Mungesa e rinovimit të kontratës së Federico Marchettit mund të konsiderohet një lajm i mirë për gardianin e Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha. Shtypi italian bën të ditur se klubi i Lazios ka lëshuar një ultimatum për zgjatjen e kontratës si për Marchettin ashtu edhe për Lulic, duke i bërë thirrje të dy lojtarëve që koha shtrëngon. Megjithatë përsa i përket kontratës së re të numrit 22 të bardhekaltërve duket që palët të jenë ende larg. Kontrata aktuale e Marcehttit skadon në verën e vitit 2016 dhe prej kohësh palët kanë nisur bisedimet për vijimin e bashkëpunimit.
Klubi i ka propozuar 32-vjeçarit kontratë dyvjeçare me mundësi rinovimi për të qëndruar në kryeqytet deri në verën e vitit 2019. Por palët janë shumë larg përsa i përket anës financiare, të cilët drejtuesit e klubit me Igli Taren në krye kërkojnë ta zvogëlojnë me bonuset e vendosura në bazë të rendimentit personal, por edhe arritjeve të ekipit. Marchetti ka shprehur dëshirën për të qëndruar tek Lazio, por diferenca ekonomike midis ofertës dhe kërkesës mund të bëjë që kjo situatë të shkojë në favor të Etrit Berishës, portieri që kërkon të hedhë hapin kualitativ drejt një niveli tjetër.
Këtë sezon Lazio do të hyjë me pretendime në kampionat, ku minimalisht synohet të mbrohet vendi i tretë i arritur sezonin e shkuar. Gjithashtu bardhekaltërit do të rikthehen në Champions League dhe kjo është një vitrinë e mirë për të fituar sa më shumë eksperiencë edhe për Berishën, që është në garë të plotë me Marchettin për të zënë vendin e titullarit.
