Nuk është në zakonin e të zotit të shtëpisë, veçanërisht kur ky zot është shqiptar, që mysafirit t’i bëhen vërejtje, apo qortime. Vetëm se, unë nuk jam ndonjë zyrtar që mund të më përflasin, prandaj do të doja që zotit Kocias t’ia thosha disa fjalë, ashtu vendçe, shqip, pa ato “dorezat”, me të cilat foli ai në konferencën për shtyp.
Kocias jeni i mirëpritur në vendi tonë, ashtu siç kanë qenë e do të jenë të mirëpritur të gjithë politikanët e tjerë të shtetit fqinjë, Greqisë, pasi kjo na duhet për të fshirë shumë “njolla ndryshku” që kanë mbetur mbi sipërfaqen e marrëdhënieve tona shtetërore. Natyrisht, meqenëse njollat janë mbi sipërfaqen e përbashkët, do të duhet që edhe përpkjekjet të jenë të përbashkëta në këtë ndërmarrje, jo dhe aq të lehtë.
Dëgjova me vëmendje deklaratat e ministrave të jashtëm të dy vendeve. Ndërsa në fjalën e djaloshit të mençur shqiptar Ditmir Bushatit spikaste qartësia e mendimit, mënyra e mjaftueshme e drejtpërdrejtë e të thënit të gjërave; tek homologu grek dallohej më shumë një ardhje rrotull problemeve, një përpjekje për t’i rrumbullakosur dhe anashkaluar ato, ndonëse janë të ndjeshme dhe qëndrojnë pezull në marrëdhëniet tona ndërshtetërore. Napoleon Bonaparti ka thënë: “Nuk është politikan ai që thotë atë çfarë mendon”. Më vjen keq ta them, por në deklaratat e Z. Kocias, kjo thënie e strategut ushtarak francez ishte shumë e pranishme.
Më bëri përshtypje fakti që mysafiri i nderuar grek, profesori universitar, Z. Kocias, në shumë nga shprehjet e tij i kushtoi hapësirë më të madhe, nga sa meriton, faktit se në Greqi jetojnë dhe punojnë shumë emigrantë shqiptarë, duke e mbështjellë këtë edhe me disa fjalë lavdërimi për ta. Madje edhe kur u pyet për çështjen çame, ai foli për emigrantët, të cilët, ç’është e vërteta, nuk kishin fare punë me çamët, pasi ata shtetas shqiptarë që kanë origjinë çame, nuk lejohen të futen në Greqi. Dhe jo vetëm që i mëshoi fort qëndrimit të njohur, krejtësisht të padrejtë të autoriteteve greke, duke mos e përmendur fare fjalën “Çamëri”, ose “çam”, pasi për palën greke “ata nuk kanë ekzistuar”, por tha vetëm se për pronat e kujtdo që ka pretendime se i ka në Greqi, duhet t’u drejtohet gjykatave greke. Me fjalë të tjera, siç i thonë këtej nga anët tona, t’i varim ujkut mëlçitë në qafë. Si mund të t’i japë pronat drejtësia e një shteti që nuk të njeh se ekziston? Pra ejani të ngopeni me lugën bosh.
Ministër! Pasardhësit e ish-shtetasve grekë të Çamërisë duan të vizitojnë varrezat e parardhësve të tyre atje ku kanë jetuar dhe janë mbuluar. Pse nuk i lejoni? Në cilën konventë ndërkombëtare mbështet ky akt i juaji?
Përmendja e shpeshtë e emigrantëve, të them të drejtën, më bëri të mendoj një lloj kërcënimi që është bërë edhe në raste të tjera, por këtë radhë “me doreza”, ai i “fshesës”.
Një gjë tjetër që më bëri përshtypje qe fakti që, mysafiri i nderuar grek, lidhur me problemin e “paktit detar”, i përmendi shkarazi, konventat ndërkombëtare, aq sa të krijohej përshtypja se i thoshte “sa për të larë gojën”. Ndërkohë që Z. Bushati i përmendi ato në çdo rast kur ishte nevoja se duhej referuar atyre. Pa folur pastaj se çështja e detit e ka marrë vendimin e prerë nga Gjykata Jonë Kushtetuese.
Edhe për famëkeqin “ligj të luftës”, Z. Kocias përsëriti rëfrenin e dëgjuar prej dekadash se ai nuk ekziston dhe se “ne jemi anëtarë të NATO-s”. Bukur shumë, do t’i thosha Z. Ministër të Jashtëm të Greqisë, në qoftë se kjo që thoni ju, dhe gjithë zyrtarët grekë të mëparshëm, që janë pyetur lidhur me këtë absurditet, e keni vërtet këtë mendim dhe nuk mendoni ndryshe, pse nuk e hiqni atë ligj në parlament, atje ku është miratuar qysh në v. 1940 të shekullit të kaluar?
Ose, përderisa jemi anëtarë të të njëjtës organizatë ushtarake, pse ju duhen rreth dy divizione ushtarake të dislokuara në rajonet afër kufirit me Shqipërinë, ndërkohë që ne, me sa di unë, nuk kemi atje asnjë ushtar? Si e komentoni ju urdhërin e ministrit të mbrojtjes të qeverisë tuaj që të shtohen forcat “mbrojtëse” të kufirit midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe të vendosen piramidat e dikurshme? Pse nuk e njihni zyrtarisht vijën kufitare që ndan të dy shtetet tanë, por e injoroni atë sot e kësaj dite?
Në gjykimin tim, këto janë pyetjet që e kërkojnë një përgjigje të prerë, pa “doreza”, Z. Ministër i Jashtëm i fqinjit tonë, Greqisë.
Letër e nënshkruar
Guri Shyti
