Dita e Verës në Elbasan nis që sot

anazapta

Bashkia Elbasan në bashkëpunim me shoqatën kulturoro-artistike “Promotor” dhe Dhomën e Tregtisë e Industrisë Elbasan do të organizojnë në kuadër të festimeve të Ditës së Verës një sërë aktivitetesh duke e pritur Ditën e Verës zgjuar, ashtu siç Elbasani di të festojë. Këtë vit panairi i traditës do të çelet më herët së vitet e tjera duke i dhënë më shumë mundësi tregtarëve dhe biznesit të reklamojnë mallrat e tyre.

Hapja e Panairit Tregtar “Dita e Verës 2013” në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” do të jetë edhe starti i kësaj feste në 12 mars për të triumfuar në mbrëmjen e 13 marsit që konsiderohet edhe nata që ndan dimrin me verën, kur edhe do të ketë më shumë atmosferë dhe festime. Kështu në orët e para të mbrëmjes do të jenë fëmijët që do të hapin festën.

Koncerti i Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe Koncerti i Bandës Frymore të qytetit të Elbasanit “Afërdita” do të performojnë në shesh me këngë, kërcime dhe muzikë. Më pas do të jetë ansambli  “Isuf Myzyri” dhe artistët më të mirë elbasanas që do të përmbushin qëllimin për më shumë muzikë, që i shërben traditës së kësaj feste, si ajo e Ustait të madh të muzikës popullore Isuf Myzyri.

Këngëtarë të mirënjohur shqiptarë, si: Pirro Çako, motrat Libohova, Silva Gunbardhi & Mandi etj. do të vazhdojnë deri në kulmin e festës kur edhe do të përcjellë edhe përshëndetjen e tij kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Një grup fishekzjarresh do të shpërthejnë në qendër të qytetit duke shënuar kështu ndërrimin e stinëve dhe ardhjen e pranverës.

Këtë atmosferë do ta shoqërojë edhe këngëtarja e madhe cigane me famë botërore Esma Rexhepova. Të ftuarit do të vazhdojnë koncertin dhe deri në orët e para të mëngjesit do të ketë karaoke dhe një dixhej të ftuar, siç është DeeJay Moss.

14 Marsi nuk do të ofrojë ndonjë surprizë të veçantë. Krosi masiv tradicional i shkollave 9-vjeçare të qytetit dhe parakalimi i karnavaleve përgjatë bulevardit kryesor të qytetit do të përmbyllin organizimet. Qytetarët do të kenë mundësi të shijonë produkte të traditës që do të serviren nga disa kioska interesante prej druri në qendër të qytetit të cilat do t’i shërbejnë qytetarëve gjatë gjithë këtyre ditëve.

Edhe këtë vit Bashkia Elbasan nuk ka bërë ftesa, por i ka bërë thirrje të gjithëve të vijnë në Elbasan, ku nuk do të mungojë mikpritja ballokumet e vërteta dhe festa mes miqsh në një ditë që simbolizon bollëkun dhe mbarësinë për të cilat kemi aq shumë nevojë.

 

Share This Article
1 Comment
  • Persh ne rradh te par,e dyta doja te thoja qe skeni pse perdorni njerez familjar qe kan dalur per te nxjerrur kafshaten e gojes dhe ti nxirrni ne foto kopertine ku mund ti shohin shum e shum njerez qe e njohin kete grua te gjor,prandaj do tju lutesha shum qe kjo foto te hiqesh nga faqja google e ne cdo faqe tjeter qe ekziston…ju faleminderit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *