Lajmi qarkullonte prej disa ditësh, por tashmë është gjithçka e sigurtë. Rey Manaj sezonin e ardhshëm do të jetë një futbollist i Interit.
FcInternews, faqja që merret nga afër me aktualitetin zikaltër bën të ditur se marrëveshja mes talentit shqiptar dhe klubit nga Milano është arritur, madje këtë të martë sulmuesi i përfaqësueses Shpresa të Shqipërisë do të hedhë firmën mbi kontratën e re që do të lidhë me Interin për vitet në vazhdim.
Siç shkruan gazetari i mirënjohur italian lidhur me çështjet e merkatos, Alfredo Pedulla, në faqen e tij në internet marrëveshja mes Interit dhe Cremoneses për Rey Manajn është arritur për shumën 1 milionë eurove plus kartonin e sulmuesit Luca Forte që në ndryshim nga 18-vjeçari shqiptar do të përshkojë rrugën e kundërt duke u transferuar te skuadra nga Cremona që luan në Lega Pro.
Tashmë kalimi i Rey Manajt te Interi është thjeshtë një formalitet dhe talenti i lindur në Lushnjë mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës futbollisti më i ri i klubit zikaltër. Nuk bëhen të ditura kushtet financiare të kontratës që 18-vjeçari pritet të firmosë me Interin.
Me shumë mundësi në sezonin e ri futbollisti i Kombëtares U-21 të Shqipërisë do ti bashkohet skuadrës së të rinjve të Interit që luan në kampionatin Primavera, dhe nëse spikat me këtë grupmoshë në një kohë shumë të shkurtër Manaj mund të vendoset nën urdhrat e Roberto Mancinit. Për të mbërritur te talenti shqiptar Interi fitoi konkurrencën me Juventusin që pak kohë më parë ishte shumë pranë nënshkrimit me Rey Manajn.
