Vendi i tretë në Copa America është i Perusë. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Gareca fitoi me rezultatin 2-0 përballë Paraguait në finalen e vogël duke i bërë mbylljen më të mirë turneut që po zhvillohet në Kili.
Në qytetin e Concepcion vendosën dy gola të realizuar nga Carillo dhe Guerrero. Takimi nisi i qetë dhe i vetmi rast për tu shënuar në pjesën e parë ishte tentativa e Oscar Romeros të Paraguait që mori përgjigjen e menjëhershme të portierit të Perusë Pedro Gallese.
Megjithatë bardhekuqët të cilët ishin me të vërtetë të pafat në gjysmëfinalen ndaj Kilit arritën të zhbllokonin shifrat kur kishin kaluar vetëm pak minuta nga fillimi i pjesës së dytë. Ishte Andre Carillo me një goditje fluturimthi ai që mposhti portierin e Paraguait VIllar.
Për të vendosur në kasafortë fitoren e Perusë mendoi sulmuesi Paulo Guerrero që në minutën e 89-të pas një kundërsulmi të shpejtë shënoi golin që i coi shifrat në 2-0. Me këtë realizim ish sulmuesi i Bayernit u ngjit në kuotën e 4 finalizimeve po aq sa edhe Eduardo Vargas i Kilit në krye të listës së golashënuesve.
Ashtu si 4-vjet më parë në Uruguai, edhe në Kili, Peruja u pozicionua sërish e treta në Kupën e Amerikës.
