmimet më të larta do të aplikohen për tekstet e klasave të para dhe të gjashta sipas udhëzimit të firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Në këtë udhëzim përfshihen edhe tekstet dixhitale për nxënësit e vitit të parë të shkollave të mesme ku marzhi për çmimin e tyre nuk është më shumë se 15% i vlerës së teksteve analoge.

Shtëpitë botuese

Faza e konkurrimit për tekstet shkollore nuk është mbyllur ende, pasi Ministria e Arsimit me një udhëzim ka shtyrë afatet e dorëzimit të teksteve nga shtëpitë botuese deri në datën 1 korrik. Udhëzimi për dorëzimin e teksteve konkurruese nga shtëpitë botuese për vitin 2015 – 2016 ka ndryshuar tre herë duke i dhënë më shumë mundësi kohore shtëpive botuese. Përsa u përket teksteve dixhitale do të jenë në formatin e PDF-së në mënyrë që nxënësit të lexojnë nëpërmjet tabletave dhe këto tekste do të jenë fillimisht për 60 shkolla ku do të shtrihet projekti pilot.

Udhëzimi

Nëpërmjet udhëzimit nr.21, datë 26.06.2015, MAS ka përcaktuar çmimin e teksteve të reja për nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë dhe çmimin e teksteve dixhitale për nxënësit e klasës së 10-të, pra për nxënësit e vitit të parë gjimnaz. “Çmimi mesatar aritmetik ose çmimi tavan përllogaritet si shumatore e çmimit të teksteve fituese për një tekst të caktuar pjesëtuar me numrin e teksteve fituese. Ky çmim tavan do të aplikohet për këto tekste, për të cilat çmimi i propozuar nga subjekti tejkalon çmimin tavan, ndërsa për tekstet e ofruara me çmim poshtë çmimit tavan, tekstet, pasi të vlerësohen nga MAS, do të shiten me çmimin e ofruar nga subjekti”, përcaktohet në pikën “d” të udhëzimit të djeshëm të MAS. Ndërsa në pikën tjetër të udhëzimit saktësohet se, nëse çmimi tavan i përllogaritur nga MAS, sipas pikës të cituar më sipër të këtij udhëzimi ose çmimet e propozuara poshtë çmimit tavan nga subjektet, për tekstet e vlerësuara, tejkalojnë marxhin 10% mbi çmimin më të lartë të tekstit analog, të të njëjtit tekst të aplikuar në vitin e mëparshëm, MAS i kërkon subjektit analizë të detajuar të çmimit dhe vlerëson çmimin e propozuar prej tij, por çmimi përfundimtar nuk duhet të tejkalojë marzhin maksimal 10% mbi çmimin e tekstit analog i aplikuar në vitin e mëparshëm.

Tekstet dixhitale

Për sa u përket teksteve dixhitale (sistemeve mësimore interaktive) do të operohet me të njëjtën procedurë si për këto tekste; kufiri maksimal nuk duhet të tejkalojë marxhin prej 15% mbi çmimin e tekstit analog të formatit hard-copy. Shembull: Nëse teksti “Matematikë 1″ vitin e shkuar ka pasur çmimin 460 lekë, këtë vit nuk mund të jetë më shumë se 506 lekë (460 lekë* marxhi maksimal 10%), për tekstet dixhitale jo më shumë 529 lekë (460 lekë* marxhi maksimal 15%).Për sa u përket teksteve që hynë në fuqi për herë të parë dhe nuk kanë tekste analoge që mund të përdoren si referenca nga viti i mëparshëm, vlerësimi i çmimit do të bëhet nga MAS, bazuar në çmimin mesatar aritmetik/çmimin tavan, sipas mënyrës së përllogaritjes të përcaktuar ne pikën ‘d” të këtij udhëzimi, pra në këtë rast nuk mund të aplikohet kufizimi i vendosur në pikat “e” dhe “f’ lidhur me kufirin e marxhit maksimal. Nëse në përfundim të procesit të vlerësimit rezultojnë më pak se dy tekste të kualifikuar, çmimi i tekstit do të vendoset nga subjekti dhe MAS do të përllogaris çmimin, duke mbajtur në konsideratë se çmimi i propozuar nga subjekti nuk duhet të kalojë kufirin maksimal prej 5% mbi çmimin më të lartë të tekstit analog për tekstet e printuara dhe 10% për tekstet dixhitale.

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *