I nderuar z.Thano
Nëpërmjet kësaj letre dua të falënderoj ekipin mjekësor të drejtuar nga doktor Idriz Balla në pavionin e reanimacionit të kardiologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Ky ekip në pamjen e parë nga vetë mosha e tyre e re të krijon një imazh jo shumë premtues, por me kontaktet direkte që u krijohen pacientëve me personelin mjekësor të çdo turni, pacienti e ndjen veten mirë dhe nën kujdesin e një personeli profesionistësh. Në çdo kohë që pacienti sinjalizon për shqetësimet që ka, i gjithë stafi mjekësor i turnit me shpejtësi ndodhet tek pacienti duke marrë të gjitha masat për t’i stabilizuar gjendjen, duke parandaluar kështu çdo të papritur që mund të ndodhë, sepse siç thotë fjala e popullit, “sëmundja e zemrës o të lë, o të merr.”
Ky personel përveç anës profesionale ka edhe atë humane. Kontakti me pacientin është korrekt dhe komunikues sepse edhe fjala ndikon shumë në gjendjen shpirtërore të pacientit. Po kështu dua t’i falënderoj edhe për luftën që bëjnë ndaj një sëmundje kronike të krijuar dhe të zhvilluar me kohë nga vetë ne pacientët ose të afrimit tanë, bëjmë fjalë për ryshfetet e ndryshme.
Asnjë prej mjekëve ose infermiereve nuk pranoi as gjënë më të vogël që ju ofrova. Do të doja të falënderoja në mënyrë të veçantë mjekun e talentuar Alban Dibra, i cili me përvojën e fituar në ndërhyrjet që lirojnë venat e bllokuara që pengojnë qarkullimin e gjakut, radhitet pa dyshim ndër mjekët më të mirë të spitaleve të perëndimit. E përgëzoj doktor Dibrën se me guximin dhe bindjen në aftësitë e tij profesionale, vendosi që edhe pse kishte përballë opinione të kundërta të kolegëve të tij, të bëjë një ndërhyrje të vështirë për lirimin e venave kur në të njëjtën kohë kishte edhe rrezik hemorragjie ulcera që ishte riaktivizuar. Pra ai ndau vdekjen nga jeta dhe si rrjedhojë fitoi jeta, jo vdekja.
Emri i doktor Dibrës është dhe do të mbetet në mendjen time i paharruar, ashtu siç ka mbetur i paharruar emri i kirurgut Nikollaq Kaçani, i cili 20 vjet më parë ka vepruar njësoj si doktor Dibra sot.
E sjell këtë letër edhe për të thënë që jo gjithë mjekët janë njësoj dhe krahas shembujve jo të mirë ka edhe të tillë që meritojnë mbështetjen e medias dhe shoqërisë.
Letër e nënshkruar
Me respekt, Petro Nano
