E majta franceze kërcënon “butësisht” Gjermaninë

redaktor

Gjetja e një konsensusi mes Parisit dhe Berlinit mbi krizën greke, duket se nuk ka kënaqur aspak të majtën franceze. Ndonëse pozicionimi publik i presidentit francez Fransua Holonde, konfirmoi se objektivi francez në përputhje me atë evropian u arrit, ka një reflektim të thellë që vjen nga ideologjia e majtë franceze dhe i drejtohet opinionit publik gjerman. Çfarë i kërkohet popullit gjerman në këtë reflektim dhe a kërcënohet ai mes rreshtave për izolim ?

Edhe pse Berlini dhe Parisi kanë dalë me një pozicionim të unifikuar përballë gjetjes së marrëveshjes ndaj krizës greke, ka një ekspozim mediatik mbi mundësinë e një krisje të mundshme mes aksit të fuqishëm drejtues evropian. Por, këto dyshime janë mohuar kategorikisht si nga Kancelaria gjermane Merkel por edhe nga Presidenti francez, Holonde jo vetëm pas daljes publike në përmbyllje të marrëveshjes mbi krizën në Greqi, por edhe në vijim. Mohimet kategorike vlerësojnë gjithashtu natyrshmërinë e bisedimeve, pikëpamjeve të ndryshme dhe gjetjen e domosdoshme të një kompromisi, çka u arrit përfundimisht.

Por, përballë linjës së fortë të ashpërsisë dhe disiplinës ekonomike, që vjen nga fronti i Berlinit, ka një reagim të fuqishëm, që vjen nga fronti i majtë ideologjik francez. Kreu i së majtës franceze Zhon Kristof Kombadelis (Jean-Cristophe Cambadélis), i është drejtuar me një letër publike popullit gjerman, duke e ftuar atë në një reflektim të nevojshëm kombëtar, dhe në një rishikim të domosdoshëm të qëndrimit të tij në nivel evropian. Në këtë ftesë për reflektim, që sigurisht i drejtohet edhe elitës politike gjermane, kujtohen momentet kyçe të historisë gjermane, solidariteti evropian, por edhe ai francez, rolin e rëndësishëm që ka Gjermania në projektin evropian dhe bashkëpunimi i domosdoshëm për një Evropë më solidare dhe humane.

Teksa e hap letrën e tij drejtuar popullit gjerman, duke përmendur elementët thelbësorë, që lidhin miqësinë e fortë franko-gjermane, si historia, gjeografia dhe kultura, Kombadelis kërkon reflektim mbi linjën e ashpër ekonomike që Berlini mbron, duke e ftuar atë të mos harrojë historinë e tij të hidhur dhe solidaritetin e lartë evropian në momente kyçe:

“Evropa, në fakt, miku im i dashur, nuk e kupton kokëfortësinë aktuale të vendit tënd të madh, që kërkon të mbyllet në këtë rol të babait të vogël të ashpërsisë. 

Ta ketë harruar vendi yt solidaritetin e Francës, të nesërmen e krimeve të tmerrshme, të kryera në emrin tënd ? Po, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, të kësaj lufte të re civile evropiane, Franca do të ndihmonte në rimëkëmbjen e popullit gjerman. 

Franca e drejtuar nga De Gol dhe e gjithë Evropa me të. Me Çërçill, Gasperin, dhe sigurisht Adenaurin. Më 1947, Plani Marshall pengoi fundosjen e mëtejshme të Gjermanisë dhe shprehu tashmë, forcën e solidaritetit për të mjekuar plagët e së kaluarës dhe për të menduar konturet së ardhmes.” 

Kjo domosdoshmëri për reflektim, dhe rifreskim të memories historike gjermane shkon edhe ndaj një solidariteti të munguar për rishikim të domosdoshëm të situatës ekonomike në Athinë.

“Është solidariteti i Francës dhe i Evropës, që lejoi në kuadrin e marrëveshjeve të Londrës të 1953 të reduktohet në mënyrë të konsiderueshëm borxhi gjerman. Berlini duhet t’i kujtohet ky mësim i historisë, në momentin që i bën leksion buxhetor Athinës. (…) Nëse do të kishim anuluar borxhin grek, këtu e tre vite më parë, dhe nëse do të kishim lejuar organizimin e një referendumi, pa dyshim ne nuk do të ishim këtu, sot.” 

Teksa rendit fakte të një kujtese historike solidariteti mes dy vendeve, si pozicionimi pro mbrojtjes së territorit gjerman në çështjen e raketave SS-20 të pozicionuara në lindje të tij, apo momenti simbolik i pajtimit franko-gjerman i vitit 1984, mes Miteranit dhe Kohl, si dhe solidariteti francez në ribashkimin e Gjermanisë dhe rivendosjes së monedhës së re kombëtare, e majta franceze i kujton Gjermanisë se, ishte pikërisht Evropa dhe Franca që i lejuan asaj të shndërrohej në fuqinë që ajo është sot. Por, se Gjermania nuk duhet të shndërrohet në flamurtaren e një ordoliberalizmi të ngushtë e të pakuptimtë, por duhet të kontribuojë për shndërrimin e Evropës në një kontinent të drejtësisë, të një Evrope me modelin social më konkurrues në botë, në respekt të popujve dhe historisë së tyre.

“Franca dhe Evropa i lejuan Gjermanisë të shndërrohej në fuqinë që ajo është sot. Po, Gjermania është një fuqi e madhe dhe e bukur ! (…) Sigurisht, Evropa nuk mund të funksionojë veçse në respekt të traktateve dhe të fjalës së dhënë. Por, Evropa duhet gjithashtu të respektojë popujt dhe historinë e tyre, nëse dëshiron të prosperojë dhe të pajtohet me popujt e saj, nëse dëshiron të jetë diçka tjetër se, sa një rend i thjeshtë institucional në agoni. 

Evropa e popujve nuk do ta kuptojë që Gjermania kërkon të imponojë nëpërmjet forcës së ekonomisë së saj, një model ekonomik unik; i përbërë nga rreptësia ideologjike dhe përpikëria buxhetore. Evropa ka nevojë për një Gjermani të fortë, sigurisht. Ajo ka nevojë gjithashtu për një Gjermani solidare dhe jo për një Gjermani vetmitare.”(…)

Janë tre momente kyçe që shoqërojnë letrën, duke rikthyer vëmendjen ndaj projektit evropian: ndjeshmëria që duhet të ekzistojë përballë popujve dhe historisë së tyre; mos shndërrimi i projektit evropian në një mekanizëm të ftohtë rregullash dhe ligjesh të pakuptimta; si edhe humanizmi dhe solidariteti nën kujtesën se, “Evropa bëhet nga hapat e vegjël, por edhe nga xhestet e mëdha”.

Letra mbyllet me dy thirrje të forta, që gjithsesi krijojnë hapësirë për interpretim.

E para, lidhet me rolin e Gjermanisë dhe reflektimin e nevojshëm për të rishikuar pozicionin e saj në Evropë. Logjikë, e cila nga njëra anë, parashtron thirrje dëshpëruese për një rol më solidar gjerman përballë krizës aktuale, por nga ana tjetër rendit si mekanizëm kërcënues edhe mundësinë e një sensibilizimi politik aktiv në nivel evropian, për rolin josolidar gjerman, duke çuar edhe në një izolim të mundshëm të saj.

“Nëse Gjermania, i kthen kurrizin solidaritetit kontinental, ajo rrezikon të keqkuptohet duke e vendosur Evropën përballë një alternative fatale, përballë një referendumi të tmerrshëm: pro apo kundër Gjermanisë.” 

Edhe thirrja e dytë, ka një interpretim që lë hapësirë të dyfishtë, duke shkuar nga logjika e një bashkëpunimi të nevojshëm, të vazhdueshëm dhe të padiskutueshëm të aksit Paris-Berlin në nivel evropian, por edhe drejt një kërcënimi politik, se në rast se këto marrëdhënie çekuilibrohen, pasojat do të ndjehen në tërë Evropën.

“Po, Evropa ka nevojë për një çift franko-gjerman të përtërirë. Ti e di mirë, se kur miqësia jonë ftohet, teshtin e tërë Evropa. Besoj, se është koha të vëmë në jetë idenë shumë shpejt të braktisur të bazës së bashkëpunimit franko-gjerman. Për të parë rrugën e bërë dhe të vijëzojmë rrugën që do të çojë popujt tonë dhe kontinentin tonë drejt solidaritetit, sigurisë dhe prosperitetit.” 

Në fakt, pavarësisht hipotezave, që janë hedhur mbi krisjen e mundshme të aksit Paris-Berlin, ato janë përgënjeshtruar nga të dy palët, duke konfirmuar publikisht ekzistencën e një marrëdhënie më se normale mes dy vendeve. Por, duket se përplasja në sipërfaqe, është më tepër e një niveli dhe rrafshi ideologjik, mes filozofisë të së majtës dhe së djathtës. Më thellë kjo përplasje fsheh zbehjen e rolit francez në drejtimin e BE-së. Zbehje, që është përforcuar herët duke nisur nga ribashkimi i Gjermanisë dhe ndryshimi i pushtetit të numrave, nga fuqizimi i vazhdueshëm i ekonomisë gjermane, si edhe nga zgjerimi i fundit i Unionit drejt vendeve të ish kampit komunist. Fuqizimi gradual i Gjermanisë në skenën evropiane, por edhe ndërkombëtare e shndërroi atë në timonierin kryesor të Unionit, pushtet të cilin e zotëronte Franca. Kësaj tkurrje i shtohet edhe dimensioni jo i favorshëm ekonomik i saj përballë dominimit të padiskutueshëm gjerman.

Gjithsesi nuk duhet harruar, se në drejtimin politik dhe ekonomik evropian, Gjermania e ka të vështirë të operojë e “vetme”, pa mbështetjen dhe kompromisin politik të Francës. Ndryshe do të paguante koston e lartë, në nivel evropian të një “diktati”, aspak të dëshirueshëm gjerman. Pesha e rëndë historike, nuk ia lejon avancimin e këtij luksi de jure ndonëse de facto e gëzon atë. Nga ana tjetër, përtej thirrjes që vjen nga e majta franceze për një reflektim gjerman, ndoshta nuk duhen anashkaluar edhe detaje, si psh. origjina greke e Kombadelis dhe bindjet e tij të hershme komuniste dhe trockiste, që ndoshta nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë në këndvështrimin politik, por që zgjerojnë perspektivën e mundshme të ndikimit të tyre në formësimin e linjave përballë politikave të caktuara./im.ta/

 

 

Share This Article