Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ka komentuar ditën e djeshme dhënien e tri pikëve në tavolinë Shqipërisë për ndeshjen e Beogradit.
“Jam shumë i lumtur për tre pikët! Është sport; një ndeshje futbolli! Garë në 90 e ca minuta, ku mund të fitosh, humbësh apo barazosh!
Brenda një kompeticioni që e duam po si sport, garë dhe kënaqësi! Ndaj më pëlqen pa fund De Biazi; ai nuk është politikan, është trajner futbolli. Nuk është euforik, është një takticien perfekt, fitues deri tani! Ne duhet të rrimë me këmbë në tokë;
Ata të luajmë futboll me mend dhe këmbë, me zemër e të disiplinuar, pasion dhe forcë! Por të qetë ama! Presioni nuk i bën mirë kërkujt dhe presioni që vjen nga euforia kombëtare të vret! (kujtoni Mesin dhe Argjentinën) Ndaj ne të mbështesim pa fund, por deri këtu!”, – shkruante Braçe duke shfaqur edhe cilësitë e tij të spikatura si analist futbolli.
Më pas ai lëshon dorashkën e sfidës për politikën shqiptare: “Kurse politikanët kanë një detyrë tjetër: Fiks, të mos bëjnë si serbët. Është një ndeshje futbolli, të kontrollojnë stadiumin, ta përmbajnë për të mos lejuar të ndodhë ndryshe nga ajo që ndodh në çdo stadium të Francës! Nacionalizmi banal të ndëshkon rëndë, shihini serbët dhe stadiumet e tyre! E bëjmë dot?!”, – shkruan Braçe në thirrjen e tij.
