Në një intervistë në gazetën DITA, njëri ndër njerëzit më të afërt të Berishës, shoqëruesi besnik dhe dora e fortë e tij, Izet Haxhia, mes të tjerave, saktësisht dëshmon për lidhjet që qëndronin mes Berishës dhe Rugovës, në vitet e para të pluralizmit në Shqipëri dhe të lojës plurale në Kosovë.
Zoti Haxhia, duke qenë i brendshëm deri në thellësi të ngjarjeve, është e natyrshme që çdo gjë e ka parë nga brenda, ai është si të thuash njeriu i tretë i domosdoshëm dhe jo i bezdisshëm, që shpesh herë ka qëndruar mes dy figurave politike të kohës. Njëri prej tyre, Rugova, nuk është më, dhe megjithëse kam qenë një kundërshtar i njohur politik i tij, pasi kemi qenë pjesë në dy struktura të kundërta politike, dhe në dy vite drejtues të tyre, që nga largimi i tij nga jeta nuk kam shkruar më për të. Megjithatë, si ndodh jo rrallë në lëvizjet politike, pak çka ka mbetur nga mendimi i tij politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës, një strukturë partiake, e krijuar fillimisht si ide në gazetën “Rilindja”, (njëlloj si të krijohej PD në gazetën “Zëri i Popullit” ku edhe unë isha gazetar), e më pas e strukturuar krejtësisht mbi bazën e Lidhjes Komuniste të Kosovës, një filial i Lidhjes Komuniste serbe.
Tjetri, megjithëse dalëngadalë po del jashtë skenës politike dhe për fatin e tij të mirë dhe për fatin e keq historik të vendit, pa i hyrë asnjë ferrë në këmbë, vazhdon në ditët e fundit të aktivitetit të tij, dhe, si ka ndodhur gjithnjë me të, hedh shashka politike, që duan t’i besojnë, ata që ende i besojnë atij. Megjithëse kjo besueshmëri është ulur nën 20 për qind të popullsisë, përsëri është e dëmshme. Në Kosovë besueshmëria ndaj vazhduesve rugovianë është rreth 30 për qind.
Të dy liderët, të cilët u zgjodhën: Njëri nga nomenklatura serbe në Kosovë, dhe tjetri, nga nomenklatura puniste në Shqipëri, për disa kohë kishin ngjitjen e tyre marramendshëm shpejt, kapjen e zenithit, pastaj rënien, që kishte një kulm në dy anët e kufirit me shfaqjen e UÇK-së, dhe pastaj zigzaget politike të zakonshme. Rugova i mbijetoi deri në ditët e fundit qenies së tij si figurë e rëndësishme politike; Berisha, pas pak vitesh do të mbetet një shenjë e pakuptueshme në mendimin politik, pasi, ende pa e ditur se nga erdhi, mbështetja që iu dha nga klani serb në Tiranë dhe në Prishtinë, gjëmat që solli pas vetes, shprishjen e shtetit, nuk mund të skanohet jeta e tij.
A ishin miq Rugova dhe Berisha?
Me siguri, jo. Që nga viti 1997 dhe deri në ditëvdekjen e Rugovës, mes dy burrave nuk kishte asnjë lidhje, asnjë kontakt, asnjë dialog dhe asnjë letër.
Lidhja e tyre që nga viti 1991 dhe për diçka më shumë se 5 vite ishte më shumë sporadike, si në testim mes dy njerëzve me veti e karakteristika të kundërta dhe me dëshira të ndryshme.
Të përbashkët ata kishin dy gjëra: Hyrjen në politikë dhe mërinë ndaj ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë të fundit e kishin deri në skajim dhe kjo është edhe periudha kur ata, të dy, do të jenë në pikun e izolimit kombëtar e ndërkombëtar, kur figura e tyre politike do të vihet në dyshim dhe kur mendimi politik ndërkombëtar do të vërë mbi to një pikëpyetje të madhe.
Si njëri, si tjetri, u futën në politikë përmes dyerve që u hapën të tjerët, por me të përbashkëtën, se, si njëri dhe si tjetri, kishin qenë komunistë të thekur. Për të shkuar më tej: Rugova kishte qenë sekretar i organizatës së partisë së Institutit Albanologjik, i cili quhej nga UDB-ja si kështjellë e nacionalizmit shqiptar. I vendosur në këtë post menjëherë pas ngjarjeve të vitit 1981, Rugova do të ishte i zëshëm në proçesin famëkeq të diferencimit politik, proçes i cili dërgoi në burgjet serbe mbi 300 mijë të arrestuar. Sikur të mos mjaftonte kjo, papritur ai u zgjodh, ose më saktë, u emërua si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, post që e mbajti deri në përfundimin e luftës së vitit 1999.
Berisha, duke qenë komunist i thekur, kishte bërë edhe më tej; ishte zgjedhur sekretar i organizates së partisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe ishte njëri ndër mjekët ndihmës të udhëheqjes së lartë të kohës, e njohur si byroja politike. I afërt sidomos me klanin Kapo, ai do t’i detyrohej deri në fund kësaj afërsie dhe asnjëherë nuk u lëkund nga besnikëria e tij.
Për një kohë të shkurtër miqësia mes Berishës dhe Rugovës dukej si një e tërë, e pandarë dhe e pakushtëzuar. Kjo nuk do të shkonte gjatë. Rugova, i cili ishte një përjashtim nga rasti me pranimin e tij në Lidhjen Komuniste, pasi përflitej se babai i tij ishte vrarë nga forcat udbashe, përgjithësisht ishte një njeri i qetë, aspak populist, për të mos thënë se kishte alergji ndaj turmave. Ai i kishte zët mitingjet, gjërat e bujshme, fjalimet në sheshe, përplasjet me kundërshtarët, krijimin e konflikteve. I vetmi komunikim i tij ishin konferencat e shtypit të ditës së premte, të cilat , edhe ai vetë e dinte se u bënë të mërzitshme. Kur binte borë, konferencat anuloheshin. Por, ai ishte një njeri që të dëbonte nga strukturat e partisë duke qeshur dhe t’i mbyllte të gjitha dyert. Ashtu ndodhi me ish të burgosurit politikë, pjesë e lidershipit të LDK-së, të cilët i mbajti aq sa deshi dhe sa iu deshën, dhe pastaj, në njërën nga kuvendet e LDK-së, të njohur si Kuvendi i Restorant “Dora”, në prag të luftës, i dëboi pa asnjë naze. Pas tij ishte një klan i tërë, që i mbështetur sidomos tek zyra e tij e shtypit dhe QIK, Qendra për Informim e Kosovës, një filial i lobit serb në Prishtinë, përhapte aq shumë mjegull dhe fjalë rreth tyre, sa që gjithçka, dëbimet e burgimet, të dukej se kishin ndodhur për mirë. Përjashtimi i figurave të mëdha politike e intelektuale si Ukshin Hoti i hapën rrugë despotizmit dhe krijimit të pakundërshtisë ndaj tij. Kam qenë i pranishëm kur njëri nga kryeministrat e Kosovës i kërkoi një fond shtesë për memorialin e Jasharëve, ku ai, Rugova, nuk kishte qenë kurrë dhe ku kurrë nuk do të shkonte, duke qenë kështu ndoshta i vetmi shqiptar këmba e të cilit nuk shkeli aty. Rugova i tha të fliste me ministrin e financave. Kryeministri, për të qenë më i sigurtë, pasi koalicioni sapo ishte krijuar, i tha se ndoshta do të ishte më mirë nëse ai vetë do të fliste në fillim. “Fol, ti, i tha, mjafton t’i thuash se ke biseduar me mua”. Vetëm kaq u desh.
Berisha ka qenë dhe mbetet njeri i mitingjeve, populist deri në skaj, i bujshëm, i pasionuar pas vetes dhe krijues i skenave e konflikteve, bubullues ndaj kundërshtarëve; çdo gjë e ka bërë me zhurmë dhe me sherr. I lënë mënjanë për shumë vite, duke ëndërruar majat, kur i erdhi dita ai do të bëhej pasionant pas përshfaqjes së tij.
Ata ishin dy njerëz që mundoheshin të merrnin nga njëri-tjetri, por ai që mori më shumë ishte Berisha. Krahas njohjes me personalitete të huaja, çka Rugova kishte më shumë, klani titist në Kosovë do të synonte gjithnjë e më me ngulm të krijonte mitin e Berishës, si njeriu i kombit, çka përputhej me dëshirën paternaliste të tij. Rugova e lejoi këtë për aq kohë sa iu desh, por pas fundvitit 1996 filloi të mbyllë rubinetat e lëvdatës.
Çka ndodhi që, edhe ajo fasadë miqësie të prishej në këtë kohë?
E çara e parë u krijua në fushatën për referendumin e miratimit të Kushtetutës së re, çka synonte mbretërimin e Berishës, pa qenë mbret. Rugova ishte pjesë e fillesës së fushatës, ai e ndjeu me shqisën e tij se gjërat nuk ishin ashtu si ia kishin shfaqur; e ndjeu po ashtu se, megjithë tërbimin që mbillte në Kosovë një lob i fuqishëm proserb kundër socialistëve, ata ishin shumë më të moderuar se sa Berisha e klika e tij, dhe se gëzonin ende besim tek njerëzit. Rugova, pas mitingut në Tiranë, u largua, ai i ndjeu fëshkëllimat dhe nuk deshi të ishte më lojë e Berishës. Demaçi e kuptoi shumë më vonë, por urat mes Demaçit e Rugovës kishin kohë që ishin hedhur në erë. Pak më pas, kur Demaçit, Departamenti i Shtetit do i propozonte të merrte përsipër detyrën e kryeministrit të Kosovës, ai vendosi vetëm një kusht: heqjen e Rugovës nga të gjitha postet.
E çara e madhe mes Berishës dhe Rugovës ishte në vitin 1997. Rugova ishte aq i mençur sa të kuptonte se firmat piramidale do të plasnin një ditë dhe ai u përpoq të krijonte një mur mes shqiptarëve të Kosovës, sidomos atyre që ishin në perëndim dhe shqiptarëve në Shqipëri. Ai nuk donte që të gjithë të humbisnin paratë e tyre. Pikërisht në këtë kohë Berisha vendosi të eksportonte dhunën, trazirat dhe revoltën nga Tirana në Prishtinë. Ai e kishte mbajtur veten si njeriu që kishte në dorë fatin e Kosovës, kishte në dorë lëvizjet e rrëmujshme, grevat, demonstratat, të gjithë atë që ai e quante mosbindje qytetare. Dhe pastaj, kur gjërat të eskalonin, ai të bënte pazarin: ju jap një Kosovë të qetë, më lini të qetë në Shqipëri. Dy figurat që ai deshi të përdorte, Hydajet Hysenin, në atë kohë nënkryetar i LDK-së dhe i burgosuri më i njohur në Kosovë pas Demaçit, dhe vetë Adem Demaçin, nuk i sollën dobi. Viti 1997 erdhi më parë në Tiranë dhe priti edhe disa muaj në Kosovë, deri në nëntorin e këtij viti. Por me një ndryshim të jashtëzakonshëm: Në Shqipëri për të përmbysur një despotizëm demokratik, që po merrte trajtat e një diktature; ndërsa në Kosovë për një gjë shumë më të madhe dhe më fisnike.
Për Rugovën ishte e pafalshme afrimi gjithnjë e më shumë i Berishës me Bukoshin, njeriu që, ndoshta i vetmi kishte bërë haptaz një propozim për zhdukjen e Rugovës. Propozimin ai ia kishte bërë njërit ndër përfaqësuesve të UÇK-së, Shaban Mujës, si kundërvlerë për mbështetje logjistike të UÇK-së. Kjo është edhe koha kur afrimi i Bukoshit me Berishën ishte tepër i madh, sidomos i Bukoshit me Azem Hajdarin. Nuk e di nëse Berisha ka qenë në dijeni të propozimit të Bukoshit, por jam i bindur se përmes lidhjeve të tij në qeverinë Bukoshi, Rugova e merrte me mend. Menjëherë pas kësaj, LDK-ja bëri një bojkot të madh kundër Bukoshit, aq sa njerëzit e tij ndaloheshin edhe të ishin pjesë e tubimeve; por është edhe koha kur figura e Berishës fillon e zbehet.
Megjithëse Berisha, në anatemimin e UÇK-së u bë njësh me Rugovën, përsëri ky i fundit, nuk e solli më kokën nga ai. Njeri i ftohtë në pamjen e tij, sa që të dukej sikur ishte pa ndjenja, ai ruante mërinë e ndarjes më gjatë se gjithë të tjerët. Është fakt se në të gjithë klasën politike shqiptare, i vetmi që kurrë nuk i hapi më dyert atyre që dëboi, ishte Rugova. Njëri nga të dëbuarit e mëdhenj ishte edhe Berisha. Ndoshta i dëbuari më i madh.
Ata nuk folën kurrë më me njëri tjetrin. Hija e drojes e ndiqte kudo Berishën, ashtu si ndoshta e ndjek edhe tani.
Ka qenë një kohë, kur Ibrahim Kelmendi më tregonte se në Shqipërinë e vitit 1992 kishte qenë i rrezikuar, ndaj edhe kishte ikur. Duke e njohur nga afër, doja gjithnjë të dija se cili mund të kishte qenë shkaku, veç rebelimit të tij të gjithmonshëm.
Pas intervistës së fundit të Izet Haxhisë më është e qartë. Droja e Berishës se mos e vrisnin. Kjo drojë e ka ndjekur për shumë vite, ndoshta e ka ndjekur edhe më shumë pas 21 janarit, por kjo është një temë tjetër.


