Në Çorovodë kanë nisur sot punimet për ndërtimin e infrastrukturës rrugore nëpër të cilët do të kalojë gazsjellësi TAP.
Gjatë përurimit të punimeve, kryeministri Edi Rama u shpreh se, Shqipëria përfiton 1 miliardë euro në 20 vitet nga ky projekt në mënyrë direkte.
Punimet e nisura sot janë vetëm hapi i parë në përgatitjet e TAP-it për ndërtimin e tubacionit, që parashikohet të fillojë në vitin 2016.
Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se, TAP “nuk është një tub që sjell gaz, por e kthen Shqipërinë në një nyje të furnizimit të energjisë nga Lindja në Perëndim”.
“Për Shqipërinë do hapet një perspektivë e re dhe se qytetarët shqiptarë do përdorin gazin, si një formë më e lirë sesa energjia elektrike”, tha ai.
TAP do të ndërtojë dhe rehabilitojë mbi 100 kilometra rrugë përgjatë trajektores së tubacionit, duke nisur në Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës, Çorovodë, Kakrukes në rrethinat e Potomit, në rajonin e Beratit deri në Seman dhe Topojë në rajonin e Fierit.
Gjithashtu do të ndërtohen dy ura të reja dhe do të rehabilitohen rreth 50 ura ekzistuese në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit.
