Shqipëri- Kosovë, jo më tarifa doganore për produktet bujqësore

redaktor

Mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ketë tarifa doganore për produktet bujqësore. Ky ka qenë një nga vendimet e marra dje në Prizren mes drejtuesve të financave të të dy vendeve.

Ministria jonë e Financave njoftoi dje se “në terminalet doganore të Kosovës nuk do të paguhet asnjë tarifë për eksportet e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, ndërsa autoritetet qeveritare të Kosovës po punojnë edhe për rishikimin e shpenzimeve të transportit të sipërmarrjeve të të dy vendeve, për t’i unifikuar ato dhe për të krijuar një klime favorizuese biznesi”.

Në takimin e zhvilluar në Prizren, me përfaqësuesit më të lartë të dikastereve përkatëse, janë analizuar me detaje angazhimet e marra dhe arritjet e shënuara. U vlerësua në mënyrë të veçantë përpjekja për unifikimin e dokumentacionit dhe të procedurave doganore dhe është kërkuar që ato të jenë të njëjta në të dy anët e kufirit dhe të orientuara drejt standardeve të Bashkimit Europian.

Sipas vendimeve të djeshme nuk do të ketë kritere risku të ndryshme në të dy anët e kufirit, do të ketë një plan të njehsuar të unifikimit të akcizave për “mallrat e fortë”, pra produktet që paguajnë taksën e akcizës, për të luftuar edhe kontrabandën që vihet re në mungesë të njehsimit të taksave të tilla. Në takim u ndanë mendime edhe lidhur me harmonizimin e procedurave tatimore lidhur me tatimin në burim, tatimin mbi të ardhurat, periudhën e mbartjes së humbjeve, transferimin e çmimit e deri tek përvoja shqiptare për kompensimin e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 20% të fermerëve.

Ekspertët e të dy institucioneve shkëmbyen mendime edhe për rentën minerare, duke marrë në konsideratë dy opsione, atë në përqindje të çmimit dhe rentën në vlerë fikse. Për të gjitha idetë e këtij harmonizimi pala kosovare propozoi jo dy grupe të veçanta në të dy vendet, por një grup të përbashkët miks që të punojë për të përafruar procedurat tatimore dhe doganore.

Unifikimi i certifikatave që shoqërojnë produktet e shërbimet e sipërmarrjeve të të dy anëve të kufirit u vlerësua si një çështje që kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe kjo ishte dakortësi e të dy palëve në takim.

Në vijim të diskutimeve teknike u diskutua edhe për unifikimin e TVSH, transferimin e çmimeve sipas të njëjtës metodologji, shërbimin e unifikuar të tatimpaguesve në të dy anët e kufirit dhe u kërkua të shihen si parësore procedurat dhe vendosja e normave të taksimit të jëtë një çështje dytësore. Po kështu u miratua kërkesa e përbashkët për një qendër të vetme trajnimi të burimeve njerëzore të të dy administratave publike.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *