Këshillë nga një motër çeke: Vlerësoni më shumë veten (INTERVISTA)

anazapta

Ata (çekët) e duan shumë Shqipërinë, duan egërsinë e maleve të veriut në vendin tonë, ndaj edhe shumë prej tyre kanë marrë frymë për herë të fundit në këtë tokë.

Ne udhëtuam në Shkodër dhe takuam atje një grua çeke, Michaela Kubickova, që prej 18 vitesh jeton në këtë qytet. Edhe Michaela e do shumë Shqipërinë, kuptohet nga mënyra se si tregon për këtë vend. Ka mësuar shumë mirë shqip, madje flet edhe në dialekt. Shqipja i shkon dhe i tingëllon bukur me përzierjen që merr nga gjuha e saj. Ajo është ambientuar aq mirë në këtë vend saqë e pranon me plot gojën: “Jam ba shkodrane”.

Pas vrasjes e turistëve çekë, reagimi i shoqërisë ka qenë i menjëhershëm. Në rrjetet sociale nuk ka mbetur njeri pa kërkuar falje për ngjarjen e ndodhur. Por kjo motër nga Çekia ka një tjetër mendim për shqiptarët dhe na bënë thirrje që të vlerësojmë më shumë veten tonë. Ajo e konsideron atë që ndodhi në Prekal të Dukagjinit si një rast të izoluar dhe që mund të ndodhë kudo, në çdo vend të botës, madje ajo është e bindur që krimi nuk ka emër, krimi nuk është shqiptar, krimin e bën individi.

Michaela, e cila shërben si murgeshë në kishën katolike ka pranuar të tregoi për Dita-n jetën e saj në Shkodër, eksperiencat, marrëdhëniet me njerëzit dhe dashurinë e madhe që ka për këtë vend...

 

-Michaela, cila është arsyeja që keni ardhur në Shqipëri?

Unë jam motër saleziane – murgeshë thoni ju. Jam pjesë e një grupi të rregulltarëve në kishën katolike. Instituti jonë është në Shqipëri qysh nga viti 1907. Pastaj në periudhën e diktaturës s’kishte mundësi të vepronte, por nga 1991 rikthehej që të shërbejë popullit në mision edukative. Unë jam dërguar me mision në Shkodër në vitin 1997.

-Ku dhe më kë jetoni në Shkodër?

Në Shkodër jetoj përballë ish-konsullatës italiane. Jemi bashkësia e 6 motrave. Misioni ynë është edukimi i të rinjve. Në shtëpinë tonë kemi kopshtin, shkollën 9-vjeçare, shkollën e mesme, kurset profesionale, konviktin për vajzat. Domethënë, në shtëpinë tonë kemi çdo ditë 500 të rinj, nga më të vegjlit deri më të mëdhenj.

-Kur keni ardhur në Shqipëri?

Erdha në shtator 1997. A doni të dini një kuriozitet? Udhëtova për në Shqipëri atë natë, në të cilën Nëna Tereza ndërroi jetë. Ishte për mua një ngjarje që më ka ba me mendu. Erdha në popullin e saj, e kërkova të më ndihmojë prej qiellit të bëhem një prej jush. J

Edhe nëse si motrat mund të lëvizin nga një vend në tjetër, mua çuditërisht deri tani eproret e mia nuk më kanë ndryshuar. Kështu që, të paktën deri tani, “jam ba shkodrane”.

-Dhe si jeni ndjerë gjatë këtyre viteve në këtë qytet?

Në Shkodër ndihem shumë mirë. Gjithmonë e më shumë kuptoj, që Shqipëria është vend për mua. Ndihem këtu si në shtëpinë time, ndihem një prej jush.

Besoj, që njeriu që jeton gjithmonë mes vlerash rrezikon që as të mos t’i vejë më re ato, sepse i duket normale. A mund t’ju ndihmoj të shihni pak nga vlerat tuaja? Kur erdha në Shkodër, motrat e bashkësisë më thanë që duhet të flisja me një person që mund ta takoja tek universiteti. Nuk e njihja fare Shkodrën, por rrugën deri tek Universiteti ma shpjeguan. U nisa. Erdha deri tek Universiteti dhe kërkova atë person. Aty më thanë që momentalisht ndodhet te Bashkia. Nuk e kisha haberin, ku ishte Bashkia. Ajo gruaja, e cila më dha informacion, la të gjitha punët e saj dhe erdhi me mua deri te Bashkia, gjeti personin të cilin doja ta takoja dhe iku vetëm kur ishte e sigurt, që isha duke folur me personin e duhur. Kjo nuk do të kishte ndodhë në vende të tjera, maksimalisht do të më kishin shpjeguar rrugën, por askush nuk do të kishte ardhur me mua. Kjo ishte përvoja ime e parë me zemërgjerësinë dhe mikpritjen tuaj. Dhe ky ishte vetëm fillimi e përvojave të tjera…

-Cilat janë qytetet shqiptare që keni vizituar në gjithë këto kohë?

Unë – si çeke e vërtetë – jam e dashuruar me malet tuaja. Kështu që njoh Thethin dhe rrethinat, njoh Malësinë e Madhe, njoh Shllakun, dhe kudo kam gjetur njerëz të mrekullueshëm. Kemi shkolla dhe me to bëjmë edhe shëtitjet në vende të ndryshme të Shqipërisë. Kështu që pata fatin e mirë të vizitoja shumë vende me bukuri të ndryshme: natyrore, historike, folklorike, kulturore. Dhe kudo që erdha gjeta njerëz zemërmirë. Nuk e di si është e mundur, por po kërkoj të gjej në kujtesën time ndonjë takim me ndonjë person negativ, por sinqerisht nuk gjej. A e dini çfarë me vjen keq? Më duket që ndonjëherë shkurajoheni, nuk i besoni vetvetes, ju duket, që nuk “jeni njerëz” – siç mund të shprehej dikush. Dua me ju kundërshtu me gjithë forcën time: Nuk është e vërtetë! Unë kudo që erdha gjeta zemërgjerësi, zemërmirësi, gatishmëri për ndihmë dhe pozitivitet. Mos u besoni atyre, që ju kërkojnë të bindeni për të kundërtën. Vazhdoni të jetoni me vlerat që gjenden mes jush, në popullin tuaj!

Moter Michaela-Michaela, a keni shumë miq shqiptarë dhe si ndiheni mes tyre?

Jetoj këtu tash 18 vite. Gjëja që më ngroh zemrën është, kur konsiderohem një prej jush, shqiptare si ju. Të gjithë të rinjtë që kanë kaluar në shkollën tonë janë thellë në zemrën time dhe i uroj më të mirën e tokës dhe të qiellit. Sigurisht që kam miq shqiptarë dhe ndihem midis tyre sinqerisht shumë mirë. Disa persona, për mua kanë vlerë të veçantë, më pëlqen të bisedoj me ta, të reflektoj mbi këndvështrimet e tyre. Miqësia me ta është për mua pasuria më e madhe.

-Sipas jush, që duhet t’i njihni shumë mirë, pse çekët janë kaq të dhënë pas Shqipërisë?

Na pëlqejnë malet. Na pëlqejnë malet e paprekura, të “egra”. Kemi zakon të ecim në këmbë. Të shijojmë natyrën, ta sfidojmë, të flemë në natyrë. Nuk kërkojmë hotele, na mjafton një copë tokë dhe mundësisht ndonjë kron me ujë. Malet në Shqipëri kanë bukuri të rrallë. Na pëlqen të zbulojmë zakonet, traditat, të jemi eksploratorë. Dhe kjo është ndoshta edhe shkaku që disa herë rrezikojmë pak si tepër.

-Pak ditë më parë dy bashkëqytetarët tuaj humbën jetën në mënyrë tragjike, si u njohët me ngjarjen?

Më kanë treguar miq të mi në Facebook. Ata e dinë që jam prej Çekisë dhe i erdhi keq. Pastaj kërkova nëpër lajme dhe lexova për ngjarjen.

-Kishit njohje me çiftin që humbi jetën tragjikisht në Prekal?

Jo. Këtu vijnë shumë çekë dhe shumicën prej tyre nuk i njoh fare. Disa kalojnë nga shtëpia jonë, sepse e dinë që jetoj këtu. Por normal, kur jeni në vendin e huaj dhe takoheni me një shqiptar, ju duket që takuat me një prej tuajve, edhe nëse nuk jeni njoft përpara. Kështu ndodh edhe mua. Kur takoj ndonjë person prej Çekisë, e ndiej si “i njëjti gjak” edhe nëse nuk e njoh personalisht.

-Janë disa rast kur qytetarë çekë kanë pasur një fund tragjik në vendin tonë, si e shpjegoni që ngulmohet për të ardhur sërish?

E di që nuk është hera e parë. Në vitin 2001 isha personalisht shumë e angazhuar në kërkim të tre çekëve të humbur. Isha duke ndihmuar me përkthim, isha duke bashkëpunuar me policinë. Kur dëgjova për ngjarjen që ndodhi tani, më ndali fryma. Shpresova dhe doja ta kisha kuptuar gabim. Për fat të keq ishte e vërtetë. Por jam e bindur, që fakti që janë çekë, nuk ka lidhje me krimin. Ajo, që tërheq disa persona të pabesë është shpresa që mund të pasurohen në mënyrë të pandershme nga turistët. Dhe një përqindje e madhe e turistëve në zonat malore janë nga Çekia. Probabiliteti që turisti, të cilin kërkojnë të grabisin, është prej Çekisë është më i madh, sepse turistët çekë janë në malet shqiptare “me shumicë”.

-Dhe pse këmbëngulin të vijnë edhe pas disa përvojave negative?

Ju thashë, na pëlqen aventura, na pëlqen eksplorim, na pëlqen ashpërsia e maleve. Të gjithë ata kanë brenda vetes një dozë të rrezikut. Rreziku bën pjesë të pasionit tonë për malet. Por rreziku që sjell natyra. Është apasionuese të sfidosh forcat natyrore. Dhe është gjynah të duhet të kesh frikë njerëz. Besoj që e kemi pak të vështirë të besojmë që mund të takohemi me ndonjë njeri të keq në malet tuaja. Dhe në fakt nuk ka arsye të besojmë një gjë e tillë. Kjo fatkeqësi mund të ndodhet në çdo vend e botës.

-Autoritetet çeke e panë kështu këtë ngjarje, siç thoni ju, që mund të ndodhte në çdo vend dhe si një rast të izoluar, cili është komenti juaj?

Çifti çek i vrarë në Dukagjin

Besoj që s’mund të bëhej një konkluzion i ndryshëm nga ky. Nuk do të kishte kuptim. Në çdo vend e botës, fatkeqësisht, ndodhen edhe persona që veprojnë keq. Ata nuk kanë lidhje me kombin. Të keqen nuk e bën njeri sepse është shqiptar apo çek apo italian apo kush e di se kush. Të keqen e bën ai njeri i cili nuk di të jetojë mirë mes njerëzimit. Ai që fatkeqësisht dëshiron ta bëjë këtë e bën, kudo që të jeton dhe çfarëdo kombësie t’i përkas.

-Në rrjetet sociale ka patur një sensibilizim të madh të qytetarëve shqiptarë për të dënuar vrasjet e çiftit çek, si e shikoni këtë reagim?

Që të ju them të drejtën më ka habit ky reagim kaq i ndjeshëm dhe fisnik i popullit shqiptar, jo që nuk ia njoh këto vlera, por nuk besova që do të reagonit në mënyrë kaq të dukshme. E di që populli juaj e njeh dhimbjen e paragjykimeve nga të huaj. E di, që kjo ngjarje mund të shkaktojë një paragjykim të ri. Dhe për këtë me vjen sinqerisht keq. Për këtë jam duke kërkuar të flas edhe në Çeki e të tregoj se sa shumë ndiheni të prekur si popull nga kjo ngjarje. Që ta dinë të gjithë çekët, që ju si popull s’keni lidhje me një kriminel.

-Pas kësaj që ndodhi, mendoni se do të stepen qytetarët e tjerë nga vendi juaj për të ardhur në Shqipëri?

Besoj që është e kuptueshme, që të paktën për një periudhë do të kenë frikë të vijnë, e sidomos në zonat e maleve, por pikërisht ata atje synojnë, kështu që besoj për një kohë turistët çekë do të jenë më të paktë. Shpresoj që kjo periudhë nuk do të zgjat shumë, sepse do ishte gjynah me humb këtë mundësi të vizitojnë vendin me natyrën e mahnitshme, me traditën dhe kulturën e veçantë dhe me njerëz bujarë, fisnikë dhe zemërmirë.

-Cilat zakone ju bëjnë përshtypje ne vendin tonë?

Ajo që më duket shumë e bukur është tradita e “besës”. Besa e cila nuk ka nevojë të nënshkruhet në ndonjë kontratë sepse nëse jepet, është dhe pikë. Mikpritja juaj është vërtet e denjë e admirimit. Më kujtohet dreka mbretërore në zonën e Shllakut. Në fund vura re që zonja e shtëpisë hëngri lakna të zeza. Kuptova, që për drekën tonë ka shku në tërë fshatin duke kërkuar borxh ushqimin, vetëm që të mos të na mungojë diçka!

-Ju e keni familjen në Çeki, shkoni shpesh, çfarë mendimi kanë ata për Shqipërinë?

Në Çeki shkoj një herë në vit, për pushime dyjavore. Unë dua fort Shqipërinë, a mund të shikon ndryshe këtë vend familja ime? E din, që është shtëpia ime dhe që jam lumtur këtu.

motra-Cila është situata apo ndodhia më interesante me të cilën jeni përballur në Shqipëri?

Do ju tregoj si kam hangër mjalt’ për tërë jetën time? Ishim në zonën e Shllakut. Kemi shkuar në verë për t’u dhënë mësim fëmijëve që jetonin atje. Nga një fshat ishin duke ardh’ vetëm djem. Më dukej çudi, pse nuk vinin vajza. Më thanë që familjarët nuk i lejojnë, sepse kanë frikë. I thash vedit: shkoj atje dhe inshallah (shprehje interesante për një motër katolike) do t’i bindemi. Shkova me një djalë, që ishte duke më ndihmuar – quhej Bardhok. Shkuam tek familja e cila insistonte që duhet të hanim drekë te ta. Unë nga Çekia jam mësuar që çfarë është në pjatë, hahet krejt, sepse është gjynah të hedhësh në mbeturinë. Dakord. Na kanë ofruar secilit një pjatë plot me mjaltë! Sipas logjikës time duhet ta përfundoja. Kuptova edhe që familja është e varfër, arsye më shumë për mua, që të mos shpërdoroj asgjë prej zemërgjerësisë së tyre. Fillova të haja. Një lugë, dy lugë, tre lugë dhe më dukej që s’mundem më. I thash Bardhokut, i cili mori gjysmë luge dhe e ka la: Unë s’mundem më. Më ka përgjigj: lëne, s’ka gja. Por më erdhi keq t’i kthej pjatën e plotë. Nuk e kisha dit që ajo pjatë përdorej veç për hapjen e oreksit! Vazhdova me hangër atë mjaltë të shkretë edhe pse më dukej se po më binte të fikët. A ju besohet që përfundova tërë atë pjatë? Por nuk kam hangar asgjë tjetër atë ditë, djersita, kërkova ujë deri në darkë dhe aty vendosa, që kurrë më mjaltë në jetën time nuk do të fusja në gojë. Më vonë kuptova çfarë dëmi i shkaktova asaj familje të shkretë, ndoshta i hangra mjaltin për tërë vitin atë ditë! Por nuk më lanë të kuptoja asgjë. Ja – madhështia e mikpritjes shqiptare!

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *