Punësim sezonal në Itali, përfitojnë 30 mijë të huaj

anazapta

Bujqësia dhe turizmi (restorantet dhe hotelet) janë sektorët në të cilët Italia do të hapë dyert për punësimin e rreth 30 mijë shtetasve të huaj  gjatë këtij viti. Brenda pak ditësh pritet të bëhet publik me botimin në gazetën zyrtare të këtij shteti edhe dekreti i flukseve në të cilën detajohen të gjitha procedurat dhe kriteret që duhen plotësuar për të siguruar një të drejtë punësimi disamujore në këtë shtet. Si gjithnjë, dekreti përcakton një listë vendesh prej nga mund të mbërrijnë punonjësit.

Ndonëse nuk është bërë ende publike zyrtarisht, nuk duhet të ketë ndonjë ndryshim nga viti i shkuar ku kishte kuota për punonjës me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Algjeria, Bangladeshi,  Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Maroku, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegal, Serbia, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia.

“Shpresojmë që dekreti të mbërrijë sa më shpejt në Gazetën Zyrtare, në mënyrë që të mund të sjellim punonjësit në kohë për të korrat e para”, bën të ditur Romano Magrini, përgjegjës për politikat e punës në këtë shtet. Aplikimet për këto kuota punësimi edhe këtë radhë do të bëhen vetëm online, personalisht apo me ndihmën e shoqatave të kategorive të ndryshme të punësimit.

“Gjithsesi, këtë vit, – sinjalizon Magrini, – situata është më e mirë se vitet e shkuara, sepse tashmë janë operative autorizimet për hyrjet disavjeçare që lejojnë sjelljen në Itali në çdo moment të vitit me procedurë të thjeshtëzuar, pavarësisht shpalljes së dekretit të punonjësve të huaj. Kjo risi u jep të drejtë shumë shtetasve që klasifikohen si veteranë të punësimeve sezonale që të mund të përfitojnë një kontratë punësimi deri në trevjeçare.

Në këto kushte vetë punëdhënësit italianë do të mund të sjellin në Itali “veteranët” pa kaluar përmes dekretit të flukseve, mjaft të përpilojnë një formular online. Kërkesa e parë paraqitet nga ndërmarrja kur del një dekret fluksesh. Pasi kërkesa pranohet, në dy vitet pasardhëse ndërmarrja mund të thërrasë punonjësit në çdo moment, me një komunikim të thjeshtë, pa pritur shpalljen e kuotave të reja. Procedura bëhet e gjitha në internet, përmes faqeve ullaostalavoro.interno.it dhe mund të përpilohet personalisht apo me ndihmën e shoqatave që veprojnë në fushën e punësimit.

Për këtë kategori janë në dispozicion katër formularë sipas llojit të konfirmimit që bëhet: “Formulari CSP (1° anno) që shërben për konfirmimin e punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me Dekretin e flukseve sezonale 2012, formulari CSP (2° anno) që shërben për konfirmimin e punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me Dekretin e flukseve sezonale 2011-s dhe është konfirmuar punësimi i të njëjtit punonjës në vitin 2012, formulari CSP-AD (1° anno), i cili shërben për konfirmimin nga një punëdhënës i ri, i punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me dekretin e flukseve sezonale 2012.

Njëkohësisht për këtë kategori është në funksion edhe formulari CSP-AD (2° anno), i cili shërben për konfirmimin nga një punëdhënës i ri i punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me Dekretin e flukseve sezonale 2011-s dhe është konfirmuar punësimi i të njëjtit punonjës në vitin 2012”.

 

Procedura deri në lëshimin e vizës së punësimit disavjeçare

Pas plotësimit dhe verifikimit të aplikimeve të paraqitura, komunikimi do t’i përcillet telematikisht (transferim dixhital i pamjeve) konsullatës italiane në vendin në të cilin jeton punonjësi, që mund të kërkojë vizën e hyrjes sapo të shohë në faqet internet “domanda.nullaostalavoro.interno.it” që praktika e tij shoqërohet nga e shkruara “Nulla Osta Inviato All’autorita Consolare”.

Për t’u futur në sistem nevojitet të shkruhen përdoruesi dhe fjalëkalimi të përdorura më parë nga punëdhënësi për të bërë komunikimin. Sidoqoftë, është e udhës që punonjësit t’i niset një kopje e autorizimit dis vjeçar të lëshuar nga Sporteli Unik për Emigracionin. Me të marrë vizën e hyrjes, punonjësi sezonal do të mund të hyjë në Itali, të nënshkruajë kontratën e të kërkojë lejen e qëndrimit. Për të nisur më në fund punën për të cilën është sjellë në Itali.

 

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *