Vajti që të vendoste lule në nderim të viktimave të Srebrenicës masakruar 20 vjet më parë nga bashkatdhetarët e tij serbë, por e kanë pritur me gurë, sharje dhe urrejtje. Kështu i ka ndodhur kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, që ndërsa tentonte të jepte një mesazh pajtimi, është përballur me mllefin dhe zemërimin e turmave të boshnjakëve që e kanë tmerrësisht të vështirë të harrojnë rreth 8 mijë bashkëpatriotët të tyre të shfarosur në një masakër ndoshta, më e përafërta me ato të kampeve naziste të shfarosjes. Dhe si në jo pak raste të tjera në Ballkan, kufiri mes së drejtës dhe të gabuarës mbetet për palët aspak solid apo i qartë dhe, për rrjedhojë, edhe mundësitë e konfliktit shumë të mëdha. Kush është fajtori? Por mbi të gjitha a do të vazhdojë rajoni të jetë viktimë e të keqes, e asaj që ka ndodhur pa shpresë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë?
***
Ndërsa shikoja videon ku kryeministri serb goditej turpërisht dhe pabesisht me gurë e sende të forta dhe ai vetë e bodigardët e tij përpiqeshin të gjenin strehë nën fletët e brishta të një çadre shiu, mu duk sikur thuajse të njëjtat pamje i kisha parë ca kohë më parë. Po, po, i kisha parë gjatë tollovisë që ndodhi në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi. Ishin të njëjtat turma, i njëjti mllef dhe urrejtje etnike, i njëjti sulm i turpshëm me gurë e sende të forta, e njëjta pabesi e sulmit mbi mikun që të ka shkelur në derë dhe prandaj, duhet respektuar e mbrojtur edhe sikur të jetë, ai personalisht, hasmi i shtëpisë. Dhe menjëherë më erdhi në majë të gjuhës pyetja: Po tani a e kupton o Aleksandër Vuçiç, tani që gurët dhe mallkimet të ranë padrejtësisht mbi shpinë, a e kupton se sa i padrejtë, sa i verbër dhe, për dreq, sa i pavdekshëm është helmi i urrejtjes që ngjall etno-nacionalizmi? A e kupton se sa e padrejtë ishte llava e urrejtjes dhe e dhunës që u derdh mbi lojtarët e përfaqësueses shqiptare të futbollit që të kishin shkelur në Beograd për të luajtur futboll, ndaj atyre futbollistëve, baballarët e të cilëve nuk kanë bërë ndonjë vrasje apo masakër në Serbi as 20 vjet më parë dhe askurrë? Ti nuk e mendoje të rëndë atë që i ndodhi sportistëve shqiptarë në Beograd madje, për këtë, e quajte të gabuar dhënien e 3 pikëve ekipit të Shqipërisë. Shpresoj ta kesh kuptuar tani. Por mbi të gjitha të kesh kuptuar se sa investim i keq është ai që Serbia bëri 20 vjet më parë, jo vetëm për bashkëkohësit por edhe për breza të tërë, pra se çfarë bumerangu këmbëngulës dhe i palodhur dhe afatgjatë, është ngopja me gjak, luftë e masakra e kuçedrës së nacionalizmit.
***
Vajtja e Vuçiçit në Serbrenicë për të nderuar me lule të masakruarit nga Serbia është një akt paqesjellës që meritonte vetëm lëvdata dhe kurrsesi gurë dhe sharje. Ai është dhe një pranim zyrtar i një krimi që Serbia ka refuzuar ta pranojë deri sot dhe për të cilin, një pjesë e opinionit dhe e medias serbe, nuk ndihen akoma fajtorë. Por më i lartësuar është qëndrimi i një nëne boshnjake që i vuri në gjoks kryeministrit Vuçiç “lulen e Srebrenicës” shoqëruar me fjalët: Faleminderit që erdhe në vendin e gjenocidit sepse vetëm mbi të vërtetën mund të arrihet pajtimi! Vetëm me akte të tilla që kërkojnë të mbyllin plagët e rënda të luftës me falje nga njëra anë, dhe pendesë dhe shtrirje dore nga ana tjetër, për paqë e miqësi mes kombeve, do të mundin ta nxjerrin Ballkanin nga gjeratorja e konflikteve etnike që e kanë shndërruar për shekuj me radhë në një fuçi baruti.
***
Por duhet ta pranojmë. Mllefi etnik është vështirë i kurueshëm, një e keqe këmbëngulëse, akronile, që në Ballkan ka shpërfillur deri edhe shekujt. Dhe ajo që ndodhi në Srebrenicë por edhe në stadiumin e Beogradit kohë më parë, tregon se baruti është aty, në përndezjen e turmave të irrituara dhe të verbuara nga mllefi nacionalist. Një barut që e mbajnë thatë jo vetëm nga kujtime të përgjakura por edhe skenarë që e lakmojnë dhe nxisin përçarjen dhe luftën fetare në Ballkan. Një barut që nuk mungon as edhe në Tiranë e Prishtinë kur shikon turma që 3 pikë të dhëna për drejtësi si ndëshkim ndaj dhunës nacionaliste të ushtruar ndaj ekipit shqiptar në Beograd, i festojnë me të njëjtin verbim dhe me slogane etno-nacionaliste që nuk ndjellin paqe e bashkëjetesë, por urrejtje dhe luftë. Diplomacia dhe politika në çdo shtet të Ballkanit shihet qartë se lundron në ujëra të egër nacionalistë, të gatshëm të tallaziten edhe nga flladi më i lehtë. Politika ballkanase ka nevojë të zbusë turmat e egra etno-nacionaliste dhe jo, si rëndom ka ndodhur, të ushqejë gjakimet e tyre në kërkim të një vote. Dhe do të ishte e pafalshme, një krim i rëndë ndaj Ballkanit, nëse urrejtja e turmave të marrosura nga plagët e rënda të shkaktuara prej nacionalizmit, të turmave që hedhin gurë kundër luleve të paqes, të turmave që topin e futbollit e shohin si gjyle, do të errësojë arsyen që shtyn drejt paqes, bashkëjetesës dhe integrimit. Atëherë Ballkani do humbiste shansin për të kapur Europën dhe do të rrokullisej praptazi në humnerën e luftërave, konflikteve dhe masakrave si ajo e Srebrenicës që sapo e përkujtuam me lule dhe dhimbje por për dreq, edhe me gurë dhe urrejtje për njeri-tjetrin!

serbet maqedonet dhe malazezet bashke me greket vetem ndaje kombite shqiptare kane bere cfare kane dashure dhe po e bejne e do ta bejne sa te kene nen komande te gjithe maskarenje tradhetarer dhe pisate e politikes shqiptare ku dhe pse na masakruane me vrasje e therje kaq vite e shqkuj dhe na poshteruane me ekonomine kaq te dobete vijne e ikine ne tokate shqiptare si te zote ngaqe kane keta politikane qe u rine lepe peqe dhe del dacic e deklarone qe kombi shqiptare eshte sinonime i varferse kurse sherbetoret e tre shikoni si vjedhine e si jetojne ne ashallek vetem se kane shkatruare kete tok dhe nuk ka kushe i prek lije e drejtesira ka per hallexhinjte kurse per tradhetaret nuk ka nuk i preke fija e flokute e cfare fatkeqesie i bene keta politikane kesaj toke keto 25 vite nen komanden antishqiptare