Borxhi publik kalon kufirin 60%! Berisha: Nuk do vejë 63, zotohem

editor

U miratua dje projekt-buxheti i vitit 2013 pas një vonese 20 ditore përtej limitit që parashikon ligji organik. Shefi i qeverisë ka shpallur vetë rritjen e nivelit të borxhit publik me pothuajse 3 për qind mbi nivelin e përcaktuar.

 

Sërish zotim për nivel të ri borxhi

Berisha tha se projekt-buxheti prej 409 miliardë lekë, do të mbështesë rritjen ekonomike të vendit përmes investimeve, ndaj për vitin e ardhshëm kufiri i huamarrjes pashikohet të shkojë nga 60 për qind në 62.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “62.6 &, në asnjë mënyrë 63%, ky është një zotim për partnerët tanë ndërkombëtarë  – tha Berisha, që gjithsesi të njëjtin zotim kishte bërë edhe për moskalimin e kufirit 60 përqind.

Duke komentuar më tej draftin, kryeministri tha se për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të ndjeshme të investimeve, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Për këtë sektor, kryeministri tha se janë parashikuar rreth 500 milionë dollarë investime.  Rreth 820 mijë familje shqiptare, sipas kryeministrit, do të përfitojnë një rritje të pagave dhe pensioneve, dy herë më të lartë se inflacioni. Referuar të dhënave zyrtare, inflacioni për muajin tetor ishte 2.4 për qind. Kjo lë të kuptohet se rritja e pagave dhe pensioneve mund të jetë rreth 5 deri në 6 për qind, nëse ky premtim mbahet.

 

Dy versione në qeveri, Berisha zgjodhi të dytin

Projekt-buxheti i vitit 2013 ka ndarë në dy linja qeverinë, ku gjatë hartimit të tij, njëra linjë mbështeste ruajtjen e nivelit të borxhit publik dhe shkurtimin e shpenzimeve ndërsa linja tjetër mbështeste rritjen e shpenzimeve përmes rritjes së nivelit të borxhit publik, me qëllim që të mbështetej rritja ekonomike. Ndaj, projekt-buxheti i vitit të ardhshëm u dërgua në qeveri me dy variante, ku tashmë është miratuar varianti i dytë, që parashikon rritjen e nivelit të borxhit publik. Pas miratimit në qeveri, projekt-buxheti do të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare, nga ku më pas do të kalojë për votim në seancë plenare. Projekt-buxheti pritet të kalojë nëpër komisionet parlamentare, ku referuar qëndrimeve të shprehura paraprakisht nga palët, pritet që ky draft të shkaktojë diskutime dhe debate të forta, për vetë kontekstin ekonomik ku ndodhet vendi.

 

Zëri i biznesit nuk merret në konsideratë

Ashtu siç sipërmarrja e kishte paralajmëruar kohë më parë në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit asnjë prej propozimeve të tyre nuk është marrë në konsideratë. Edhe pse shefi i qeverisë deklaroi dje se “’buxheti bazohet në një reformë të thellë në disiplinën fiskale”, – propozimet e ardhura nga sipërmarrja nuk janë parë të arsyeshme për tu diskutuar në këtë projekt. “Në buxhet përfshihet edhe taksa nacionale mbi lëndën drusore, për mbrojtjen e tij. Ne detyrohemi të vendosim taksë vetëm për këtë qëllim. Unë i dëgjoj disa mjedisorë që kërkojnë ta bllokojnë tërësisht eksportin e lëndës drusore. Por disa rregulla ndërkombëtare jemi të detyruar t’i zbatojmë, sepse nëse e bllokojmë tërësisht, shkelim disa marrëveshje”, ky sipas tij është argumenti për një nga kundërshtitë e biznesit për të mos vendosur taksën për lëndët drusore.

 

Deklarata e FMN dhe Bankës Botërore: Kujdes me borxhin publik

Shqetësime konkrete erdhën vetëm pak ditë më parë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Gjatë ditëve kur ende po gatuhej projekt-buxheti për vitin 2013, përfaqësues të këtyre institucioneve insistuan në idenë e tyre për uljen e borxhit publik. Duhet një  buxhet sa më eficent dhe jo mbi baza elektorale, qenë shprehur përfaqësues të këtyre institucioneve.

Madje referuar vitit që po lëmë pas FMN u shpreh se “borxhi publik sakaq është rritur për këtë vit, afër 64% të PBB-së, kurse për vitin 2013 do të shkojë në 65%, me një rritje ekonomike jo më të lartë se 1%”.

Jane Armitage, drejtoresha e lartë e BB-së, qartësoi gjithashtu se  “Niveli prej 60 përqindësh i borxhit publik përfaqëson rrezik të konsiderueshëm, nuk ka më hapësirë për të nxitur ekonominë, duke rritur borxhin. Situata është më shqetësuese sesa tregojnë shifrat, për shkak të detyrimeve të prapambetura të sektorit publik. Besojmë se pagesat e prapambetura mund të jenë mes 1-2% të PBB-së”, tha Armitage.

Por megjithë këto paralajmërime të forta, shefi i qeverisë ka miratuar projekt-buxhetin me rritje të mëtejshme të borxhit, duke “respektuar” vetëm vitin elektoral.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *