Jona Zyfi është studente në Universitetin Ryerson në Kanada, 23 vjeçare me një CV, që do ta kishte zili jo vetëm çdo moshatar i saj, por edhe më të rritur. Ka lindur në Pogradec, por ka shkuar në vend të huaj që në moshën 16-vjeçare, kur ishte ende një gjimnaziste. Pas kësaj, ajo u pranua nga të gjitha universitetet, por zgjodhi Ryerson.
Sot, Jona studion për Kriminologji si dhe është specializuar në Etikë dhe Psikologji. Fillimet nuk kanë qenë të thjeshta për adoleshenten që shkonte në tokën e largët dhe të ftohtë, por falë zgjuarsisë dhe talentit të saj, ajo ia doli.
Prindërit e saj kanë sakrifikuar shumë për të ndjekur Jonën me studime, pasi për një student i cili shkon në Kanada për të studiuar, tarifa e shkollimit kushton. Babai i Jonës, Pëllumbi, na tregon se nuk e ka patur të thjeshtë, por duke parë talentin e vajzës dhe pasionin që ajo kishte për shkollën, beri gjithçka, duke marrë edhe kredi për të paguar shkollimin e vajzës së tij, për të cilën nuk është penduar asnjëherë.
Madje, sot është krenar, pasi ajo ia ka shpërblyer me medaljet, çmimet dhe titujt që ka marrë gjatë këtyre viteve studim.
Ne u lidhëm me Jonën nga Toronto, ku edhe ajo jeton aktualisht për të bërë me të një bisedë dhe pse jo, të na tregojë rrugën e saj drejt suksesit. Shembuj të tillë, janë frymëzim edhe për shumë të rinj, vajza e djem, që duan të ndjekin ëndrrën e tyre të shkollimit.
Medaljet
Vetëm pak ditë më parë ajo fitoi dy medalje.
Medalja e parë – Medalja e Artë e Presidentit, që është edhe nderi më i lartë i universitetit, i cili u jepet studentëve që kanë arritje te jashtëzakonshme akademike (domethënë notat) dhe kontribut në universitet, në fushën e profesionit dhe në komunitet.
Medalja e dytë – Medalja e Bordit Drejtues të Universitetit. Kjo medalje i jepet vetëm një studenti nga ata 6 që fituan medaljen e artë të presidentit. Prandaj përcaktohet si çmimi “The best of the best!”. Gjithsej u diplomuan afërsisht 9,000 studentë këtë vit dhe vetëm ajo fitoi këtë medalje.)
Studimet
Jona ka pasur mundësi të punojë me shumë profesorë, avokatë, organizata dhe gjykatës nga Haga, nga gjyqet e larta të apelit të Kanadasë, Zelandës së re, Afrikës Jugore dhe Belgjikës. Gjatë kohës së studimeve ka punuar në sektorë të ndryshëm të profesionit. Për shembull me burgje, fëmijë në sistemin e drejtësisë kriminale, refugjatë, emigrantë (të rregullt dhe të parregullt), gjykata etj
Projektet aktuale
Jona po punon me disa projekte, por ato që ka në dorë momentalisht janë dy. I pari është një projekt kërkimor, i cili trajton procesin e kriminalizimit dhe sistemin e sigurisë së emigrantëve dhe refugjatëve në Kanada. Synohet të bëhet krahasim me legjislaturat e BE-së, Australisë dhe Amerikës.
I dyti është një tjetër projekt kërkimor dhe trajton programet dhe iniciativat e shteteve të ndryshme në botë që synojnë e stimulojnë kthimin e emigrantëve të tyre për të kontribuar në mënyrë pozitive tek zhvillimi socio-ekonomik i vendit të origjinës. Në këtë projekt ka përfshirë edhe Shqipërinë. Shtetet e tjera që ka përfshirë janë Maroku, Algjeria, Tunizia, Meksika, Kina, Ekuadori dhe India.
Më poshtë një bisedë me vajzën që ka ngritur flamurin shqiptar në Kanada dhe është bërë shembull pozitiv si një ndër studentet më të talentuara që studion në atë shtet. Rrëfimi i Jonës për Dita-n.
-Jona, Pse zgjodhe të studiosh Kriminologji? Çfarë të josh më tepër nga kjo fushë?
Fillimisht kisha dëshirë të studioja shkencat natyrore sepse gjithmonë e kam pas shumë qejf kiminë, por në vit të katërt zgjodha një lëndë ligjore e cila më pëlqeu jashtëzakonisht shumë dhe më ngjalli interesin në sistemin e drejtësisë kriminale. Si përfundim, kur erdhi koha që të aplikoja në universitet, zgjodha degën e kriminologjisë, pavarësisht se nuk isha shumë e sigurt se çfarë përfshinte kjo fushë. Edhe unë, si shumë të tjerë, kisha idenë e gabuar se kriminologjia ishte vetëm e lidhur me diçka si “CSI”, por është një fushë shumë herë më e gjerë se aq.

Dhe kjo është pikërisht ajo që më josh në këtë fushë. Përgjithësisht publiku nuk ka shumë njohuri për sistemin e drejtësisë kriminale. Për më tepër, kur vjen puna tek çështjet e drejtësisë kriminale, të gjithë kanë opinione, shpeshherë opinione shumë të forta. P.sh. përsa i përket dënimit me vdekje, krimet e dhunshme dhe seksuale, fëmijët në sistem, burgjet, refugjatët etj. Problemi është se shumica e njerëzve i mbartin këto opinione pa i bazuar në fakte ose në informacione të sakta për sistemin kriminal. Shumica nuk e kuptojnë se sistemi i drejtësisë kriminale përfshin tre shtylla kryesore: policinë, gjykatën dhe burgjet. Por, nga momenti që ndodh një krim derisa arrin tek pika A e policisë ka shumë faktorë ndikues dhe hapa në sistem. Pastaj sërish nga pika A tek B, derisa një çështje arrin në gjykatë është proces shumë i gjatë dhe i ndërlikuar. Dhe sërish deri tek pika C. Dhe mos harrojmë që është një proces shumë i gjatë dhe sërish i ndërlikuar pasi kemi futur dikë në burg. Burgu nuk është fundi i sistemit të drejtësisë kriminale sepse shumica e kriminelëve ose unë preferoj një term më pak diskriminues, si “shkelësit e ligjit”, do dalin nga burgu dhe procesi i riintegrimit në shoqëri përfshin njerëz nga profesione të ndryshme dhe sërish është proces i komplikuar.
Mos të themi pastaj çfarë ndodh dhe si i trajtojmë gjitha ata njerëz që janë të burgosur pa të drejtë ose gabimisht. Ne mund të mendojmë se kjo gjë nuk ndodh në shoqëritë perëndimore, por kjo gjithashtu është një mendim i gabuar. P.sh. kriminologët mendojnë se në Amerikë, e cili është shteti me më shumë të burgosur në botë, ka nga 0.5% deri në 20% të burgosur të padrejtë. Kjo do të thotë që afërisht 10,000 janë të burgosur në mënyrë të padrejtë në Amerikë çdo vit. Në Kanada ky numër mendohet të jetë nga 450 deri në 2470 në vit.
Një shembull tjetër që pasqyron që publiku nuk ka njohuri të sakta për drejtësinë kriminale i përket dënimeve. Psh. në Kanada shpeshherë publiku shprehet se gjykatësit janë shumë të butë në dënime dhe se duhet të tregohen më të rreptë. Para nja 2 viteve u bë një eksperiment në qytetet më të mëdha të Kanadasë dhe kriminologët u dhanë njerëzve në rrugë një çështje dhe u thanë që ti je gjykatësi. Këto janë mundësitë e dënimit, çfarë dënimi do i jepje t’i këtij personi. Dhe rezultatet treguan se mazhoranca e publikut faktik do të jepnin dënime shumë herë më të buta se gjykatësit.
-Ju keni zgjedhur të specializoheni në emigrim, çfarë dini ju për emigrantët?
Shumica e njerëzve mund të dinë se kërkesa për azil është e drejtë njerëzore, por shumë pak e kuptojnë rreptësinë e sistemit të refugjatëve. P.sh në Kanada kur vjen për të kërkuar azil në grup me dy ose më shumë veta, je automatikisht i futur në kampe emigracioni. Kjo përfshin edhe fëmijët. Kështu që siç e sheh, sistemi i drejtësisë kriminale dhe fusha e kriminologjisë është jashtëzakonisht shumë e gjerë dhe përfshin elemente të ndryshme për tejkaluar gjërat që shohim në emisionet si CSI. Dhe t’i vë pikën një përgjigjeje shumë të gjatë, është pikërisht kjo që më josh tek fusha ime, fakti që nuk mund të mërzitesh asnjëherë me profesionin sepse gjithmonë ka një tematikë tepër interesante dhe aktive.
-Ke marrë dy medalje para pak ditësh, të cilat të janë dorëzuar përmes një ceremonie. Si u ndjeve?
Gjatë ceremonisë më prezantuan me 2 medalje. E para është Medalja e Artë e Presidentit. Kjo medalje është nderi më i lartë i universitetit, i cili i jepet studentëve që kanë arritje të jashtëzakonshme akademike; domethënë notat së bashku me pjesëmarrje dhe kontribut në universitet, në fushën e profesionit dhe në komunitet.
Medalja e dytë është e Bordit Drejtues të Universitetit e cila i jepet vetëm një studenti në vit që ka treguar karakteristikat e leadershipit, arritje shumë të larta akademike dhe kontributin për mirëqenien e komunitetit brenda institutit dhe në qytetin e Torontos. Gjithsej diplomohen afërsisht 9000 studentë këtë vit dhe vetëm unë e fitova këtë medalje.
Siç e imagjinon, isha shumë e emocionuar. Ndihesha e lumtur veçanërisht sepse më kishin ardhur edhe prindërit dhe halla për ceremoninë, por gjithashtu isha edhe pak nervoze sepse isha e vetme studente në historinë e universitetit që i kam fituar të dyja medaljet dhe duhet të jepja një fjalim para gati 2500 vetave.
-Prej sa kohësh punon për të arritur këtë nivel? A ka shqiptarë të tjerë atje?
Është e vështirë të të them ekzaktësisht. Zakonisht lexoj 5-7 orë në ditë. Ka ditë që është më pak dhe kur jam me sezon është shumë herë më shumë. Gjatë sezonit fle vetëm disa orë në ditë. Gjithashtu nuk është vetëm të lexosh dhe të mësosh. Unë shpenzoj shumë kohë duke punuar me organizata dhe shoqata të ndryshme tek universiteti, në komunitetin e Torontos dhe organizata internacionale. Marr pjesë në shumë konferenca dhe evenimente të ndryshme profesionale. Dhe jam anëtare në një numër organizatash profesionale dhe borde drejtuese. E konsideroj veten me fat sepse kam marrëdhënie shumë të afërta me Departamentin e Kriminologjisë dhe Fakultetin e Arteve tek Ryerson University. Kjo më ka lejuar të jem pjesëmarrëse në disa projekte si asistente kërkimore me profesorë të ndryshëm e cila më ka dhënë mundësinë të marrë eksperiencë praktike në fushën time profesionale. Përsa i përket shqiptarëve, patjetër që ka studentë të tjerë shqiptarë tek universiteti. Por unë, nuk njoh shumë me thënë të drejtën.
-Me këtë profesion që ke ti, a mund t’i ndihmosh shqiptarët që janë emigrantë?
Pavarësisht se unë kam zgjedhur të përqendrohem në aspektin e emigrantëve dhe refugjatëve të profesionit unë nuk punoj drejtpërdrejt me emigrantët. Puna dhe aktiviteti im, projektet në të cilat jam e përfshirë dhe interesat e mia kërkimore janë rreth kriminalizimit të emigrantëve dhe refugjatëve. Emigracioni është pjesë e ligjit administrativ, ndërsa shtetet perëndimore kanë filluar prej disa vitesh ta shtyjnë emigracionin në fushën kriminale. Kemi filluar të përdorim sistemin, mjetet dhe forcën e sistemit të drejtësisë kriminale për të kontrolluar dhe zbatuar legjislaturën e emigracionit. Justifikimi është siguria kombëtare dhe duke shtrënguar legjislaturën, kjo rreptësi pasqyron shkeljen e të drejtave të njeriut të cilat janë ndërkombëtare, të drejtat kushtetuese kombëtare dhe një sërë ligjesh të tjera siç është principi i cili thotë se nuk mund të kthesh dikë që kërkon në azil në një shtet ku ai person mund të torturohet ose të keqtrajtohet.
Shqipëria konsiderohet si shtet “i sigurt” dhe jo shumë shqiptarë bëjnë pjesë në fushën time kërkimore. Por fakti që shtetet si Shqipëria ose Meksika konsiderohen “të sigurta” gjithashtu bëjnë pjesë në procesin e kriminalizimit të emigracionit. Domethënë, puna ime profesionale është e përqendruar tek ana ligjore dhe kërkimore e kriminalizimit dhe sigurisë.
Kohët e fundit kam qenë duke punuar dhe në një projekt me qeverinë provinciale të Ontarios. Edhe ky është një projekt kërkimor dhe sheh ligjet, programet dhe iniciativat e shteteve të ndryshme në botë që kanë synim të joshin kthimin e emigrantëve të tyre për të kontribuar në mënyrë pozitive tek zhvillimi socio-ekonomik i vendit të origjinës. Tek ky projekt e kam përfshirë Shqipërinë dhe shpresoj ta përfshij sërish tek projekte të tjera në të ardhmen.
–Cilat janë aspiratat e tua për të ardhmen? A mendon se do të kthehesh në Shqipëri, për të ushtruar profesionin tënd?
Në shtator do filloj masterin në Kriminologji tek Universiteti i Torontos. Teza ime do jetë e përqendruar sërish tek aspekti i kriminalizimit të emigracionit dhe kam dëshirë ta përfshij Shqipërinë si çështje studimore. Pasi të kem mbaruar masterin, kam dëshirë të vazhdoj studimet. Dua të bëj doktoraturën dhe më pas shkollën ligjore me përqendrim në fushën e ligjit internacional dhe të të drejtave njerëzore.
Përsa i përket të ardhmes në Shqipëri, e kam menduar kthimin dhe mbase një ditë edhe mundem, por nuk jam ende e bindur që ekziston mundësia dhe infrastruktura për zhvillimin dhe përmirësimin profesional.
-Profesionin tënd ne e lidhim rëndom me serialet e njohura amerikane të hetimit të krimeve. A je edhe ti një nga ekspertet kriminologe që nga një qime floku apo një njollë gjaku në mur, arrijnë të zbardhin një krim, apo arrijnë të ndërtojnë profilin e një krimineli?
(Qesh) Në fushën tonë ne e quajmë këtë “Efektin CSI”. Kjo lidhet sërish me atë idenë që shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se çfarë është dhe se çfarë përbën sistemin e drejtësisë kriminale. Gjatë studimeve të mia i kam bërë lëndët laboratorike të skenave të krimit, dhe kemi analizuar fije floku, njolla gjaku, plumba, insekte etj por siç thashë në fillim kjo është vetëm një pjesë e vogël e fushës time. Për më tepër, shpesh herë nuk janë kriminologët ata që punojnë me skenat e krimit ose aspektin laboratorik. Këtë punë e bën policia në bashkëpunim me laborantë të ndryshëm të cilët janë kryesisht kimistë, biologë dhe doktorë. Si kriminologe, ne bashkëpunojmë të afërt me policinë dhe specialistë të tjerë në zbardhjen e një krimi.
Kur vjen tek profili i një krimineli, po. Kjo është diçka që e bëjnë kriminologët. Në rastin tim unë kam dhe 2 specialitete, një në psikologji dhe një në etikë. Specializimi i psikologjisë më jep avantazh në këtë aspekt. Faktikisht, para 2 viteve si studente kam punuar në disa burgje si asistente me profilizimin e kriminelëve. Domethënë, këto të gjitha janë pjesë e fushës time dhe aspekte të profesionit tim të cilat unë jam e aftë t’i zbatoj. E kam trajnimin e duhur për të punuar edhe në këtë fushë të kriminologjisë dhe për t’i dhënë përgjigje këtyre problemeve, por kam zgjedhur vet të përqendrohem në aspektin legjislativ.
-Jona cila është familja jote?
Familja ime përbëhet nga mami, babi dhe motra e cila gjithashtu studion tek Ryerson University. Adela është në degën e shkencave bio-mjekësore. Dhe halla! Hallën e kam si mami të dytë.
-Kur je larguar për në Kanada dhe si kanë qenë fillimet e tua aty?
Kam ardhur në Kanada në Janar 2009. Erdha në gjimnaz gjatë semestrit të dytë të vitit të tretë. Mbarova gjimnazin, aplikova për në universitet. U pranova tek të gjitha universitetet dhe vendosa të filloja tek Ryerson sepse më ofruan bursë të pjesshme dhe është universitet në qendër të Torontos. Si çdo person që shkon në një shtet të ri fillimet nuk ishin gjithmonë të lehta. Në rastin tim, kam qenë dhe shumë e vogël (16 vjeçe). Ne nuk kishim familjarë ose të njohur në Kanada. Kështu që kam qenë vetëm dhe ndonjëherë mërzitesha. Duhet të mësoja si të gatuaja vetë, të laja rrobat, të gjitha gjërat e përditshme, por çdo gjë sakrificë ishte për një të ardhme sa të mirë kështu që në fund të gjitha patën vlerë.
-Si ka qenë fëmijëria jote, çfarë mban mend?
Fëmijërinë e kam pas shumë të këndshme, kam shumë kujtime pozitive. Në moshën 8 vjeçare familja jonë emigroi në Australi, dhe Adela dhe unë u rritëm në Melburn. Kam qenë 13 vjeçe kur u rikthyem në Shqipëri. Faktikisht eksperienca e familjes tonë në sistemin e emigracionit në Australi ka qenë faktori kryesor sepse unë vendosa të merrja këtë drejtim në fushën e kriminologjisë.
-A janë krenar prindërit e tu për ty? Çfarë thonë ata?
Patjetër që po! Jo vetëm prindërit por i gjithë Departamenti dhe Fakulteti tek Ryerson janë shumë krenarë. Si studente e huaj ka shumë vështirësi që studentët vendas nuk hasin; për mua ka qenë e rëndësishme jo vetëm përqendrimi tek studimet, por pjesëmarrja dhe aktivizimi në komunitet. Dhe kjo ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në suksesin tim dhe në krenarinë që ka ndjerë prindërit, universiteti dhe organizata të ndryshme ndaj punës time dhe ndaj meje.
-Përveç punës dhe studimeve, si e kalon kohën aty?
Jetoj me motrën, kështu që kalojmë shumë kohë bashkë. Gjithashtu me shoqërinë dhe marr pjesë në shumë evente të ndryshme tek universiteti dhe në Toronto.

emigrantet ndihmoji me gjithe shpirt, te gjithe kombeve. vetem ne shqiperi mos u kthe…..ta befte zoti sa me mire .urim nga nje emigrant.
Bravo Jona, intelektuale te tilla i duhen Shqiperise. Do te ishte fat per vendin qe talentin dhe inteligjencen qe zoteron ta vesh nje dite ne sherbim te vendit. Ky vend ka shume nevoje per njerez te tille.
Suksese te metejshme.
Po mire ore, une kam MSc ne Kriminologji…shqiptari i Pare ne kete dege qe ju ofrua edhe PhD…edhe nuk me ndihmoi njeri me nje grant…po kesaj goces hallall, ja u shtua edhe nje kolege…e keshilloj mos kthehet ne kete vend te mallkuar se do shesi misra ose dinjitetin per nje vend pune tek keta maskarenj qe edhe shkollen e kane bere bacelorin nga 12 vjet dhe sot jane milionera ministra…good luck girl…it`s a beautiful journey, just don`t stare too long into the abyss….
Bravo vajzes dhe bravo gazetes Dita qe na sjell shembuj pozitiv
Bravo te lumte,krenare do ishte cdo prind per ty.
Shqiperia eshte e njohur per krijimin e gjenialeve. Komplimentet me te larta! Shoqeria njerezore kombetare apo internacionale ka nevoje per njerez si ju! Never stop learning, progressing and persuading… what is called justice and all the laws of it, regardless who make them. Let your collective knowledge serve the humanity! So happy for you!! Daniela