Tatimet heqin gjobat e vëna për mosdeklarimin e tatimit në burim

redaktor

Një deklaratë e re e tatimit në burim, që u fut në sistemin e ri të deklarimeve online, për të cilin sipërmarrjet nuk ishin njoftuar më parë, u bë shkak që bizneset të ngarkoheshin automatikisht me gjoba prej 10 mijë lekë për mosdeklarimet e muajit dhjetor 2014, që duhet të dorëzoheshin deri në 20 janar 2015.

Krahas bizneseve që ishin subjekt i tatimit në burim (tatim që më parë paguhej direkt në bankë në një llogari të veçantë dhe nuk kishte deklaratë të veçantë) deklarata u inicua nga sistemi i ri për të gjithë, përfshi dhe për ato biznese që nuk ishin subjekt i tatimit në burim (rreth 10% e deklaratave totale). Edhe këta të fundit u ngarkuan automatikisht nga sistemi me një gjobë 10 mijë lekëshe, megjithëse nuk e dinin fare në atë kohë, që duhet ta plotësonin atë. Aktualisht deklarata iniciohet edhe për këto biznese, që duhet thjesht ta plotësojnë me zero.

Një tjetër deklaratë që sërish shkaktoi amulli te bizneset, sipas ekonomistëve të tyre, ishte ajo e tatimit mbi të ardhurat personale, që me sistemin e vjetër iniciohej më vete, ndërsa me të riun ishte përfshirë brenda deklaratës së sigurimeve shoqërore. Në dhjetor, kjo deklaratë doli dhe më vete dhe brenda sigurimeve shoqërore, duke krijuar sërish amulli te bizneset, që u ngarkuan me një tjetër gjobë, duke e çuar në shumë prej tyre gjobën në 20 mijë lekë.

Pas kësaj amullie dhe ankesave të shumta të bizneseve, administrata tatimore në të gjithë vendin është duke kthyer mbrapsht gjobat e vëna nga sistemi i ri online për mosdeklarimet e mësipërme. Sistemi i ri online kishte gjeneruar në mënyrë automatike gjobën, për mijëra biznese, të cilët edhe pse duhet ta plotësonin deklaratën nuk ishin njoftuar më parë. Mirëpo neni 35 i procedurave tatimore e bën të pavlefshme gjobën në rast se, tatimet nuk njoftojnë më parë biznesin për ndryshime në mënyrën e deklarimit.

Fshirja e gjobës vlen edhe për bizneset që ishin subjekt i pagesës së tatimit, por që nuk ishin njoftuar. Sipas revistës ekonomike Monitor, Drejtori i Tatimeve ka lëshuar një udhëzim për të gjitha drejtoritë në rrethe për të evidentuar të gjitha subjektet që kanë marrë gjobën padrejtësisht dhe ka filluar procesi i kompensimit.

Në janar krahas fillimit të funksionimit të sistemit të ri të deklarimit on line, bizneset u përballen me ndryshime të shumta të legjislacionit, çka shkaktoi në atë kohë shumë amulli tek bizneset. Ekspertët paralajmëruan se këto ndryshime do të bënin që biznesi të ngarkohej me gjoba që nuk ishin për faj të tij, gjë që në fakt ndodhi, por që tashmë do të fshihen nga sistemi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *