Greqia është një vend me fat

redaktor

Ka një reflektim gjithmonë e më të thellë në nivel evropian përballë votës “JO”, që erdhi nga Greqia. Reflektim që nga njëra anë ekspozohet me një elasticitet pozicionimi, por nga ana tjetër shfaq dhe ndjesi pakënaqësie, hezitimi si edhe revoltimi të pashmangshëm. Çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim dhe si janë të pozicionuar ndaj krizës greke vendet anëtare të Eurozonës  ?

Elastikë, por të pakënaqur

Ka një elasticitet gjithnjë e në rritje jo vetëm të aktorëve të lartë evropianë, por edhe të një diplomacie të rëndësishme të Unionit, siç është ajo e Berlinit. Pavarësisht, braktisjes së njëanshme të tavolinës së negocimit dhe shkuarjes drejt referendumit popullor, pritet pa asnjë lloj parakushti propozimi i paketës së reformave, që do të vijë nga Athina.

Por, ky elasticitet ndërthuret gjithashtu edhe me një pakënaqësi. Pakënaqësi, që lidhet me konceptimin e njëanshëm të demokracisë dhe përdorimin e armëve të saj. Përdorimi i kësaj arme (referendumit) me synim dominimin ndaj 18 demokracive të tjera, nuk e bën një vend më demokratik se të tjerët, por vetëm ekspozon qëllimin e politikave fine makiaveliste.

“Një demokraci nuk vlen më shumë se tjetra dhe se, në Eurozonë janë 19 demokraci”, deklaroi sot kreu i KE-së, Junker. 

“Nëse Finlanda do të bënte të njëjtën gjë, duke pyetur qytetarët e saj nëse janë të gatshëm të hapin portofolin e tyre për të tjerët, çfarë do të ndodhte ? A do të ishte kjo një demokraci e keqe ?, -do të deklaronte kreu i grupit të PPE, gjermani Weber.

Konceptimit të njëanshëm të demokracisë i shtohet edhe një perceptim i gabuar, që shtrihet gjerësisht tek populli grek, mes diskriminimit dhe mosfavorizimit përballë kombeve të tjerë në BE. Kreu i KE-së, Junker do t’i rikujtonte kombit grek gjatë fjalës së tij të sotme në Parlamentin Evropian se : “Papunësi të lartë ka edhe në vende të tjera të Unionit, varfëria është më e madhe në disa vende të tjera të Unionit, dhe se rrogat dhe pensionet janë më të ulëta se, sa ato greke në disa prej vendeve të Unionit. Mos të harrojmë Greqinë, por as pjesën tjetër të Evropës”.

Mes hezitimit dhe rebelimit

Hezitimi shtrihet në tërë spektrin politik evropian dhe lidhet ngushtësisht me paketën e reformave, që pritet të propozohen nga Athina. Mendohet gjerësisht se, nuk mund të ketë oferta dhe propozime më të mira se, ato të fundit të parashtruara në tavolinën e negocimeve.

Ky hezitim ka shoqëruar edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore Evropiane, e cila pavarësisht se mund të konsiderohet se e la gjendjen në një “Status quo”, ashpërsoi kriteret për marrjen e tyre. Çka nënkupton se, reagimi i mëtejshëm do të varet nga vendimi i sotëm përgjatë diskutimeve, si edhe nga reagimi i palës greke përballë një marrëveshje të mundshme.

Ndërkohë, kreu i KE-së Junker gjatë fjalimit të sotëm në PE, do të shtronte edhe një pyetje mister për të se: “Ku konsistonte “JO”-ja e referendumit ?! Sipas tij, populli shkoi të votojë për një tekst, për një çështje që nuk ishte aspak aktuale dhe ishte refuzuar si e tillë paraprakisht nga vetë Tsipras. “Atëherë, për çfarë votoi populli, a ka njeri të ma shpjegojë ?!”,- do të pyeste publikisht Junkeri paraditen e sotme në PE.

Ndërsa revoltimi, ka prekur një sërë drejtuesish evropianë, teksa në përpjekje për të kontribuar në zgjidhjen e krizës bien pre e retorikës populiste, duke i konsideruar ato në mënyrë të gabuar  dhe të padrejtë si “terroristë”. Junker, Pittella, por edhe Schulz shfaqën indinjatën e tyre ditën e sotme përballë retorikës së gabuar. Retorikë, që nuk e zbukuron aspak imazhin demokratik të një vendi. 

Çfarë pritet të ndodhë

Parisi dhe Berlini ranë dakord dje në Elize, për një elasticitet ndaj krizës greke duke komunikuar pritjen për një paketë urgjente, serioze dhe precize reformash. Pro Berlinit dhe Parisit është pozicionuar edhe Roma. Kreu i grupit të social-demokratëve në PE, italiani Pittella, do të deklaronte paraditen e sotme se, është momenti për veprim dhe zgjidhje, për solidaritet, për përgjegjshmëri, për të evituar panikun bankar si edhe për të shpëtuar Evropën.

Teksa pritet paketa me reformat konkrete nga pala greke, pasditja e sotme do të zbardhë më tej qëndrimin dhe reagimin gjatë mbledhjes së Eurogrupit dhe të Eurozonës.

Nuk duhet nënvlerësuar se, diplomacia amerikane ka shprehur gjithashtu shqetësimin e saj mbi krizën në Greqi duke gjykuar dhe rekomanduar se, është shumë i rëndësishëm qëndrimi i Greqisë në Eurozonë.

Ndërkohë paraqet interes edhe njohja paraprake me pozicionimin e vendeve anëtare të Eurozonës, kush janë pro dhe kundër qëndrimit të Greqisë në Eurozonë.

Përveç Parisit, Berlinit dhe Romës edhe Spanja, renditet në kampin e shpëtimit, duke dëshiruar negocimin e një plani të tretë shpëtimi për Greqinë. Spanja nuk kërkon absolutisht daljen e Greqisë nga Eurozona, por ka një theks në rritje ndaj domosdoshmërisë së kryerjes së reformave.

Në kampin e kundërt renditen qëndrimet e Gjermanisë, që specifikojnë mosplotësimin e kushteve për negociata për një program të ri ndihme. Por, ky pozicionim përmban gjithsesi elasticitet, që injektohet edhe nga vullneti i diplomacisë franceze, për më shumë solidaritet dhe mirëkuptim. Pra, mund të vlerësohet si një qëndrim i luhatur mes solidaritetit të dëshiruar dhe disiplinës së rregullave të kërkuara.

Pro Gjermanisë është pozicionuar edhe Sllovakia. Anëtare e Eurozonës që prej vitit 2009, Sllovakia nuk dëshiron më të paguajë për shtetin grek. Ajo është shprehur pro një skenari Grexit, që do të jetë një zgjidhje e vlefshme në planin afatmesëm dhe një zgjidhje e domosdoshme në planin afatgjatë nëse nuk kërkohet shthurja e Eurozonës. Edhe Belgjika kërkon propozime konkrete nga Tsipras për zgjidhje të situatës ekonomike në vend. Holanda gjithashtu kërkon aplikimin e masave të dhimbshme por që kanë dhënë efekt në vende të tjera. Ndërsa Finlanda teksa është shprehur por Grexit, beson se vendi do ia dalë më mirë ekonomikisht jashtë zonës euro. Edhe Irlanda është pozicionuar kundër Greqisë, duke gjykuar se vendi ka dalë nga kriza nëpërmjet aplikimit të këtyre masave dhe se Greqia duhet të bëjë të njëjtën gjë.

Edhe vendet e ish kampit komunist janë renditur kundër Greqisë. Bullgaria vlerëson gjithashtu se, nuk e mbështet qeverinë e Tsipras dhe se duhet të ndjekin rrugën e reformave. Estonia, është shprehur e frikur ndaj rezultatit të referendumit duke parashikuar skenar negativ për të ardhmen e vendit. Letonia është pozicionuar duke shprehur një parashikim për vështirësi ekstreme në diskutimet e mëtejshme. Ndërsa Lituania, ka deklaruar se është shumë e varfër për të paguar gabimet e Greqisë, duke i rekomanduar zbatimin e masave të shtrëngimit ekonomik. Sllovenia, e cila është bërë pjesë e aplikimit të masave shtrënguese ekonomike është gjithashtu kundër reagimeve greke.

Ndërsa vendet që s’janë në Eurozonë si Polonia, janë gjithashtu pro Grexit. Ndërsa Hungaria, Rumania, Kroacia, Republika Ceke, Suedia nuk janë prononcuar për krizën.

Teksa pritet mbledhja e Eurozonës, situata ka ndryshuar ndjeshëm në favor të Greqisë. Krerët e BE-së përjashtuan publikisht skenarin Grexit. Shtetet me peshë më të madhe në BE, janë pro gjetjes së një konsensusi në marrëveshje dhe qartazi kundër skenarit të daljes së Greqisë nga Eurozona. Edhe pozicionimi i SHBA-së, është pro mbajtjes së Greqisë në Eurozonë. Përgjegjësinë e radhës tashmë e ka Greqia për të ofruar një paketë reformash serioze dhe të arrijë të bindë 18 anëtarët e tjerë të Eurozonës. Nëse kjo arrihet Greqia ka shpresë t’i rikthehet normalitetit, duke eliminuar përkohësisht skenarët shkatërrues jo vetëm për të, por edhe për vetë Unionin./im.ta/

Shkrime të tjera:

Greqia mes fitores dhe kaosit

Greqia tashmë ka dalë nga Eurozona

BE thirrje popullit grek: Nvse votoni JO i thoni JO Evropës

Evropa në bllok kundër Greqisë: “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë

 

 

Share This Article