Skënderbeu e mbyll me disfatën 3-0 ndaj Dinamos së Kievit turin e miqësoreve gjatë fazës përgatitore në Austri. Në testin e fundit skuadra e Mirel Josës u mposht me rezultatin 3-0 përballë kampionëve të Ukrainës, një skuadër me buxhet dhe organikë ndjeshëm më të pasur se ajo e korçarëve, çka e bën rezultatin mëse të pranueshëm, megjithëse duke marrë në kompleks ndeshjet e zhvilluara në Austri bie në sy mungesa e shënimit të golave nga ana e skuadrës korçare. Në takimin me Dinamon kampionët e Shqipërisë kanë vuajtur edhe problemet fizike të disa lojtarëve pasi nuk mundën të luajnë për këtë arsye përveç Shkëmbit të dëmtuar dhe Radas, Sabien Lilaj dhe Arbër Abilaliaj ndërkohë që janë aktivizuar nga minuta e parë edhe mesfushori i avancuar Esquirdinha si dhe Hamdi Salihi në sulm.
Prezenca e shkodranit nuk ka mundur të konkretizohet me gol pasi pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura ukrainasit kaluan në avantazh që në fillimin e të dytës me Sidorcuk, në të 70-n Bujalski dyfishoi, ndërsa goli i tretë u shënua nga Kravec që tundi rrjetën pas neutralizimit të dy tentativave radhazi nga Orges Shehi. Kjo ishte miqësorja e 7-të e Skënderbeut në Austri, takime nga të cilat kampionët e Shqipërisë kanë fituar vetëm përballë rumunëve të Botosanit 2-1, ndërsa janë mundur më pas nga Spartak Trnava, Universitatea Craiova, Lask Linz, Shakhtjar Donets dhe Duisburg, duke shënuar vetëm 3 gola në të 7 takimet e luajtura. Skënderbeu rikthehet në Shqipëri këtë të martë për të vijuar më pas në Korcë përgatitjet për ndeshjen e parë të turit të dytë paraeliminator në Champions League, kundër fituesit të çiftit Crusaders-Levadia Tallin, e cila është programuar për në 14 korrik.
