Elseid Hysaj është një nga emrat më të lakuar në këtë periudhë merkatoje të futbollit italian. Mbrojtësi shkodran që aktivizohet tek Empoli prej kohësh ndiqet me interes nga Napoli, që tashmë si timonier ka Maurizio Sarrin, trajnerin që e njeh mjaft mirë mbrojtësin e përfaqësueses Shqiptare.
Por në garë për të marë shërbimet e 21-vjecarit kuqezi është edhe Lazio që e ndjek mbrojtësin prej një periudhe shumë të gjatë. Emri i Hysajt me klubin bardhekaltër është i lidhur që nga vera e sezonit të kaluar, ku interesi nga klubi kryeqytetas në adresë të tij nuk mungoi. Teksa parashikohet një garë midis Napolit dhe Lazios duket që në mes mund të hyjë një i tretë, pasi në Itali flasin për një interesim nga Gjermania për Elseid Hysajn.
Sipas sajtit të specializuar Tuttomercatoweb, për shkodranin ka një interes edhe nga Bundesliga por pa specifikuar konkretisht emrin e skuadrës. Sigurisht që tek Empoli janë të vetëdijshëm për potencialin e mbrojtësit por edhe futbollistëve të tjerë të rinj që kanë në përbërje dhe tentojnë të bëjnë rezistencë në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë të munden.
Gara për Hysajn është zgjeruar dhe nëse pak javë më parë kalimi në San Paolo me fanellën e kaltër të Napolit dukej i sigurtë tashmë për 21-vjecarin hapen horizonte të reja, ku destinacion i mundshëm për të mund të jetë edhe Bundesliga.

Ne kuksianet krenohemi per nipin tone Elseidin . I urojme vetem suksese ne rrugen e arte te sportit . Perpara Elseid !