Mançester Siti në Angli dhe PSG-ja në Francë kanë marrë një dorë nga UEFA e cila ka hequr kufizimet e këtyre dy klubeve sa i përket merkatos, duke i dhënë mundësi të shpenzojnë pa kufi nëse dëshirojnë.
Lajmi është bërë me dije nga mediat në Angli që nënvizojnë se tashmë sheikët e Mançester Sitit kanë dorë të lirë të afrojnë çdo lojtar që ata e mendojnë se është i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga Manuel Pelegrini. Mançester Siti dhe PSG-ja ishin dy nga klubet e mëdha në Evropë që u përballën me gjoba dhe me kufizime të tjera financiare.
Në sezonin e kaluar “Qytetarëve” nuk iu lejua të shpenzonin më shumë se 50 milionë sterlina. Por në një vendim të këtyre orëve UEFA ka vendosur të heqë këto barriera për Mançester Sitin që është gati të hidhet në sulm për të realizuar objektivat e merkatos në verë. Tre nga lojtarët kryesorë në listën e trajnerit Pelegrini janë mesfushori i Liverpulit, Rahim Sterling, mesfushori i Juventusit Pol Pogba dhe ai i Volfsburgut, Kevin de Brujn.
Sipas medieve në Angli të tre këta futbollistë mund t’i kushtojnë plot 150 milionë sterlina klubit anglez që ëhstë gati të hedhë këtë hap për të nderuar një skuadër të denjë për të kthyer titullin në Premier dhe të konkurrojë fuqishëm në Evropë.
Siç dihet Mançester Siti ka dalë me një ofertë konkrete për Sterling duke dhënë 40 milionë sterlina. Ndërkaq Pogba llogaritet rreth 60 milionë sterlina dhe 40 milionë të tjera janë për de Brujn.
