Në cilat zona në breg mund të bëjmë plazh pa pagesë

redaktor

Korriku ka nisur vrullshëm për sa i përket numrit të personave që zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet.

Tashmë, duket sikur ka ikur koha e pushimeve të gjata e të lodhshme vetëm në një vend. Njerëzit gjithmonë e më shumë po preferojnë të lëvizin, ndaj është e nevojshme të kuptojmë e të informohemi se ku mund të gjejmë një copëz plazh ku nuk jemi të detyruar të paguajmë 5 00 lekë çadrën deri edhe në 700 në vendet e populluara në jug të vendit, siç është Drimadhes, për shembull.

Nga vëzhgimi që kemi bërë na rezulton se raporti 80 për qind plazhe private dhe 20 për qind plazhe publike (pa pagesë) nuk respektohet njësoj në të gjitha zonat. Po ashtu ka ankesa na vetë pushuesit që plazhet publike janë në periferi të vijave bregdetare, aty ku dhe shërbimet ndaj tyre janë të pakta.

Ne shkuam pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe folëm më drejtoren e Monitorimit të vijës bregdetare, Jeta Skënderaga. Në një intervistë për Dita-n ajo tregon zonat ku mund të gjejmë një hapësirë pa pagesë sa për të ngulur një çadër.

Çfarë ndodh me ata drejtues vendorë që lejojnë përdorimin e plazheve publike nga privatët? Çfarë po bëhet me kullat e vrojtimit të promovuar me aq bujë një vit më parë, sa funksionale janë ato dhe cili është plazhi me më shumë raste fatkeqësish? Për këto dhe të tjera, Jeta përgjigjet në këtë rrëfim…

 

Jeta, jemi në kulmin e sezonit, nga vëzhgimet tuaja, cilat janë plazhet më të populluara momentalisht?

Momentalisht fluks të madh, por jo deri në plotësimin e kapaciteteve ka, Ksamil-Sarandë, Golem- Durrës, Gjiri i Lalzit, Shëngjin dhe Velipojë.

Jeta Skënderaga, drejtore për Monitorimin e Bregdetit pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit
Jeta Skënderaga, drejtore për Monitorimin e Bregdetit pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

A kemi ndonjë plazh të ri, i cili është zbuluar rishtas dhe njerëzit kanë nisur ta frekuentojnë?

Ka plazhe që po përdoren rishtas, jo që janë zbuluar tani, por që është bërë i  mundur aksesi tani. Këto janë plazhet në të cilat nuk mund të arrihet me rrugë tokësore dhe njerëzit mund të arrijnë duke përdorur rrugë detare. Këto janë plazhet e Karaburunit dhe disa plazhe në afërsi të Ksamilit. Gjithsesi nuk kanë infrastrukturën për t’u bërë plazhe me fluks të madh pushuesish.

Ku mund t’i gjejmë këto plazhe?

Plazhe publike ka në zonën Shëngjint, Tales, Gjirit të Lalëzit, Golemit, Divjakës, Vlorës, Dhërmiut, Himarës Borshit dhe Sarandës. Gjithsesi duhet thënë se ka dhe mjaft zona të tjera të Shqipërisë, të cilat nuk janë qytete, ose pika të njohura, por  kanë hapësira për plazhe publike si: Rrjoll, Hamallaj, Zvërnec, Palasë, Drimadhes, Livadh, Qeparo etj. Jo i gjithë bregu është zonë e autorizuar për t’u përdorur nga subjekte private, dhe në fakt përcaktimi që publikut t’i lihet 20 për qind e hapësirës për përdorim, është për këto plazhe të autorizuara. Gjithë hapësira tjetër është për përdorim publik (d.m.th plazh publik). Por jo gjithmonë përcaktimi i pozicionit të plazhit publik, madhësia e tij dhe plotësimi i kritereve të higjienës dhe sigurisë është zgjidhja e duhur. Në shumë raste për publikun lihen hapësirat me të papërshtatshme për përdorim dhe kjo është një nga pikat ku AKB kërkon bashkëpunim me qeverisjen vendore.

A janë bërë kontrolle për të verifikuar prezencën e caktuara me ligj të plazheve publike?

Kontrolle janë kryer dhe kryhen rregullisht, por përcaktimi i plazheve publike dhe ruajtja e këtyre hapësirave publike janë detyrë e pushtetit vendor, i cili për shkak të zgjedhjeve vendore, reformës administrative dhe seriozitetit të tyre këtë sezon, nuk është kryer në masën 90 për qind. Aktualisht jemi para faktit të përdorimit të hapësirës publike pa leje dhe kontratë me organet e qeverisjes vendore. Në disa njësi ky proces është duke u zhvilluar tani megjithëse është shumë vonë.

Në plazhin e Durrësit gjithmonë ka ankesa për mungesë hapësirash publike, si e shpjegoni këtë gjë?

Plazhi i Durrësit është një plazh me specifikat e tij në lidhje me hapësirat publike, për shkak se ky plazh, si plazh tradicional, është i ngarkuar me shumë biznese si dhe me një numër të madh pushuesish, gjë që kthehet në një presion të madh për hapësirat e plazhit. Gjithsesi ky nuk është justifikim për moszbatimin e ligjit.

durresi 8Çfarë po ndodh në plazhin e Velipojës? Nga informacionet që kemi  hapësirat publike janë vetëm në periferi?

Velipoja gjithashtu paraqet probleme në lidhje me hapësirat publike. Vitin e shkuar hapësirat publike janë respektuar më shumë, kurse sivjet ka një mungesë të tyre në zonat qendrore të plazhit. Ky fakt vjen si rrjedhojë e një mos koordinimi institucional nga ana e pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Një tjetër plazh i frekuentuar është ai i Vlorës, po aty, a mund të gjejmë plazhe publike?

Në zonën e Vlorës ka plazhe publike, sidomos ne zonën e Plazhit të Vjetër dhe Plazhit të Ri. Duhet përmendur plazhi i Zvërnecit, i cili në zbatim te VKM nr. 436, datë 20.05.2015, është shpallur i tëri, plazhi publik.

A po punon Agjencia Kombëtare e Bregdetit për të evidentuar zonat e përshtatshme për plazhe publike? Deri më tani cilat janë zonat që keni pikasur?

Parashikimi ligjor në lidhje me plazhet publike është mjaft i qartë dhe këtë detyrë ia ngarkon pushtetit vendor. Ai është ende përgjegjës për dhënien në shfrytëzim subjekteve private hapësirat e plazhit si dhe për përcaktimin dhe ruajtjen e hapësirave të plazhit publik. Megjithatë AKB ka mundur të ketë bashkëpunimin e disa njësive vendore dhe në to situata është shumë më e mirë. Gjithashtu AKB po bën studime për zonimin funksional në disa plazhe të mëdha. Këto studime i paraqiten pushtetit vendor dhe aty mund të merret vendimi për implementimin ose jo të këtyre studimeve. Deri më tash ka qenë e pamundur vendimmarrja edhe për shkak të reformës territorial.

Jeta, çfarë ndodh me atë drejtues vendor që lejojnë biznese të caktuara të zënë hapësirat që janë plazhe publike. A penalizohen ata?

Pikësëpari hapësirat e plazheve publike duhet të jenë të përcaktuara nga pushteti vendor dhe gjatë këtij sezonin kemi konstatuar që akoma nuk janë përcaktuar këto hapësira. Në rast se këto hapësira përdoren për aktivitet të bizneseve të caktuara, drejtuesit vendor duhet të mbajnë përgjegjësitë ligjore të parashikuara për moskryerjen e detyrave të tyre funksionale. Por mungesa e lejes së shfrytëzimit edhe për territorin që mund të përdorej për plazhet private, e kthen të gjithë territorin në zonë ku zhvillohen veprimtari pa leje. Nuk duhet të harrojmë se moszbatimi i këtij detyrimi ligjor ka edhe efekte negative në buxhet për arsye se nuk realizohen disa të ardhura që mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së plazheve.

Vitin e kaluar Agjencia ka realizuar disa kulla vrojtime në plazhe. Sa funksionale janë sot dhe sa persona kemi të punësuar?

Kullat janë ende në këmbë, por nuk funksionojnë të gjitha, për mungesë të personelit të licencuar për këtë qellim. Ka qenë e pamundur që për një vit të rregullohet ligjërisht trajnimi dhe licencimi i këtij personeli. Gjithashtu nuk është i rregulluar edhe mënyra e funksionimit të këtij shërbimi. Për momentin zonat ku funksionon ky shërbim janë Shkëmbi i Kavajës, Golem, Spille, Ksamil dhe Sarandë.

plazhetKemi edhe roje femra, dhe duket shumë bukur, por janë vetëm për imazh apo vërtet luajnë rol të rëndësishëm?

Gjatë trajnimit të vitit të kaluar, të zhvilluar në Mal të Zi ka pasur dhe disa nxënëse femra, të cilat kanë marrë pjesë dhe provimi përfundimtar para certifikimit, ishte i njëjtë si për meshkujt ashtu dhe për femrat. Besoj ky fakt mjafton për t’ju treguar që rojet femra nuk janë thjesht për bukuri, por janë 100 për qind  të sigurta dhe të gatshme për të kryer detyrën e tyre.

Cila është zona më problematike ku kemi më shumë raste fatkeqësish, mbytje  dhe çfarë masash keni marr këtë vit?

Zone e rrezikshme ka rezultuar Gjiri i Lalzit dhe këtë vit do të ketë shërbim të ndihmës së shpejtë që do të funksionojë gjatë gjithë kohës.

A është vija bregdetare shqiptare një hapësirë e sigurt për pushuesit?

Siguria përgjatë vijës bregdetare është një koncept i ndërlikuar për t’u përgjigjur thjesht me një po ose jo, por gjithsesi unë mendoj që vija bregdetare nuk është plotësisht e sigurt megjithëse jemi në rrugë të mbarë. Duke pare disa iniciativa të institucioneve të ndryshme shtetërore për plotësimin e të gjitha kritereve të sigurisë një nga, të cilët është edhe  sistemi i rojeve bregdetare (lifeguard) si dhe duke pritur disa ndryshime ligjore në lidhje me këtë çështje, unë jam besimplotë se në të ardhmen do të kemi një vijë bregdetare shumë më të sigurt se sot. Probleme të funksionimit të plazheve janë edhe mungesa totale e sinjalistikës shumë e rëndësishme për të siguruar rregull dhe komoditet për pushuesit.

AKB këtë sezon me mbështetjen e pakursyer të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë Sipërmarrjes dhe Turizmit, duke parë mosfunksionimin e pushtetit vendor për arsyet që përmendem më sipër, ka marre përsipër pastrimin e bregdetit dhe rrugës nacionale Llogora-Sarandë nga inertet para fillimit të sezonit turistik si dhe pastrimin e vijës së parë të bregdetit gjatë gjithë sezonit. Të dyja këto iniciativa po shkojnë mirë dhe shumë mirë në përgjithësi dhe kanë pasur impakt shumë pozitiv tek pushuesit.

Pasi AKB ka ndjekur me kujdes gjithçka ndodh në zonën bregdetare gjatë sezonit të verës së kaluar. Jemi të bindur se ky model i menaxhimit të plazheve nuk mund të jetë i suksesshëm, është menaxhim i dobët i fragmentuar dhe kaotik. Nuk ka qasje për një zhvillim të integruar të zonës bregdetare meqenëse  përfshihen  shumë aktorë që kanë interesa të ndryshme për zonën. Ne po përpiqemi të reflektohen këto mangësi në ndryshime të bazës ligjore. Një përmirësim të dukshëm do të këtë kuadri ligjor me miratimin e ligjit për Turizmin dhe aktet e tjera nënligjore që priten të dalin pas tij.

plazh3

 

Share This Article
7 Comments
  • Shprehja:-Pushteti lokal duhet te mbaje pergjegjesi.-nuk eshte per kete vit,eshte per vitin tjeter.Fshini urgjent,duke filluar qe neser te gjithe cadrat dhe shezlongjet private qe kane bllokuar hapesirat publike.Personat qe kane dhunuar hapesirat e qytetareve pa pagese,te penalizohen.Te kthehen plazhet si kane qene para 91-shit.Po ju them qe ne Golem nuk ka nje rryp toke qe te dalesh ne det pa pagese dhe jo me plazh publik pa pagese per qytetaret.Cfare beni ju?Perse paguheni,keto padrejtesi bejne muuuuuuuuuuu!

    • Po shembulli i Golemit eshte shume tipik.Pronari i hotel Xhilardinos e shtrire siperfaqen mbi dy fishin e saj qe ka marre lejen ne keter.Kjo eshte nje padrejtesi shume e madhe pse lejohen keta feudale te detit te sillen keshtu me kete pasuri publike,,,?Ose paaftesia e pushtetit lokal ,ose kane korrjptuar njeri tjetrin.Dhe kur nuk vepron ligji del ne skene vetegjyqesia,,,Turp e merni masat tuaja sa pa qene von.

  • Po kur u privatizuan keto pllazhet o JETA???
    Po detin apo akoma,Pd privatizon bregun Ps detin?
    Dhe trimat e bijte e Shqipes bejne plazh ne koder.?

  • Po AJRIN DHE DIELLIN kur do ta privatizoni???
    Bejeni sa me shpejt,qe te merrni ndonje dore te mire nga mafiozet!!
    A mund t’ju bej nje pyetje ju PUSHT-etareve?
    -Ne interes te kujt e lejoni privatizimin e plazheve???

  • Plazhet jane dhurate nga Zoti, ato te shplodhin syte, mushkerite dhe te heqin stresin. noti eshte i shendetshem per trupin. Askush nuk duhet te abuzoje me kete dhurate te Zotit ato duhet te jene te arritshme dhe te prekshme per te gjithe, ndaj dhe çmimet e larta nuk duhen lejuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *