Hitleri, enigma e një nate tragjike, etj

editor

Hitleri, ne nje miting mbante nje fjalim me britma e kercenime ndaj  armiqeve te Gjermanise, duke premtuar se nje dite  globi do te dominohej  nga rraca gjermane.  Ishte koha kur ai kishte arritur kulmin e lavdisë dhe autoritetin absolut mbi popullin gjerman. Përballë gati 1 milion njerëzve nga të gjitha moshat, mbante një fjalim të zjarrtë. Tejet i sigurtë në bindjet e tij, deklaronte fitoren absolute të nazizmit mbi të gjithë botën. Çirrej dhe kërcënonte cilindo armik që do t’u dilte përpara synimeve të tij dhe atyre të popullit gjerman. Turma e dehur, thuajse e hipnotizuar, e papërmbajtur e përtej arsyes, brohoriste dhe gati lëkundej sipas lëvizjeve dinamike të duarve dhe trupit të tij. Pas mbylljes së fjalimit, Hitleri zbriti nga tribuna i ndjekur nga shpura e tij. Turma dallgëzoi përpara. Secili dëshironte të prekte sadopak rrobën e tij. Në çastin kur një zonjë iu gjend pranë me një fëmijë te bukur në krahë, udhëheqësi i “dashur” zgjati duart dhe ia mori fëmijën për ta puthur (zakon i lashtë ky i diktatorëve, të cilët në drekë puthnin fëmijën e në darkë i vrisnin babanë). Turma shpërtheu në brohoritje, pa i shkuar ndërmend se ai njeri, pas pak vitesh do përvëlonte tërë Gjermaninë. Sapo e mbeshteti ne gjoks foshnjën  per ta puthur, ai shpertheu se qari pa e pritur nga frika e pamjes se prijesit te cmendur dhe urinoi ne gjoksin e tij  Ne cast Ribentropi e mori me shkathtësi fëmijën dhe ia dha të ëmës, kurse truproja personale i mbuloi trupin Hitlerit per të mos u vene re  se cfare ndodhi dhe e shoqëroi pranë makinës që ndodhej aty pranë. Fyhreri u largua duke lënë pas piskamën e fëmijës së trembur. Paradoks i habitshëm!

Populli gjerman, ndër më të zhvilluarit në botë, banor i një vendi që i ka dhënë botës aq shumë filozofë, shkencëtarë, poetë e shkrimtarë dhe muzikante, nuk mundi që në emër të arsyes, të arrinte intuitën e fëmijës, por e duartrokiti e pasoi dhe e ndihmoi per te rene    ne greminen me tragjike te historise se tij!! Për fat te keq, ky “zakon” rrjedh nëpër vite edhe në kohën tonë moderne. Turma dhe popuj bien viktima të veprimeve kriminale te individëve! Mos vallë as individët dhe as kombet nuk dinë ç’bëjnë, apo rrokullisen instiktivisht ne greminat e fatit  te paradhene e te pa kontestushem??! (Zot na ruaj nga perseritja e historise, pasi aktualisht bota po perjeton  ngjajshem  kohen  tragjike te viteve 30 te shekullit  te XX)

 

Në kampin e Prishtinës

 

Në mbrëmje, nazistët që rrethonin kampin ku ishin mbylllur rreth tre a katërqind vetë nga kombe të ndryshme, i urdhëruan të dënuarit të hapnin një varr të madh rreth tridhjetë metra të gjatë. Në mëngjes, pasi i reshtuan “kampistët” përballë varrit, sipas zakonit të tyre të çuditshëm, një oficer, duke numëruar nga njëshi te dhjeta, nxori nga rreshti rreth shtatëdhjete vetë, të cilët u vendosen bri njëri-tjetrit përgjatë buzës së varrit masiv. Kuptohet, korbi i vdekjes e kishte lënë frikën e ankthin e pasigurisë mbi shumicën e të internuarve dhe qëndronte mbi kokat e atyre të mjerëve që po qëndronin në buzën të varrit. Në radhën e të shpëtuarve, të paktën aty për aty, ishin edhe disa shqiptarë, në mes të të cilëve edhe i ndjeri Luigj Filipi, i cili ma ka treguar një ditë këtë episod të çuditshëm: “Në kohën që u rreshtua toga e pushkatimit përballë të shtatëdhjetë vetëve, që tej kampit u shfaq një makinë xhips, e cila vinte drejt nesh me shpejtësi, duke ngritur pas një shtëllungë pluhuri. Makina ndali përbri rreshtave të të internuarve dhe prej saj zbriti një major me trup të mbushur dhe shikim të zymtë. Trupa ushtarake mori menjëherë qëndrim gatitu, komandanti i kampit iu afrua me një hap ushtarak dhe iu paraqit. Majori e pyeti se çfarë po bënin. Komandanti i kampit i tha:

– Kemi veçuar nja shtatëdhjetë vetë per t’i pushkatuar, para se t’i nisim të tjerët për në kampet e përqendrimit në Gjermani. Na njoftuan se nuk kishte mjete per t’i transportuar te gjithe.

– Te mbeturit te nisen sa me pare, per t’u boshatisur kampi plotesisht. – tha majori dhe pasi shkoi nje veshtrim te eger mbi trupat tanë të ngrirë, i tha komandantit të vazhdonin punën dhe u nis drejt makinës. Pranë derës së saj të hapur, ndali, u kthye nga ne, u afrua te rreshti i vendosur pranë varrit masiv dhe me gishtin e shtrirë, nxori dike nga rreshti dhe i bëri shenjë të vinte në radhët tona. Pas tij, me të njëjtën lëvizje urdhëroi një tjetër të dilte nga radhët tona dhe të futej në radhët e vdekjes. Mua m’u duk sikur po më zinte frymën ankthi i gëzimit, pasi personi i shpetuar nga vdekja ishte shoku im shkodran. Majori shtriu dorën përpara si shpatë dhe nga trupat ushtarake ushtoi thirrja: “Hail Hitler”! Ai u kthye, i hipi makinës dhe u nis me të njëjtën shpejtësi që kishte ardhur. Sa herë që shkoj në Shkodër, e takoj fatlumin dhe me habi e kujtojmë veprimin e majorit, i cili nuk ishte parë ndonjëherë në kampin e Prishtinës dhe që më pas dëgjuam se ishte shef i gestapos së Beogradit.

Kujtoj se shkak për të më treguar miku im këtë histori u bë një tregim i thjeshtë që i kisha treguar unë më parë aty në lokalin e vogel prane shtepise botuese te librit shkollor: “Në kohën kur duej të isha nja katër a pesë vjeç, në një mëngjes herët, kur nëna u ngrit nga stroma e saj (dyshek i mbushur me lesh) e shtruar pranë asaj të babait, shikoi e tromaksur se midis dy stromave ishte mbledhur kutulaç një gjarpër boje hiri. Kush mund ta dinte se në ç’orë ishte futur aty gjarperi per gjume?!!! Ajo rrëmbeu mashanin e zjarrit dhe menjëherë ngriti babanë, i cili i përmabjtur ia mori mashanin nga dora dhe e lëvizi lehtë gjarpërin, duke i thënë; “ ik o i ururar në vendin tënd”. Ai u shtjellua dhe mori udhën fare i patrembur, doli nga dhoma dhe u fut poshte parmakeve te shkalleve. Një ditë, kur unë isha tetë vjeç dhe babai nuk jetonte më, bashkë me dy vëllezërit e mi, pamë poshtë parmakut të shkallëve një gjarpër bojë hiri, i cili sapo ndjeu zhurmën tonë, u tërhoq brenda. Te alarmuar, njoftuam nënën, por ajo na qetësoi: “Mos u trembni e mos e ngacmoni se ai nuk del që andej ditën e nuk ju ha, është gjarpër shtëpie”!!…

Enigma e një nate tragjike

 

Në vitin 1974, punoja në malin e Dajtit. Nga bazeni që i sjell ujin Tiranës, me dy pompa centrifugale u dërgoja ujë sondave të gjeologjisë që shponin për zbulimin e mineralit të boksidit. Një mëngjes, sapo u ngritëm bashkë me pompistët e bazenit, dëgjuam zëra e thirrje nëpër pyll dhe poshtë nga përroi shkëmbor që shtrihej përbri stacionit. Pas një gjysëm ore, katër ushtarë të repartit që ruanin vilat e udhëheqësve sollën të mbartur me batanije pranë stacionit një njeri të vrarë, të shembur, me plot plagë dhe të ngrirë, me duart e përthyera sipër gjoksit. U tmerruam dhe ndiem keqardhje pasi edhe e njihnim. Më pas mësuam se në mbrëmjen e asaj nate kishte dalë nga rruga një makinë kamion dhe pasi ishte rrokullisur rreth pesëqind metra nëpër drurë, shkurre e shkëmbenj, kishte lënë prapa tre të vdekur. Personi ne fjale ishte shoferi i makinës. Aty nga ora dhjetë, një fillruajtës, ndërsa ndiqte shtyllat për të gjetur telin e këputur te telefonit, ngaqë nuk i punonte linja e repartit ushtarak, zbuloi një njeri të varur me kokën poshtë në çatallën e një peme. E nxorën njeriun dhe për habinë e të gjithëve, atij i punonte pulsi, pra, pas gjashtëmbëdhjetë orëve i varur me kokë poshtë, nuk kishte vdekur. Në spital, pas shumë përpjekjesh, jo vetëm që u soll në vete, por edhe u kthye në jetë! Ma merr mendja se eshte i nxituar vleresimi se çudi e botes është muri në Kinë apo disa piramida në Egjipt, të cilat janë ngritur në fund të fundit, me shpatullat e miliona robërve duke u ardhur kamzhiku prapa. Çudia e vërtetë fatale, me e madhja dhe e panjohura qëndron brenda jetës njerëzore.

 

Gruaja “e gjurmuar” nga rrufetë

 

Nga ekrani i televizionit më mahnit jeta e një gruaje amerikane. Atë e kishte goditur rrufeja në një ditë të keqe kur nga retë e zeza binte një shi i dëndur. Gruan e çuan menjëherë në spital, në një gjëndje të rëndë. Në trupin e saj kishte jo vetëm djegie, por edhe njolla te errëta dhe rënie flokësh. Pas shumë mjekimesh u shërua dhe doli nga spitali me ndonjë gjurmë të lehtë të djegies. Bashkë me të shoqin, vazhdonin jetën normale duke u përpjekur të harronin kujtimin e hidhur, por për çudi, gruan fatkeqe e goditi perseri rrufeja, duke e lënë në gjëndje kome. U deshën përsëri shumë mjekime, shumë kohë vuajtjesh, madje iu desh të përdorte edhe karrocë invalidi, Përsëri  u përmirësua dhe arriti gjëndjen normale.por jetonte me një frikë të madhe ne zëmër. Nga që stresi nuk e linte të qetë iu lut të shoqit të largoheshin nga ai shtet që shpërthimet e qiellit i kishte të shpeshta, në një shtete tjeter ku shumicën e kohës e përbënin ditët me diell dhe rrufetë ishin tepër të rralla. Në vëndin e ri, stresi iu largua zonjës së trëmbur. Jeta e çiftit rridhte e qetë, madje edhe e gëzuar. Mirëpo, nuk qe e thënë të largohej çudia pasi një ditë, papritur, qiellin e veshën retë e murrmë që lëshuan drejt tokës shigjetën e zjarrtë. Zonja në fjalë u ndodh me duart te rubineti i çezmës prej të cilës u shkëput duke u përplasur në dysheme pa ndjenja! Perseri mjerime, vuajtje, dhimbje e mbi të gjitha, frikë dhe pasiguri, duke ia lënë shpresën për të nesërmën besimit te ajo forcë e fatit që i kishte vënë prapa rrufenë!!…

 

Ankthi i parandjenjës

 

Aty nga fillimi i viteve shtatëdhjetë, jetoja në Ibë të Tiranës. Isha me punë në një ekip gjeologjik. Pranë nesh ishte edhe nje sektor i minierës së qymyrit. Aty punonte një punëtor i ardhur nga fshati sic ishin shumica e njerezve që punonin në minierë. Xhemës, sic e thërisnin shokët, i ishte mbushur mëndja se fundi i jetës do ti vinte nga makina e për pasojë, kurrë nuk hipte në makina. Shokët që e rrethonin talleshin me të, madje e quanin edhe budalla,siç ndodh rëndom me njerëzit të cilët, nuk e jetojnë, apo nuk thellohen në hallin e tjetrit. “budallai”, per mua njeriu i çuditshëm ecte më këmbë, nga Tirana në Ibë dhe anasjellas, pa u bërë merak për tre a katër a pesë orët e përditshme të udhëtimit. Kureshtja më nxiti të njihesha me të. Kështu e thirra një ditë në tavolinë, në lokalin e vogël që ndodhej fare pranë ekipit.Me këmbënguljen time e pranoi një kafe dhe një gotë raki. Gjeta mënyrën dhe ia hapa bisedën te meraku i tij të cilin e dinin të gjithë. Ai, ashtu me kokën ulur plot urtësi, vuri buzën në gaz dhe më tha:

–              Njerëzit janë të marrë, kur kanë kushdi se sa halle të tyre përse i ha meraku im? Unë kam bindjen time që nuk ma ndryshon dot njeri. Atëherë c’ka këtu per tu bërë mërak të tjerët? U ndava me të, natyrisht, pa e shuar kureshtjen për bindjen e tij, por në vetëdije, më qëndroi respekti për të. Jetonim atëhere kohën kur të gjithë njerëzit brënda moshës aktive, gjatë dhjetë a dymbëdhjetë ditëve në vit do kryenin të detyruar nje stërvitje ushtarake, të cilën e quanin “zbor”. Erdhi koha që edhe njeriun për të cilin po shkruaj këto radhë e thirrën në stërvitjen ushtarake. Pasi u krye detyra e zborit në një repart prapa malit të Dajtit, aty nga mesdita zboristët u lanë të lirë të largoheshin me nje makinë “Gas 51”. Xhema i trëmbur nga makina, u nis ta bënte rrugën më këmbë, ndonëse do t’i duheshin shume orë udhëtimi. Shokët e tij, si për inat të tij, e rrëmbyen me zor dhe e ngjitën në makinë. Kundërshtimi dhe britma e tij ishte e frikshme dhe këmbëngulëse, por nuk mundi të përballonte dot forcën e shokëve. Makina u nis, Xhemën e mbanin fort  për krahu. Fytyrën e tij e kishte përfshirë frika e bindjes tragjike. Pas disa kilometrash udhëtimi, makina doli nga rruga në një kthesë dhe mori rrokullimën tragjike në një greminë me dhjetëra metra drejt një përroi. Përfundimi?! Njëzet veta të vdekur midis tyre edhe Xhema qe i urrente per vdekje makinat! Nuk ma merr mëndja se përpara kësaj ngjarjeje përbën ndonjë çudi të madhe Akropoli, ose cilado vepër e ngritur me fuqitë e njeriut….

 

Share This Article
2 Comments
  • Siriu me tregimet e ti te shkruara me shume talente ,eshte per tu pergezuar dhe uruar shendet dhe suksese te tjera

  • Bukuria e shkrim-tregimeve te Siriut eshte ironia dhe cinizmi i jetes sone si komb , tipik shkrimtar lab i brumosur me tabanin popullor . Respekt Siri nga nje ish injohur , FV. Paris .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *